Fjala e mbajtur nga At Gjergj Fishta në varrimin e Avni Rustemit, në 1 Maj 1924, në Vlorë, mes mijëra e mijëra njerëzve që kishin ardhur nga të gjitha trojet shqiptare, mes intelektualëve e atdhetarëve që kishin punuar e luftuar për pavarësinë e Shqipërisë, mes qytetarëve e fshatarëve, të pasur e të varfër, të rinj, të vjetër, djem edhe vajza, përkrah varrit të themeluesit të Shtetit Shqiptar Ismail Qemalit, vend ku u varros Avni Rustemi, At Gjergj Fishta do të mbante një prej fjalimeve më të ndritura e më të ndjera në historinë e oratorisë shqiptare.
Shkrimtari Sterjo Spasse, në një shkrim të botuar në “Librin Përkujtimuer”, kushtuar At Gjergj Fishtës, botuar në vitin 1941, pas vdekjes së Poetit Kombëtar, nën përkujdesjen e At Benedikt Dema, ka vlerësuar zotësinë që ka pasur Fishta “të trondisi zemrën e të thithi me magjinë e fjalës”. Dhe jep si “shembëll të gjallë” fjalimin e Gjergj Fishtës: “Fjala mbi varrin e Avni Rustemit”, nga i cili, sipas tij, “Burojnë lotë e vrerë, ndërsa jeta e të vdekurit përjetësohet në dritë të idealit kombëtar.”
Fjalimi:
“E zeza mori Shqipni, se shum ké pa e randë ké psue rrymës s’asaj vistre të gjatë kavaljetesh, nëpër të cilët përshkue âsht fati yt i mjeruem!
Fort të bukur të fali Perëndija, por – ofshë un i mjeri! – se tepër pa mëshirë e turp shëmtuem të ká nieri. Zbathë, zdeshë e lakuriquem, pa bukë e shujtë dhe e shame prej gjithkuej, sa me t’ardhë mârre me u quejt me emën tand, dikur aq të lumnueshëm. Nuk e di a kalue ká ndo’i faqe nieri, që ti mos të jeshë anë gjak të ndo’i hasmit të mënîshem se në gjak të bivet tu, mizorisht çá e vrá ndermjet vedit.
Nëpër ty, po, shunglluen ajri ato pyllnaje heshtash të gjakbâsvet Gal, kah idht të shporojshin parzmet e bijve tu; Nëpër ty, po, u ndenë gardh ato shpata e shkallme të skryefortë, të cilat i pa dhimë pritshin krênat e bijve të tu; mbi ty, randoi pesha e pushtetsisë rromake që ty të ndrydhi fron e liri, e nepër ty u përshkue, mbasandej edhè ajo dhuna e përmnershme e Azisë, që të dërmoi të gjallët e jetës e as frymë nuk të la mâ me marrun, e ti u bane gazi eplla e dheut pa u gjetë kush kurr, që me të pajtue varrët, që me të ankue hallin tand të kobshëm.
E vertetë që tjera ndoshta kombe e fise e vende, e tjera mote e mndorje të historis s’tyne, kanë muejtë kshtu me psue si psue ké ti, e mjera moj Shqipni; po fis as komb, as vend nuk ká kund n’Europë, që, si ty, zemra gjak t’i két pikue!
Mos tjetër të bijt e atyne kombeve, fiseve, vendeve, edhè m’atëherë kur i ndrydhte nji kambë e hueja, kanë mûejtë me dashtë Atdhenë e vet, kan mûejtë me urue per té. Ndër sa për bijt tuej – fat zeza moj Shqipni – po ishte faj me të dashtun ty, që aq të bukur të fali Perëndija.
Jo, po, Zoja të ndritshme e Zotni vllazën shqiptarë, dashtnija ndaj Atdheut ktu në Shqipni po ishte nji faj, nji mkat, nji krim, nji delikt, nji xhinajet – e xhinajet i randë fort; edhè kjo kufomë e shkretë, e mjerueme që ktu po e kemi para sysh, na dishmon né si ndëshkohet faj i i Atdhedashnisë.
