Histori

Abedin Nepravishta, kryebashkiaku themelues i Tiranës moderne, u burgos deri në moshën 90 vjeçare

Abedin Nepravishta lindi në vitin 1889 në Kuç të Vlorës, në një familje me origjinë nga fshati Nepravishtë i Libohovës. Familja e tij ishte zhvendosur në Kuç sepse i ati punonte në cilësinë e nënprefektit në Nënprefekturën e Kurveleshit. Kreu studimet në Shkollën e Lartë të Administratës në Stamboll në vitet 1908–1912, në universitetin më elitar në Turqi.

Abedin Nepravishta është drejtori i parë i Bankës Kombëtare të Shqipërisë, në vitin 1925, e si i tillë është ndër themeluesit kryesorë të sistemit financiar të Shqipërisë. Ka mbajtur disa pozicione të larta në Administratën e Shtetit Shqiptar. Në vitet 1927–1929 ai do të emërohej prefekt i Prefekturës së Durrësit. Më pas, në vitet 1929–1931 do të emërohej prefekt në Prefekturën e Korçës.

Në vitet 1931–1933 ka kryer funksionin e perfektit në Prefekturën e Vlorës. Gjatë kësaj kohe Abedin Nepravishta kreu edhe funksionet e Kryetarit të Bashkisë së Vlorës në vitet 1932–1933. Ishte pikërisht kjo periudha, në 20-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë, kur Abedin Nepravishta ndërtoi Sheshin e Flamurit dhe lulishten buzë tij, duke u futur në histori si autori i këtyre dy simboleve të rëndësishme të qytetit te Vlorës.

Përveç tyre ai ndërtoi edhe Bulevardin Vlorë–Skelë, një monument urbanistik i Vlorës. Abedin Nepravishta zhvendosi nga Kanina në qytetin e Vlorës eshtrat e Ismail Qemalit, per ti dhënë një vendprehje dinjitoze themeluesit të shtetit shqiptar, vend në të cilin ai prehet edhe sot.

Në vitet 1933–1939 Abedin Nepravishta do te kryente funksionin e Kryetarit në Bashkinë e Tiranës. Ishte pikërisht kjo periudha në të cilën Abedin Nepravishta jep kontributin e tij më të madh për kombin Shqiptar. Rrjeti kryesor urbanistik i Tiranës, ai kompleks rrugësh dhe godinash që u ngritën në gjysmën e dytë të viteve ‘30, fytyra e përjetshme e zemrës së Shqipërisë, me objektet e saj kryesore, si sheshi ‘Skënderbej’, Banka e Shqipërisë, bulevardi ‘Dëshmorët e Kombit’, Rruga e Durrësit, Rruga e Kavajës, Rruga e Dibrës, Rruga e Elbasanit, vilat monumentale që gjenden buzë tyre, janë skalitur të gjitha në kohën që Abedin Nepravishta drejtoi kryeqytetin e Shqipërisë.

Pas pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste në prill të vitit 1939, Abedin Nepravishta u burgos dhe u internua në Itali, duke u kthyer kështu në antifashistin e parë shqiptar të dënuar penalisht. Por, si për ironi të fatit, ky intelektual i madh shqiptar, që ka lënë gjurmë në historinë e Shqipërisë, u bë edhe një ndër të burgosurit dhe të dënuarit e parë të diktaturës komuniste.

Në prill të vitit 1945, Abedin Nepravishta u dënua me 20 vite burg në burgun e Burrelit dhe me 10 vite internim në fshatrat e Myzeqesë, dënime këto që i vuajti në moshë të thyer (60–90 vjeç). Me gjithë kërkesat e të afërmve, vendimi për burgosjen dhe dënimin e tij nuk u bë publik kurrë. Ky vendim ka ngelur një mister. Ende edhe sot nuk është gjetur në arkiva asnjë vendim penal për Abedin Nepravishtën.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Shkrime të ngjashme

Aktualitet

55 vite histori e gjimnazit “11 Shkurti” Libohovë përfundon së shpejti, fatkeqësisht! Një urdhër i ZVA Gjirokastër i ndryshon statusin nga gjimnaz në shkollë...

Të gjitha të drejtat e rezervuara © 2023 Libohova Post

Exit mobile version