Poezi

Atdheu dhe Dashuria – Andon Zako Çajupi

Atdheu dhe dashuria

Vitua një pun’ e madhe,
E bukur si sorkadhe,
Nga gjithë shoqet shquan
Dhe gjithë trimat e duan.
Për të tillë bukuri,
Kush nukë ka dashuri?

Një ditë që vij në krua,
Duke ecurë mbi thua,
Poqi një turk, trim të marrë,
Tjetër herë s’e kish parë.

Rrobatë që kish, i ndrinin,
Dhe armët i vetëtinin!
Kur shtiu syt’ e e pa:
«Vito, të dua! i tha.
Vito, do të të marr grua!»

Vitua u turpërua,
Po më shum’ u hidherua,
Dhe iu përgjegj: «S’je për mua,
Se u’një tjetër dua,
Jemi një bes’ e një sua;
Po merre fjalën prapë,
Dhe shko këtej me vrapë!»

– Kush është më trim se mua,
Që do të të marrë grua?
– Ai që jam vluarë (fejuar)
Dhe për të martuarë;
Është trim’ sa s’gjendetë,
I mirë sa s’benetë;

Ish vet’ i tretë vëlla,
Kush ka qenë si ata?
Trima sa s’i zinte plumbi,
Njeri vdiq, i dyti humbi.
Jorgjin e la perëndia
Shpresë për mëmën e tia;

Është i vetëm e jetim,
I dashur’ i shpirtit tim,
Dhe nga të tërë më trim,
Përdor pallën e hanxharë,
Është i zoti të më marrë!
Ndaj, të lutem, mos më nga,
Të mos biesh në hata,
Se shejtani punë s’ka!»

Turku me të tilla fjalë,
Qiti të shkretënë pallë,
Nga inati u verdhua
Dhe thirri posi dragua:
«N’është m’i zoti nga unë,
Le të më dalë këtunë,
Në më muntë, besa-besë,
Burri yt po le të jetë,
N’e dërgofsha n’atë jetë,
Dije, do të të marr vetë!»

Vitua shum’u frikua,
Lot i vininë si krua,
Dhe më shtëpi, duke qarë,
Rrëfeu q’i kishte ngjarë.

Po Jorgji, kur e dëgjoi,
Veshi armëtë dhe shkoi,
U ngjit malit përpjetë,
Ashtu si ngjiten retë,
Dhe me zi të madh si shkëmbi
Po thërret, sa tundet vëndi:
«Kush ësht’ ai q’u lëvdua,
Që do të mundet me mua?»

Me zë të math, si gjemimi,
Iu përgjegj aherë trimi:
«Une jam ai që shtie
Dhe plumbi dëm nuk bie.
U’ jam ai që kam vrarë
Bejlerë dhe pashallarë,
Dhe kaurë, mijë vetë,
Kam dërguar n’atë jetë!
Dhe do të trembem tani
Nga një fusharak si ti?
Tani do ta shoç dhe vetë
Kush është trim i vërtetë.

Këto thosh turku dhe vinte,
Po dhe Jorgua e printe;
Hodhi armëtë përdhezë
Dhe zuri të sgjeshë brezë,
Që kish qepur Vitua vetë,
Si fustan e fermeletë.

Kur e kujtoi, u shëmb,
Mos pandehni se u trëmb,
Bëri kryqn’ e fshiu lotë:
«Jam azer!» hidhet e thotë,
Edhe më dorë një thikë
Ju vërsul turkut pa frikë.

Trimi rrëmbeu hanxharë
Dhe po hidhej si i marrë.

Fryjti era, nga rrëmbimi
lëshon flokatenë trimi,
Atje ku qe afëruar,
Me gjoks hapët leshëtuar,
Ju duk, në grykë të tij,
Varurë një hajmali.

Jorgji, kur pa hajmalinë,
Sytë përmbi të i ngrinë.
– Dale, tha, ashtu më rruash,
Pa lëftojmë kur të duash,
Po, në beson perëndinë,
Kush ta fali hajmalinë?

– Nënia në foshnjëri
Ma vari për mbarësi,
Po ç’të duhet kjo punë?

– Një të tillë kam dhe unë!
Shiko! Nëna ma ka falë
Dhe mua, kur jesha djalë!

Të dy trimat hapnë gjitë
Dhe shikonin hajmalitë
Qepur me pe të florinjtë,
Si njëra, si tjetëra,
Të dya të vjetëra;

Përbrenda, pshelur me kartë,
Gjetën nga një kryq të artë!

Mbetën të mahniturë
Dhe si të goditurë!
Të tillë punë, kur panë,
U pushtuan dhe ranë,
Dhe të dy një fjalë thanë:

«Të kam vëlla, mor i mjerë,
Nga një bark paskemi lerë!
Jemi një fis e një farë,
Jemi të dy shqipëtarë,
Po besa na paska ndarë,
Sa na bëri për të vrarë!

Sot që i dimë vetëhenë,
Duhet të bëjmë benë
Të duam mëmëdhenë.

Tani të marrëmë male,
Të lëftojmë për lirinë,
Të mos kthehemi të gjallë
Pa shpëtuar Shqipërinë!

Tani Viton ta harrojmë,
Me Turqinë të lëftojmë,
Ta dërgojmë nga ka ardhë,
Të shomë ditë të bardhë.

– Andon Zako Çajupi

_____________________

Andon Zako Çajupi (Sheper, 27 mars 1866 – Heliopolis, 11 korrik 1930) ishte poet, dramaturg, jurist, atdhetar dhe veprimtar i shquar i Rilindjes Kombëtare.

1 Koment

  1. Fjodora

    9 Mars, 2022 at 4:31 pm

    Fantastike, sic vetem Cajupi di te shprehet!

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Shkrime të ngjashme

Të gjitha të drejtat e rezervuara © 2023 Libohova Post

Exit mobile version