Atdhedashnija, po, kjè njajo, që ia hangri kryet ktij djalit të mjer të martirizuem. I pat dalë, të ngratit, zani, se ky po e donte Shqipninë, edhè e donte me gjith mend e me gjith zemër e me gjith fuqî të shpirtit të vet, se për Shqipni jo gjaja, pse ksaj kurr s’i ka pasë lakmue, por s’i dhimbej jeta, të cilës s’i lakmonte për tjetër, veç për me i shërbye Shqipnis e me i u ba flî Atdheut.
E pse kjo Atdhedashnî, e gjallë e të tanë zjarm, si furra zharitëse e nji diellit të djegagurit, kaq fort zu me i ndritë në báll, në ftyrë, e me i u kallë ndër sy, sa për rreth tij, si hyj ma të vogjel për qark të nji diellit të shkëlqyeshëm, nisi me u mbledhë tok mosha shqiptare – shpresa e bardhë e Atdheut, e vuni besë – nji besë shqiptare, se do të jetote, do të punote, do të vdiste për jetë e lulzim t’Atdheut.
I vu ndokush shêj ksaj pune edhë nji të djelë mbas dite, ditën për diell, s’dij se për çfarë vorrit të mallkuem të Tiranës, po del nji kukuth, lugat i tmerrshëm, i cili me armë të s’di se kuj, e vret dhe e len shakull mbi dhè.
Edhè kshtu sod, që lulet janë tue shpërthye mbi dhé, ky në ma të mirën lule të djemnîs së vet, lule po hin me u kalbë nën dhé.
Pse? Pse pat dashtë Shqipninë!
Kërcuna mori nana e vet, që ktij petriti të Libohovës, dhanë i paska nji zemër bujare, fisnike. Pse? Po zemra satrapit të tiranit ajo t’ia kishte dhanun, sod s’do ta kishte martue me tokë të zezë, por me ndo’i zojë vashe shqiptare…
I ziu more pedagogu i tij, që mbrenda ledhève të shkollës diku i paska të gjith atë njomsi ndjesie ndaj virtytit, burrnis, besës, njerzis. Pse? Po ta kishte msue aty se me kalem e letër mund të shkelen popujt e mund të pihet gjaku i tyne, sod vorfnue s’do ta kishte Libohovën nji qytetas i ndershëm, Vlonën me nji birë në shpirt, Kosovën me nji mik, mbarë djemninë shqiptare me kampionin e vet aq të dashtun e të drashtun!
Flaka, po, i përpiftë njato kangë e letra, të cilat, tue fry nëpër flî t’ ambël të kësaj gjuhe hyjnore tonën, e ndezkan zhari zemrën e tij ndaj Atdheut, edhè kshtu para kohe e çuekan në vorr.
Oh! Po të mos ta kishte dashtë ky djalë Shqipnin, sod nuk do të kishin shkrehë burrat e dheut prej shkambit të Pejës e deri në kulm të Kepit të Stiloz, për me derdhë lot mbi varrë të tij të pashërueshme; por kuk te carani i votrës së vet do të kishin kja varret – edhè kto të pashërueshme – të kombit shqiptar, që me të mdhej hapa po avitet kah prendimi i vet.
Jo, po ky djalë, po të kishte vu dorë e vjedhë ndër pasuni të Shtetit, po të kishte rrëmbye tokët e hueja, po të kishte shnjerzue gjinden e huej e për qëllime të poshtërme politike të kishte djegë ndo’i malsî e rrenue ndo’i fshat, na sod ktu s’do ta kishim m’e pa, lamë me gjak, shtri mbi rrasë të vorrit, por gjetë do ta kishim me e pa tue u tallë fron më fron, sandalle më sandalle, kolltuk më kolltuk nëpër oda të shtrueme, e vesh më vesh me simahorë të ndo’i klikës së mshehtë, të ndytë, tue përpilue vistret e emnavet të njatyne atdhetarvet që do t’ u bajshin flî ambicjonit të poshtërm të tyne.
Por Avni Rustemi kjè burrë, kjè trim, kjè besnik, kjè zemër bujar e Shqipninë e desht me gjith fuqinë e shpirtit të vet, prandej’ u la në gjak, prandej vdiq, shkoj, mbaroj.
