fbpx
Lidhu me ne

Çkemi! Çfarë po kërkoni?

Personazh

Aleksandër Xhuvani, studiuesi dhe atdhetari që i kushtoi jetën gjuhës shqipe

Aleksandër Xhuvani është një nga studiuesit më të rëndësishëm të gjuhës shqipe. Puna dhe veprimtaria e tij në këtë drejtim rreshtohet përkrah emrave të mëdhenj si Eqerem Çabej dhe Aleks Buda. Ai ishte filolog, albanolog, metodist i teksteve në gjuhën shqipe, studiues i mësimdhënies së gjuhës shqipe në shkolla, mësues, pedagog etj.

U lind më 14 mars 1880 në Elbasan. Arsimin bazë e merr në shkollat e qytetit të tij të lindjes, ndërsa gjimnazit e kryen në Manastir. Në vitin 1902 rregjistrohet në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Athinës. Gjatë studimit të tij të shkencave filologjike në Athinë, Xhuvani arriti të merrte një kulturë të gjërë dhe i vuri baza të forta krijimtarisë së mëvonshme shkencore, posaçërisht në fushën e gjuhësisë dhe të kulturës shqiptare. Ai fitoi një bazë të mirë tekniko-shkencore dhe arsimore.

Por puna e tij shkencore në studimin e gjuhes shqipe paraqiste rreziqe të mëdha të që mund ti vinin nga autoritetet turke dhe greke. Asokohe populli shqiptar nuk e gëzonte të drejtën e ligjshme për të studiuar dhe shkruar në gjuhën shqipe. Si pasojë e këtyre pengesave të vendosura nga autoritetet e pushtuesve turq mungonte gjithashtu edhe alfabeti i standartizuar shqip.

Aleksander Xhuvani, i brumosur me kulturë të gjerë dhe atdhedashuri, filloi t’i kundërvihet në mënyrë të hapur politikës panheleniste e shoviniste greke ndaj popullit shqiptar. Aktivitetin dhe rrethanat në të cilat vepronte Xhuvani kur ishte student në Athinë, ai vetë më vonë do t’i përshkruante kështu: “Këtë punën e shqipes e kisha me të ndruajtur shumë, se po të mirrej vesh, do të më quanin arvanitis (kështu i quanin grekët ata shqiptarë që kishin ide pro shqiptare), do të më pritnin bursën e mund të më çregjistronin nga universiteti”.

Pasi situata konfliktuale e Xhuvanit me autoritetet greke u ashpërsua shumë, ai detyrohet të largohet nga Greqia. Në gusht të vitit 1906 u largua prej Athinës për në Napoli të Italisë, pasi kishte mësuar se në Napoli ishte krijuar një qendër për studimet shqiptare prej Luigj Gurakuqit e prej poetit arbresh Zef Sqiroit. Në Napoli u takua me Luigj Gurakuqin, Zef Sqiroin, Ismail Qemalin e të tjerë.

Në Napoli, Xhuvani u emërua profesor i gjuhës shqipe në Kolegjin e Shën Mitër Koronës në Kalabri. Xhuvani jetoi dhe punoi 3 vjet midis arbreshëve të Kalabrisë, të cilët e donin dhe e respektonin shumë. Sqiroi do të deklaronte më vonë se “Xhuvanit iu desh ta lëshonte Athinën për shkak të ndjenjave të tij patriotike”.

Me hapjen e Shkollës Normale të Elbasanit në vitin 1909, Aleksandër Xhuvani emërohet pedagog në këtë institucion të rëndësishëm arsimor për Shqipërinë e asaj periudhe, prandaj ai vendos të kthehet në vendlindje. Do të punojë për 20 vite në Normalen e Elbasanit si arsimtar i gjuhës shqipe dhe si drejtues.  Në këtë periudhë Xhuvani do të zhvillojë edhe aktivitete të tjera kulturore, si hapja e revistës “Tomorri” me Lef Nosin, krijimi i shoqërisë kulturore-letrare “Qarku letrar i Elbasanit” etj.

Në vitin 1920 u bë kryetar i Kongresit Arsimor të Lushnjes. Drejtoi organin e Elbasanit “Kopshti letrar”, botoi gjithashtu shumë studime mbi veprat e letërsisë së viteve ’30. Xhuvani botoi edhe artikullin e parë në revistën e njohur të asaj kohe “Albania”, të publicistit dhe rilindasit te shquar Faik Konica.

Midis viteve 1938-1940 ishte anëtar i komisionit teknik në Ministrinë e Arsimit. Vazhdoi punën si shef i Seksionit të Gjuhësisë dhe Letërsisë në Institutin e Shkencave deri në vitin 1953. Në vitin 1954, nën kujdesin e profesor Aleksandër Xhuvanit u realizua hartimi i “Fjalorit të Gjuhës Shqipe”. Punoi për stadartizimin e gjuhës letrare, të folur e të shkruar. Drejtoi gjithashtu hartimin e udhëzuesve të njëpasnjëshëm drejtshkrimorë midis viteve 1949-1956. Në vitin 1956 botoi posaçërisht librin “Për pastërtinë e gjuhës shqipe”.

Aleksandër Xhuvani qe ndër studiuesit e parë të fjalëformimit, të morfologjisë e të sintaksës. Në vitin 1956, në bashkëpunim me Eqrem Çabej hartuan dy trajtesat “Parashtesat” dhe “Prapashtesat” e gjuhës shqipe.  Xhuvani i dha një ndihmë të madhe leksikologjisë shqipe në shkrime e punime të ndryshme shkencore, si “Kritikë mbi fjalorë të shqipes” më 1934 dhe “Çështja e fjalorit të gjuhës shqipe” më 1957.

Vepra e tij më e rëndësishme u botua në vitin 1980 në një përmbledhje me 6 vëllime nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë. Sot Universiteti i Elbasanit mban emrin e tij. Ndëroi jetë më 22 nëntor 1961, në moshën 81 vjeçare. La pas një punë të jashtëzakonshme shkencore mbi gjuhën shqipe. Aleksandër Xhuvani është nderuar me titullin “Mësues i Popullit”.

1 Koment

1 Koment

  1. Besart

    23 Nëntor, 2021 at 1:14 pm

    Nderime per kete njeri me madh!

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Uji Tepelene Euro2024

Keshilla per blerjet tuaja

Më të lexuarat

Keshilla per blerjet tuaja

Shkrime të ngjashme

Aktualitet

55 vite histori e gjimnazit “11 Shkurti” Libohovë përfundon së shpejti, fatkeqësisht! Një urdhër i ZVA Gjirokastër i ndryshon statusin nga gjimnaz në shkollë...