Histori

Pa zgjidhjen e çështjes shqiptare nuk mund të ketë paqe e siguri në Ballkan – Alexandre Lambert

Shkëputur nga intervista me historianin zvicerian Dr. Alexandre Lambert:

Në vitin 1912 Shqipëria e pavarur shpallet shtet asnjanës. E vërteta është se që nga pavarësia dhe në vitet që erdhën dhe gjatë gjithë shekullit XX, Shqipëria, shteti më i vogël i Evropës, ka vuajtur agresione dhe pushtime të huaja më shumë se çdo shtet tjetër evropian. Për shqiptarët shekulli XX filloi me ekspeditat ushtarake dënuese të Turqisë që shkatërruar vendin, për t’i nënshtruar shqiptarët kryengritës kundër pushtimit turk, në emër të vendosjes së rendit perandorak.

Pastaj, gjatë Luftës së Parë Ballkanike, të gjitha palët ndërluftuese të këtij konflikti, Serbia, Mali i Zi, Bullgaria dhe Greqia, në emër të luftës kundër Turqisë, pushtuan toka shqiptare dhe luftën e bënë po në territore të banuara nga shqiptarë, duke dhunuar në këtë mënyrë asnjanësinë e Shqipërisë. Gjatë Luftës II Ballkanike (1913), kur Serbia dhe Greqia u lidhën për të luftuar kundër Bullgarisë, shtetet ndërluftuese zhvilluan luftime edhe në toka të banuara nga shqiptarë.

Edhe para shpërthimit të Luftës I Botërore, Greqia pushtoi Shqipërinë e Jugut, ku bëri një gjenocid të vërtetë, duke djegur 400 fshatra me popullsi shqiptare – myslimane. Në shembullin e gjenocidit që kishin bënë serbët kundër shqiptarëve në vitin 1912 e 1913. Serbia pushtoi përsëri Shqipërinë e Veriut (1915) kur serbët ishin në luftë kundër ushtrisë austro – hungareze. Merrni me mend Shqipërinë e Veriut që u bë prapë fushë lufte.

Dhe sikur kjo të mos mjaftonte, italianët filluan pushtimin e tokave të Shqipërisë Jugperëndimore (1915). Edhe francezët dërguan ushtritë e tyre për të pushtuar Shqipërinë Juglindore në vitin 1915. Ja se si Evropianët e kanë trajtuar një shtet sovran dhe asnjanës të vetë Evropës.

Kur mbaroi Lufta e Parë Botërore çfarë ndodhi me Shqipërinë dhe shqiptarët?

Me mbarimin e Luftës së Parë Botërore, fuqitë e mëdha ndërluftuese, fituese ose të mundura, u tërhoqën nga Shqipëria, por ushtria italiane, ajo greke dhe ajo serbe, mbetën përsëri në territorin e shtetit shqiptar asnjanës. Në vitin 1920, në Kongresin e Lushnjës, patriotët shqiptarë zgjodhën Qeverinë e re me kryeqytet Tiranën dhe ndihmuan kryengritjen popullore kombëtare shqiptare, e cila synonte të çlironte krejtësisht vendin nga forcat e huaja pushtuese.

Populli kryengritës bëri “ Luftën e Vlorës”, duke hedhur në det divizionet italiane nga Shqipëria. Një luftë e drejtë kjo, por gjithmonë ishte një luftë në territorin e Shqipërisë, me të gjitha rrethanat shkatërrimtare. Kjo luftë e ngriti prestigjin kombëtar të shqiptarëve. Kështu, më 17 dhjetor 1920, Shqipëria u pranua si anëtare e Lidhjeve së Kombeve, e sapo krijuar në Gjenevë. Dhe më në fund, si Grekët dhe Serbët u detyruan të largohen nga Shqipëria, këtë here nën presionin e Lidhjes së Kombeve. Sigurisht, pasi Traktati i Paqes së Versajës e sanksionoi këtë herë sakatimin e Shqipërisë, duke u lënë jashtë kufijve shtetërorë më se gjysmën e territoreve të banuara nga Shqiptarë. Një gabim i rëndë ky i diplomacisë evropiane, që dëmtoi shumë vetëm shqiptarët. Por më në fund edhe provoi se pa zgjidhjen e çështjes shqiptare nuk mund të ketë paqe e siguri në Ballkan. Këtë e ka më në fund të qartë diplomacia evropiane dhe botërore.

Cili është qëndrimi i Shqipërisë dhe shqiptarëve kundër agresionit fashist Italian gjatë Luftës së Dytë botërore?