Mbaroj thashë? Më paska pasë rrshitë goja pahiri; pse Avni Rustemi s’ ka mbarue. Edhè aj jeton ndër né, edhè ka për të jetue dèri sa në ndo’i skaj sado të vogël të Shqipnis ku të ndihet tue kumbue e ambla gjuha jonë shqiptare. Burri i mirë s’des kurr.
Fjalë drejta hyjneshë e historis, kjo, në nji fletë të historis shqiptare emnin e tij ka për ta shkrue me shkrola arit, shkrola të pa shlyeshme. Ka me dalë ndo’i poet i kombit, i cili atë emën ka per ta këndue mbi lirë të vet të hyjnueshme; e atë emën atëherë mësuesit ndër shkolla kan për t’ia u përmendë nxansavet të censhëm; kapun në valle djemtë e vashat shqiptare nëpër brohori kan për ta kndue at emën; kan për ta kndue barijt e blegtorët nepër hije e mrrize të paqta të fushavet e të malevet tona; e mali e fusha e bregu e zalli kan me jehue nga ky emën; e kshtû emni i Avni Rustemit, si ideali i tij, ka me mbetë i padekshëm në Shqipni.
Âsht rrêjt, pra, tradhtari që thau të rijtë e tij, për në pastë mendue, me nji plumb pushke të pagueme Avniu do të mbarote. Avniu s’mbaron jo!
Njajo flakë atdhedashtnije, e cila, si zjarmi kullon arin, mbrrîjti me e shlye njollën e fajnîs n’atë vepër, që m’herë të parë, në sy të gjyqtarit frang do t’u dukte delikt i randë, ajo po, ká per ta ruejtë emnin e tij të padekshëm ndër sa breznî, që rend mbas rendi do të vinë me gzue Shqipnin e lirë.
E ky panagjyrë i madhnueshëm dishmon kjartas se un jam tue folë të vërtetën. E njimend: o po kúr, pra, ditës së dekës të Gjergj Skanderbegut u pa nji vërçallë ma i madhnueshëm, nji funeral ma i lulzueshëm se ky i Avni Rustemit, – e të cilin, pa ndërlikim besimit, fisit a bajrakut, muer pjesë Shqipnia mbarë?
Ktú ké shkëlqesa të Këshillit të Naltë edhè dhespoten fort ndershëm; ké – aballarë, hoxhallarë, priften, fretën e misa Kuvendit Kushtetues; bajraktarë e beglerë, qytetas e fshatarë, pasanikë e të vorfën, pleq e të rij, burra e gra, djelm e varza që kan ra e ardhë ktu në Vlonë per të kjasue loden e vet mbi’ vorr të tij. Kta, po, rrëfejnë se emni i Avni Rustemit e ideali i tij do të rrojnë të padekshëm në Shqipni të lirë.
Stolis, pra, me rreze të nji emni të padekshëm e pajis me perdhimtime t’ambla të mbarë kombit shqiptar; mos u tut, Avni, tue u djerrë në vetmi të vorrit të errshëm, e kshtu me u dá prej nesh përgjithmonë. E vështirë, ndoshta, të vjen puna, që me u shkepë prej gjivet të prindvet tuej, por, që, Shqipnija ka hapë gjitë e vet e të lypë për vedi.
Nuk ké çka ban, do të hish në gjî të saj; pse ti, sod e mbrapa, nuk jé i kurrkujt tjetër veç se i Shqipnîs. Edhè Shqipnija në gjî të vet ka me i strukë kocat tuej, që mos t’i lëndojë furia e thellimit a ndo’i fuqî tjetër kundërshtare, e ti në atë gjî ké me pushue si dikur, foshnje, pushove në gjîtë nanës sate zemër rrënueme.
Jo, po, edhè Shqipnija âsht nana, e si nanë ka me ta mbajtë kujdesin, që mos ta trazojë kush gjumin e dekës në gjî të saj.
O ju male të Shqipnisë, lamtumirë po ju thotë Avni Rustemi, e nji amanet âsht tue ju lanë: që edhè sod e mbrapa t’ i rritni djelmë sokola, si dikur motit, me besë e me burrnî.
