fbpx
Lidhu me ne

Çkemi! Çfarë po kërkoni?

Histori

Fjalimi i Gjergj Kastriotit pas çlirimit të Krujës; sipas historianit Marin Barleti

Më 28 nëntor 1443, pas çlirimit të Krujës nga pushtuesit otoman, Gjergj Kastrioti mbajti fjalën e tij para popullit arbëror që e brohoriste për fitoren e arritur dhe për rikthimin e tij në fronin e Kastriotëve.

Marin Barleti do ta përjetësonte këtë moment historik në veprën e tij “Historia e Skënderbeut”. Barleti, i cili jetoi midis viteve 1450 – 1513, ishte bashkë-kohës i Gjegj Kastriotit dhe dëshmitar okular i ngjarjeve të asaj periudhe historike. Ai është cilësuar edhe si historiani i parë shqiptar.

Fjalimi i Gjergj Kastriotit pas çlirimit të Krujës më 28 nëntor 1443, sipas Marin Barletit:

“Ju epirotët, mund të gjenit një tjetër mbrojtës të lirisë, një tjetër përkryes të qëllimeve dhe të aspiratave tuaja, sepse, në këtë vend, s’kanë munguar mendjet e ndritura. Ju, si burra aq të fortë, të rritur në liri, që qëndruat kaq kohë nën mynxyrën barbare, nuk u mërzitët derisa të më shihnit.

Po përse doni që unë ta mbaj për vete me të padrejtë emrin e çlirimtarit? Lirinë nuk e solla unë, por e gjeta këtu, mes jush. Sapo më shkeli këmba truallin tuaj, sapo dëgjuat emrin tim, m’u derdhët me vrap të gjithë, më dolët përpara kush e kush më parë…

Ju më latë prapa, ju m’i lidhët menjëherë duart, ju më mbytët me shërbime aq të mëdha dhe me një gaz shpirtëror aq të madh, saqë duket se ju më keni bërë tani aq rob, sa edhe të lirë.

Mbretërinë dhe këtë qytet nuk jua dhashë unë, por ju gjeta të armatosur. Lirinë e pashë se e keni kudo; në kraharor, në ballë, në shpatat e në ushtat, dhe si kujdestarë të pashoq, të lënë nga ati im, e vutë përsëri në vend, me kujdes e besnikëri të pandryshuar, skeptrin, që ma ruajtët gjer në këtë ditë, dhe më bëtë përsëri, me mundin e punën tuaj të papërtuar, zotërues të mbretërisë së të parëve të mi, pa derdhur gjak…

Pjesën më të madhe të punës e kemi mbaruar. Kruja është fituar. krahina e gjithë është jona. Dibrat dhe pastaj popullsitë e tjera janë bashkuar me ne dhe emri i armiqve është zhdukur nga fusha.

Mbeten qytetet. Po të mendoj gjendjen e tyre të vështirë, duke parë se të gjitha janë të rrethuara nga ne, të zëna në befasi, se të rrethuarve u kanë mbetur vetëm muret e zhveshura, kam shpresa të mira. Po të marr parasysh vështirësitë që paraqitin këto vende dhe trupat që janë vendosur brenda nga tirani, duket se do të jetë nevoja të përdorim ndonjë zgjuarsi apo këmbëngulje shumë të madhe. Por këto do t’i gjykojmë më mirë, kur të ndodhemi në vend e të kemi përpara armikun e kur të mbajmë shpatën në këtë të djathtën tonë shkrumbuese, sesa për së largu e në tym.

Të nisemi pra, pa ngurrim dhe kudo të tregohemi me guxim prej fitimtarësh; fati do të na ndihmojë në përpjekjet tona, fati, që gjer më sot s’na është ndarë në çdo punë e na ka ecur për bukuri.

Megjithëkëtë, duhet t’ia nisim, para së gjithash, nga Petrela. Jo sepse kjo kështjellë mbetet prapa të tjerave për nga vështirësia e pozitës apo nga mbrojtja natyrore, por sepse është më afër këtij qyteti. Unë besoj se ne do t’a gjejmë atje emrin dhe frikën e fatit të Krujës më të madhe, sepse ata i panë me sy edhe trimëritë tuaja, edhe fatkeqësitë e veta.

Këto do të mund t’u kallin atyre një frikë ndoshta jo të vogël, e në mos ua kallshin tamam këtë, atëherë do të veprojë sigurisht këmbëngulja jonë.

Një gjë vetëm duhet të na ngulet mirë në kokë dhe të mos na dalë asnjërit nga mendja; në mos u pushtoftë ai qytet e në mos qofshim të aftë t’i plotësojmë dëshirat tona, atëherë s’kemi sepse të kthehemi prapë në shtëpi.

Na duhet të provojmë çdo mjet; mundin, durimin, shpatën, arin dhe argjendin, me qëllim që fitores sonë t’ia fillojmë që këndej…

Në qoftë se do të na jepet mundësia që ta shtiem qytetin në dorë pa derdhur gjak, duke na e dorëzuar vetë vendasit, atëherë do të na duhet që të gjithëve të veprojmë me urtësi të madhe si publikisht ashtu dhe privatisht, me qëllim që të nxitim kështu edhe të tjerët për dorëzim.”

2 Komente

1 Koment

  1. Petro

    17 Janar, 2022 at 9:01 pm

    Lavdi Gjergj Kastriotit! I vetmi prijës dhe mbret në zemrën e çdo shqiptari!!

  2. Fjodora

    18 Janar, 2022 at 4:16 pm

    I paharruar ne zemrat e cdo shqiptari!

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Uji Tepelene Euro2024

Keshilla per blerjet tuaja

Më të lexuarat

Keshilla per blerjet tuaja

Shkrime të ngjashme

Aktualitet

55 vite histori e gjimnazit “11 Shkurti” Libohovë përfundon së shpejti, fatkeqësisht! Një urdhër i ZVA Gjirokastër i ndryshon statusin nga gjimnaz në shkollë...