Kinematografi

Albert Verria, Kapedani i kinematografisë shqiptare

Albert Verria është një nga ata aktorë që janë skalitur thellë në kujtesën tonë kolektive. Nuk ka shqiptar, të madh a të vogël, që nuk ka parë të paktën një film të tij, ose të ketë përdorur në komunikimin e përditshëm një prej batutave të tij.

Ai lindi më 3 shtator 1936 në Fier, në një prej familjeve më të njohura të këtij qyteti, familjen tregëtare Verria. Në vendlindje përfundoi shkollën 8-vjeçare dhe atë të mesme. Gjatë kësaj kohe lindi dhe dashuria e tij për artin dhe teatrin. Në Apolloninë e lashtë Alberti u njoh me teatrin e Eskilit, Sofokliut e Aristotelit, dhe mbeti i mahnitur prej kësaj forme arti. Pandaj edhe, në vitin 1959, ai ishte në brezin e parë të studentëve që u regjistruan në shkollën e lartë për aktor “Aleksander Moisiu”, të sapo krijuar.

Me përmbylljen e studimeve, në vitin 1963 Albert Verria emërohet aktor në Teatrin e Vlorës. Në këtë teatër Alberti do të luaj mbi 90 role të ndryshëm përgjatë karrierës se tij, deri në vitin 1991 kur del në pension. Por ajo që Albert Verria-n e ka bërë të pavdekshëm në kujtesën e shqiptare janë rolet e tij në filmat artistik. Ka luajtur mbi 40 role në filma, ndër të cilët: Nuri Beu te filmi “Koncert në vitin 1936”, Kaporal Pelegrini te filmi “Në fillim të verës”, Kopi te filmi “Rrethimi i vogël” etj.

Roli emblematik, që e vendosi Albert Verria-n në rreshtin e parë të artistëve të mëdhenj shqiptarë dhe që e bënë atë një aktor mjaft të dashur për publikun, është roli i Xha Sulos te filmi “Kapedani”. Ishte vetëm 36 vjeç, në vitin 1972, kur interpretoi me mjeshtëri këtë personazh, i cili paraqet me detaje, e ndoshta në menyrë groteske, burrin konservator shqiptar.

Vetë Albert Verria, në librin e tij me kujtime, mbi këtë rol do të shkruante: “Po vinim nga Vlora për të dhënë një shfaqe në Tiranë. Ishte ora 11 dhe sapo zbres nga treni më kap Ismail Zhabjaku, asistent regjizor. Më thotë ‘Në orën 15 do të bëhet një kinoprovë per rolin e xha Sulos. Partner do të kesh aktorin Nikolin Xhoja. Merr tekstin dhe eja në kinoprovë’.

Mora tekstin, e lexova. Kohë nuk kisha, ndaj edhe u futa te parku “Rinia”, karshi hotel “Dajtit”. Pasi mësova tekstin, fillova ta them me zë. Nuk mora parasysh askënd, kush ecte dhe kush vinte. Nuk më interesonte fare nëse thoshin për mua që jam i çmendur, apo budalla. Fillova, me mish e me shpirt, të materializoja rolin e xha Sulos te vetja ime.

Ky rol kishte shumë gjëra që unë vetë nuk i kisha si Albert. Kishte plastikë, pasi personazhi i xha Sulos ishte 70 vjeç, kurse unë isha sa gjysma e moshës. Veç kësaj, ai kishte edhe pikëpamje konservatore. Ishte një njeri që e urrente femrën dhe e konsideronte inferiore, nuk e donte në pushtet dhe donte që ajo t’i lante këmbët. Këto ishin në kundërshtim me mua vetë si Albert.

Shkoj në kinoprovë. Pasi bëra grimin, hyj në petkun e rolit. Falë edhe Nikolin Xhojës, arrita ta bëja rolin shumë mirë. Në kinoprovë do të luanim pjesën ku pinim raki dhe silleshim si të dehur, ndërsa unë nuk pija fare alkol. Filmi ka mbi 40 vjet që është realizuar, dhe ka shumë simpatizantë, që edhe pse i dinë përmendësh batutat, e shohin atë nga fillimi në fund”.

Albert Verria është vlerësuar me shumë tituj dhe çmime gjatë karrierës së tij, ndër të cilët, që prej vitit 1979 ai mban titullin “Artist i Popullit”.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Shkrime të ngjashme

Të gjitha të drejtat e rezervuara © 2023 Libohova Post

Exit mobile version