Në Prill të vitit 1939 re të zeza i afrohen përsëri Shqipërisë, kur ky shtet që nuk ka sulmuar kurrë një vend tjetër u sulmua dhe u pushtua nga Italia fashiste, por jo pa i bërë një qëndresë të armatosur asaj fuqie të madhe. U derdh gjak në Shqipëri për mbrojtjen e pavarësisë, në vigjiljen e shpalljes së Luftës II Botërore, kjo pasi dy shtete me emër të mirë evropian iu dorëzuan Gjermanisë naziste pa shkrepur asnjë pushkë.

Në shtator të vitit 1939, kur shpërtheu Lufta II Botërore, Shqipëria asnjanëse, por e pushtuar, shërbeu sërish si fushë lufte, kur ajo nuk i kishte deklaruar luftë asnjë shteti tjetër. Në vitin 1940, pas agresionit të ushtrisë fashiste italiane kundër Greqisë, historia e deshi që grekët që mbrojtën vendin e tyre kundër italianëve, zhvilluan luftimet më të shumta në tokën e Shqipërisë së Jugut.

Në vitin 1941 ushtria jugosllave në luftë për mbrojtje kundër agresionit fashist italian pati si fushë lufte territore të banuara nga shqiptarë. Ushtritë hitleriane pushtuan gati gjithë Ballkanin, dhe kur Italia kapitulloi dhe iu dorëzua aleatëve (1943) atëherë Gjermania naziste zëvendësoi Italinë fashiste, duke pushtuar ushtarakisht Shqipërinë.

Pas gjithë sa na thatë, del se mbi shqiptarët kanë rënë të gjitha pasojat e konflikteve ushtarake që kanë ndodhur në Evrope gjatë shekullit XX?

Nuk ka asnjë dyshim. Le të dale një historian për të kundërshtuar të vërtetën tragjike shqiptare, duke na treguar një popull a shtet tjetër në Evropë që të ketë pësuar më shumë pushtime dhe më shumë luftëra të zhvilluara në territorin e tij se Shqiptarët asnjanës, e për më tepër që nga çdo konflikt të kenë dale jo vetëm pa asnjë përfitim, por me humbjet që bota u ka shkaktuar atyre.

Dhe si për ironi të hidhur të fatit, fatkeqësia, por edhe fatmirësia, e deshi që shqiptarët të dilnin me rezultate më të mira, për here të pare në historinë e tyre moderne, nga lufta e fundit që u zhvillua në Evropë në shekullin XX, po në territorin e shqiptarëve, Lufta e ”përbotshme“ e Kosovës. Ajo preku, por edhe shpërbleu, vetëm shqiptarët.

A është e drejtë që pas gjithë këtyre luftërave të zhvilluara në territoret shqiptare gjatë shekullit 20-të, shekulli që u karakterizua me përparimet më të mëdha në historinë e njerëzimit, duke sjellë dhe përmirësimin dhe ngritjen e mirëqenies materiale e kulturore të të gjithë popujve të botës, të ketë akoma njerëz, të cilët qëllimisht të mos duan të kuptojnë se pse Shqipëria mbeti shteti më i varfër i Evropës!

Dr. Alexandre Lambert, është historian zvicerian, që ka si gjuhë amtare gjermanishten. Eshtë doktoruar në Relacione Ndërkombëtare në Institutin Universitar të Studimeve të larta Ndërkombëtare në Gjenevë dhe është Drejtor Akademik i “School of International Training” në Gjenevë. Ai është autor i disa librave dhe artikujve në fushën e relacioneve ndërkombëtare të filozofisë politike, të politikës së sigurisë dhe lidhjeve civile-ushtarake. Eshtë ekspert i OSBE dhe i kontrollit demokratik të reformës së Forcave të Armatosura. Ai ka dhënë kontributin e vet në shumë takime ndërkombëtare në Amerikë, në Evropë, në Kaukaz, në Azinë Qendrore dhe në veçanti në Evropën Juglindore, si në Slloveni, Kroaci, Serbi, Bosnjë, Mal të Zi, e në shumë forume ndërkombëtare, si atë të Kran Montanës, ku ka njohur delegacionet e Shqipërisë, të Kosovës etj. Ai e ka vizituar Shqipërinë dhe ka filluar të njohë çështjen shqiptare që në rini të tij me kërkimet e bëra në Arkivin e Lidhjes së Kombeve në Gjenevë.

Lexo intervistën e plotë këtu

Botuar fillimisht në: Gazeta Panorama, 31/11/2007

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Shkrime të ngjashme

Aktualitet

55 vite histori e gjimnazit “11 Shkurti” Libohovë përfundon së shpejti, fatkeqësisht! Një urdhër i ZVA Gjirokastër i ndryshon statusin nga gjimnaz në shkollë...

Të gjitha të drejtat e rezervuara © 2023 Libohova Post

Exit mobile version