fbpx
Lidhu me ne

Çkemi! Çfarë po kërkoni?

Destinacione

5 plazhet më të bukur në Rivierën Shqiptare

Riviera Shqiptare është cilësuar nga shumë kompani ndërkombëtare udhëtimesh dhe media botërore si “Perla e fshehur e Mesdheut”. Por cilat janë plazhet më të bukur të saj:

5. Plazhi i Drimadhës

Plazhi i Drimadhës është një nga plazhet më të bukur të rivierës shqiptare. Është një copëz parajse me një formacion natyral shkëmbor që e ndan plazhin më dysh. Njëra anë është plot me guralecë të bardhë, ndërsa ana tjetër është e krehur me rërë të artë e të butë.

Plazhi i Drimadhës ndodhet afër fshatit Dhermi, në një gji të vogël me ujëra të kristaltë dhe të qetë. Është vendi i përsosur për t’u larguar për një pushim të qetë, për t’u çlodhur dhe për të shijuar një peizazh të bukur natyror.

Ky plazh është i njohur për perëndimet e tij të zjarrta, te cilat shkrihen në ujërat e qetë blu që duket se vazhdojnë në pafundësi. Mbas plazhit mbizotëron sfondi i thyer i maleve që ngrihen larg bregut.

Ata që do ta vizitojnë me familjen ose me një mik të veçantë do të kalojnë një kohë magjike duke pushuar në këtë vend të qetë e të izoluar. Dhe nëse ju a ka ënda, ka shumë aktivitete të disponueshme për t’ju argëtuar afër këtij plazhi dhe vendpushime të shumta vetëm disa hapa larg tij.

4. Plazhi i Ksamilit

Vetëm disa kilometra në jug të Sarandës, Ksamili me plazhet e tij të vegjël, të copëzuar nga formacione shkëmbore natyror, është një nga vendet më piktoreske të rivierës shqiptare. Plazhet e vegjël me rërë të bardhë dhe ujërat e kristalta e të qeta e kanë kthyer Ksamilin në një nga destinacionet e preferuara të shqiptarëve dhe të huajve që vizitojnë Shqipërinë.

Ksamili është i përshtatshëm si për ata që e vizitojnë me familjen, për shkak të ujit të qetë, plazheve me rërë dhe strukturave të shumta akomoduese, ashtu edhe për të rinjtë apo çifet, të cilët mund të gjejnë copëzën e tyre të parajsës në morinë e plazheve të shumta të Ksamilit.

Ndër atraksionet kryesore të Ksamilit janë padyshim 3 ishujt e pabanuar që mbizotërojnë peizazhin e bregut të tij. Ishuj të cilët mund të vizitohen lehtësisht me varkë apo me mjete të tjera ujore.

Ksamili ofron struktura të shumta akomoduese dhe restorante me ushqime deti. Ai ndodhet vetëm disa minuta larg Sarandës, qytetit më të madh përgjatë rivierës shqiptare, dhe shumë pranë ishullit të Korfuzit dhe aeroportit të tij ndërkombëtar.

3. Plazhi i Gjipesë

I vendosur midis destinacioneve turistike të Dhërmiut dhe Himarës, plazhi i Gjipesë është thuajse i paprekur nga zhvillimi. I gjendur mes terrenit malor, plazhi ndodhet në fund të Kanionit të Gjipesë, një formacion natyror me shkëmbinj që arrijnë deri në 70 metra të larta në disa vende.

Për të arritur në plazh ju duhet të ecni për rreth 20 minuta me këmbë, ecje disi impenjative mes terrenit malor, por kjo ndihmon për ta mbajtur plazhin relativisht të qetë, edhe në pikun e verës. Nëse ju pëlqen ecja në natyrë, mund të eksploroni për disa kilometra në brendësi të kanionit, por kini parasysh që është një ecje relativisht e vështirë.

Plazhi i Gjipesë ka ujë të kaltër dhe të pastër, me plazhin që përbëhet nga guralecë të bardhë. Ky plazh është i preferuar nga aventurierët, të cilët nuk zbrapsen nga vështirësitë për ta arritur atë. Shperblimi për këtë mundim të vogël është përhumbja në një prej bukurive natyrore më mbresëlënëse në brigjet e Jonit.

2. Plazhi i Palasës

Kur zbret drejt jugut përgjatë rivierës shqiptare, sapo kalon qafën e Llogarasë, plazhi i parë që sheh është plazhi i Palasës. I vendosur në deltën e një përroi malor, ky plazh është një kombinim i rërës së bardhë, guralecëve dhe ujit të pastër kristal.

Plazhi i Palasës është një prej pjesëve më mahnitëse të rivierës shqiptare, harmonizim i pjerrësisë marramendëse të terrenit malor dhe një zbritje prej më shumë se 1000 metra nga qafa e Llogarasë deri në pazh, në kaltesinë e pafund të Jonit dhe kthjellësinë e pakrahasueshme të ujit.

Përtej rrugëve tradicionale, tokësore dhe detare, ky plazh mund të arrihet edhe nëpërmjet fluturimit nga qafa e Llogarasë. Më guximtarët mund të kryejnë një fluturim prej më shumë se 1000 metra, të shoqëruar sigurisht nga profesionistë të sporteve ajrore, dhe të shijojnë një prej panoramave më mbresëlënëse të gjithë rivierës.

1. Plazhi i Kakomesë

Plazhi i Kakomesë ndodhet përgjatë brigjeve të Jonit, në gjirin me të njëjtin emër, rreth 7 km në perëndim të fshatit Nivicë dhe rreth 13 km në veri të Sarandës. Është një prej destinacioneve më të izoluar dhe një prej plazheve më të paprekur në rivierën shqiptare. Ndërhyrjet nga dora e njeriut në këtë plazh janë pothuajse inekzistente.
Para viteve ’90 gjiri ishte bazë ushtarake dhe nuk lejohej hyrja në të, por edhe pas viteve ’90 zona ka qenë e pa aksesueshme nga publiku për shumë kohë.

Në këtë plazh të mbresëlënës mund të shijoni mrekullinë e natyrës, të paprekur e të pa tjetërsuar; plazh me rërë dhe guralec të bardhë, ujë kristal me të gjitha nuancat e të kaltrës, gjithçka e rrethuar nga gjelbërimi dhe natyra e paprekur, larg zhurmës dhe kaosit urban.

Plazhi i Kakomesë mund të arrihet me makinë, por si ish zonë ushtarake mund ndodhë që të hasni edhe probleme per ta aksesuar në këtë mënyrë. Mënyra më e mirë dhe ndoshta ajo më mbresëlënësja është shkuarja me varkë.


TripAdvisor

Kliko për të komentuar

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Uji Tepelene Euro2024

Keshilla per blerjet tuaja

Më të lexuarat

Keshilla per blerjet tuaja

Shkrime të ngjashme

Aktualitet

55 vite histori e gjimnazit “11 Shkurti” Libohovë përfundon së shpejti, fatkeqësisht! Një urdhër i ZVA Gjirokastër i ndryshon statusin nga gjimnaz në shkollë...