fbpx
Lidhu me ne

Çkemi! Çfarë po kërkoni?

Kinematografi

Hive, filmi kosovar kandidat për fitimin e çmimit Oscar 2022

Filmi artistik nga Kosova i titulluar ‘Hive’, në shqip ‘Zgjoi’, me regji të Blerta Bashollit, është përzgjedhur si një ndër filmat pretendent për fitimin e çmimit prestigjioz Oscar 2022.

“Hive” është tashmë pjesë e listës me 15 filma ndërkombëtarë që do të garojnë për edicionin e 94-t të çmimeve Oscar.

Filmi ‘Hive’ është frymëzuar nga historia e vërtetë e Fahrije Hotit nga Krusha e Madhe, e cila është në kërkim të bashkëshortit të saj të zhdukur gjatë luftës së Kosovës. Si rezultat, ajo u detyrua të hapte një biznes bujqësor për të siguruar mbijetesën e familjes së saj.

Por ajo është e detyruar të përballet me mentalitetin tradicional patriarkal në vendlindjen e saj, ku ambicia dhe zhvillimi i grave nuk shihet pozitivisht.

Askush dhe asgjë nuk e ndaloi Fahrijen dhe misionin e saj. Dhe pikërisht kjo e intrigoi Bashollin që ta bazonte këtë film në historinë e jetës së saj.

“HIVE në listën e çmimeve Oscar. Gjithmonë mirënjohëse që kam takuar një grua të mrekullueshme si Fahrije Hoti, e cila më frymëzon dhe inkurajon sa herë që e shoh, edhe sot! Faleminderit që ndatë historinë tuaj me mua dhe botën! Faleminderit për ekipin e mrekullueshëm pas filmit Hive”, shkroi regjizorja Blerta Basholli në Twitter.

Rolin e Fahrijes e luan aktorja e mirënjohur kosovare, Yllka Gashi.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e quajti një sukses të jashtëzakonshëm pjesëmarrjen e filmit në Oscar.

“Hive”, filmi i Blerta Bashollit, i cili tregon historinë e heroinës Fahrije Hoti dhe grave të Krushës, nën interpretimin e shkëlqyer të Yllka Gashit dhe kastës fantastike të aktorëve tanë, është zyrtarisht në listën për çmimet prestigjioze Oscar, në kategorinë e filmave të huaj. Bravo! Me ju deri në majë”, ka shkruar Osmani në Facebook.

Aktorë të tjerë në film janë: Çun Lajçi, Kumrije Hoxha, Aurita Agushi, Kaona Sylejmani, Mal Noah Safçiu, Adriana Matoshi, Astri Kabashi, Molikë Maxhuni, Blerta Ismaili, Valire Haxhijaj Zeneli, Armend Smajli, Ilir Prapashtica, Xhejlane Terbun, Shkëlqim Islami etj.

Zgjoi është një bashkëprodhim filmik ndërmjet Kosovës, Zvicrës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, i mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës, Zyra Federale Zvicerane për Kulturë FOC dhe Cinéforom, Agjencia e Filmit e Maqedonisë së Veriut dhe Qendra Kombëtare për Kinematografinë e Shqipërisë.

Hive mund të bëhet filmi i dytë nga Kosova i nominuar ndonjëherë për Oscar. Në vitin 2016, filmi kosovaro-britanik Shok“, me aktorë kosovarë, me regji dhe skenar të britanikut Jamie Donoughue, u nominua për Oscar. Filmi përshkruan ndikimin që pati tek fëmijët lufta në Kosovë.

Kliko për të komentuar

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Uji Tepelene Euro2024

Keshilla per blerjet tuaja

Më të lexuarat

Keshilla per blerjet tuaja

Shkrime të ngjashme