O ju fusha të Shqipnis, lamtumirë po ju thotë Avni Rustemi e nji amanet âsht tue ju lanë: që mos të jeni dorështrêjt ndaj kombit shqiptar, por t’i jepni bukë e shujtë e mos ta qitni ma Shqipnin me shkop e me strajcë me lypë buk dyerve të kombevet të hueja.
Ju falet nderës dhe per lulet e bukura që keni dërgue për ditën e vorrimit të tij.
O ju njerzë të Shtetit Shqiptar e misa të Kuvendit Kushtetues, lamtumirë po u thotë Avni Rustemi, e nji amanet âsht tue ju lanë: që po kjé se âsht kush ndër ju, që ndër dikasteret e nalt të shtetit ose në log të Kuvendit Kushtetues s’ka para sysh veç se punën e tagjîsë, ta mbushë strajcën pikë e për majë me gjak të shtetit, edhè të shmanget në punë të vet, e mos të rrijë ma me luejt harushë mbî shpinë të nji popullit të ngratë, që as frymë nuk po mund të marrë prej lotëvet të gjakut.
O e bardhë shpresë e kombit – djelmëni shqiptare, – lamtumirë po të thotë Avni Rustemi, e amanet âsht tue të lanë:
Armët e mbushme mos me i dhanë,
Shoq me shoq kurr mos me u xanë,
Mos me u xanë as mos me u ngaë,
Kurr ujët turbull mos me i raë,
Fjalët për pajë kurr mos me i ndalë,
Zemrës së frytë me i lanun dalë.
O zemërplasun prindët e tij, Avniu juej, që po ndahet përgjithmonë prej jush, edhè po ju lypë hallallin, për çka, me fjalë a punë, ka muejtë me ju pezmatue zemrën. Edhè ky ka kenë çilimi, ka kjenë i ri, e prandej ka mûejtë me gabue. E ty babë i mjerë, amanet âsht tue ta lanë, që kur të bajë motra me kja – qyqja motër për kaq vlla! – ta pajtojsh me fjalë t’ambla e të buta e mos ta lash, qyqen e natës, me i plasë zêmra prej dhimbjes për Avniun e vet.
Lirë e bekue po ju thotë të gjithve ju, që keni ba faqen e bardhë e ardhë m’e përcjellë deri në ket vend pushimit të tij të mbramë. E ju, Zoja të ndritshme, po ju truhet për çka keni ma për zemër, që t’ia shmangni mamën prej vorrit e mos të shofë gazep me sy.
Hajde, Avni, pra, tash me u da përgjithmonë.
E sa për punë të Shqipnis mos ban merak: Un, që ti e din se nuk gënjej, po ta jap fjalën ktu mbi grykë të vorrit tand se ideali yt kombtar do të triumfojë e Shqipnija ka me përparue e lirë e lulzueme; pse në nji anë deka ka me herrë, ka me korrë, ka me shkmesë ket frrotë idiotash, egoistash, fanatikësh e farizejsh, nëpër kthetrat e të cilvet sod fati i atdheut âsht tue u përshku; në tjetrën anë Perëndija i amshueshëm ka me shndritë mendjen e ka me ndikue aq fort fuqî në zemër të moshës së re, që kjo, me punë, me ndigjesë ndaj ligjët e me nji atdhedashtnî të vertetë, ta mbajë Shqipnînë, ta bâjë me përparue e me lulëzue krahas me kombe të tjera të qytetnueme.
Ka me pasë Shqipni! Do të bahet Shqipnija!”
(Rev. “Afrimi”, vjeti II, maj 1924.Vlorë)
Át Gjergj Fishta: “PROZA” vëllimi i dytë, 1923-1940, Botime Françeskane.
Artan
4 Dhjetor, 2022 at 3:55 pm
Jeton Avni djali ne zemrat e shqiptareve… nuk e zbehin dot larot e zagaret!
Fjodora
4 Dhjetor, 2022 at 4:08 pm
Kryeveper! Ta marrin ta lexojne keta pseudopolitikanet t sotem!
Petro
4 Dhjetor, 2022 at 6:11 pm
I ndrite shpirti te dy ketyre atedhetareve te medhenj. I mbulofte turpi ata qe tradhetojne Atdheun dhe idealin e ketyre burrave!