Lamtumirë vendet e mija
Lamtumirë vendet e mija,
Që po m’zhdukeni dalngadalë,
Gjëmon deti, ushton duhija,
Lkundet varka valë mbi valë.
Kah njaj diell që asht tuj flakrue,
Andej fill un tash do t’veta,
Lamtumirë atdhe i bekue,
Lamtumirë për sa t’jetë jeta!
Nesër nadja kur mbi ne,
Rrezja e diellit ka me ra,
Kush e di sa ujë e dhe,
Mue prej teje ka me m’nda?
Po n’i pyetsha retë minore?
Po n’i pyetsha zogjt e detit?
Veç për ty moj tokë arbnore,
Ska me m’fol kush ma mue t’shkretit.
Kam me shkel në t’tjera zalle,
Në t’tjera brigje e t’tjera dete,
Kam me ndije t’tjera gjuhë,
Në t’tjera vende e t’tjera qytete.
Vendin tem ma s’kam me pa…
Ka me prit pra motër zeza,
Me i pru nanës n’shpi ndonjë re,
Po, kushedi, i vllau atëhera,
Ku asht, kah kalbet, për nan dhe.
Para Hyut naltohet lutja,
O ju bjeshkët e shqiptarisë,
Ku ndër ju s’dijmë ç’ka asht tuta!
Veç në ju asht logu i burrnisë!
Lamtumirë ju mriza e stane,
Lamtumirë ju shkurre e mreta,
Lamtumirë ju o armt e t’parve,
Lamtumirë për sa t’jetë jeta.
– Gjergj Fishta
_______________________
Gjergj Fishta (Fishtë, 23 tetor 1871 – Shkodër, 30 dhjetor 1940) ishte At françeskan, arsimtar, shkrimtar, përkthyes, kryetar i komisionit për hartimin e alfabetit shqip në Kongresin e Manastirit (1908), anëtar i delegacionit të shqiptar në Konferencën e Versajës (1919), zëvendëskryetar i legjislativit shqiptar (1921), atdhetar dhe veprimtar i shquar i Rilindjes Kombëtare.