Aktualitet

Beteja mes Adil Xhelilit dhe Leonard Hides për Bashkinë Libohovë

Beteja për drejtimin e Bashkisë Libohovë sa vjen e intesifikohet me afrimin e 14 majit. E ndërsa kandidatët për kryetar bashkie, Adil Xhelili dhe Leonard Hide, shpalosin alternativat e tyre para qytetarëve, duket se kjo betejë po zhvillohet në dy plane të ndryshme:

Së pari, në planin politik;

Adil Xhelili vjen në këtë përballje me një eksperiencë të gjatë në shërbim të komunitetit ku ai po kandidon. I diplomuar në Universitetin e Gjirokastrës në degën Gjuhë Letërsi, Adil Xhelili ka shërbyer për një kohë të gjatë në arsim, si mësues e më pas si drejtor shkolle në shkollën “Avni Rustemi” në Libohovë.

Më pas ka ushtruar detyrën e Përgjegjësit të Programeve të Zhvillimit në Drejtorinë Arsimore Gjirokastër. Gjithashtu ka mbajtur pozicionin e nënkryetarit të bashkisë në Bashkinë Libohovë gjatë viteve 2014-2015.

Kjo kohë e gjatë në shërbim të komunitetit, për më tepër në një fushë si ajo e arsimit, e ka mbajtur Adil Xhelilin në kontakt të vazhdueshëm me qytetarët dhe me problematikat e tyre. Ky fakt i jep atij një avantazh në prezantimin e alternativës së tij para qytetarëve të bashkisë, pasi ajo vjen nga dikush që ka qenë vazhdimisht dhe është më pranë problemeve të tyre.

Në krahun tjetër, Leonard Hide vjen nga një fushë krejt tjeter. Një oficer policie në karrierë, Leonard Hide ka marrë formim në rradhët e Policisë së Shtetit. Ka ushtruar profesionin për një kohë të gjatë, në zona të ndyshme të Shqipërisë, kryesisht në Gjirokastër, në Dibër dhe së fundmi në Sarandë, në pikën kufitare të Qafë Botës.

Profesioni e ka mbajtur Leonard Hiden më larg komunitetit ku ai kandidon sot për kryetar bashkie. Për rrjedhojë, kjo largësi me njerëzit dhe problematikat e tyre të përditshme mund të jetë një minus në sytë e zgjedhësve.

Për më tepër, në diferencë nga Adil Xhelili, i cili u zgjodh si kandidat për kryetar bashkie nga vetë qytetarët përmes procesit të primareve, Leonard Hide vjen në këtë betejë si një bast personal i ministres dhe deputetes së zonës Mirela Kumbaro, e cila u bë “kumbarë” e tij në këtë betejë, duke e zgjedhur atë nga jashtë strukturave të Partisë Socialiste dhe duke mos marrë parasysh as propozimet e anëtarësisë së partisë dhe as mendimin e vetë qytetarëve.

Kjo zgjedhje, sëbashku me moseksperiencën e tij në politikë, e vendos Leonard Hiden nën hijen e ministres Mirela Kumbaro dhe e shfaq atë para qytetarëve si një vegël e saj.

Shpresa e Leonard Hides për arritjen e një rezultati pozitiv në 14 maj varet më së shumti te administrata. E politizuar dhe tërësisht njëpartiake, administrata lokale dhe qëndrore është vënë në funksion të zgjedhjeve të 14 majit.

Një pjesë edhe e detyruar apo e kërcënuar me vendin e punës, nëpërmjet taktikave të “patronazhimit”, administrata detyrohet të punojë për mbledhjen e votave në favor të tij dhe të partisë në pushtet. Fryrja edhe më tej e administratës pak kohë para zgjedhjeve shkon në favor të tij, duke u përpjekur në këtë mënyrë të devijojë vullnetin e zgjedhësve më 14 maj.

Beteja e dytë zhvillohet në planin personal;

Adil Xhelili dhe Leonard Hide vijnë nga e njëjta familje. Ata janë vëllezër të një gjaku. E ndërsa Adil Xhelili kishte muaj, në mos vite, që e kishte shpallur ambicien dhe kandidaturën e tij për të garuar për kreun e Bashkisë Libohovë, Leonard Hide vjen në këtë garë si një e papritur e çuditshme për shumëkënd.

Pranimi i futjes në garë kundër të afërmit të vet e vendos Leonard Hiden në një pozicion mjaft të vështirë para bashkëqytetarëve të tij. Për libohovitët dhe për mbarë shqiptarët familja është e shenjtë dhe lidhja e gjakut është e pashkelshme. Të dalësh në një betejë kundra djalit të hallës, vëllait tënd, me makinacione të krijuara nga tjetërkush dhe me synimin e mbajtjes së ofiqeve dhe benefiteve politike, në sytë e gjithëkujt do të thotë të kapërxesh një kufi që nuk duhej bërë.

Të pranosh të bëhesh vegël e politikave të zymta e të ulta, që nuk marrin parasysh dinjitetin dhe vlerat njerëzore, por vetëm intriga e llogari meskine, të gjitha këto kanë lënë një shije të hidhur te çdo qytetar, te çdo zgjedhës. Prandaj në këtë betejë, në betejë njerëzore, Leonard Hide del i humbur në sytë e bashkëqytetarëve të vet.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Shkrime të ngjashme

Aktualitet

55 vite histori e gjimnazit “11 Shkurti” Libohovë përfundon së shpejti, fatkeqësisht! Një urdhër i ZVA Gjirokastër i ndryshon statusin nga gjimnaz në shkollë...

Të gjitha të drejtat e rezervuara © 2023 Libohova Post

Exit mobile version