Gjergj Fishta është cilësuar si një nga personazhet e botës shqiptare më me influencë në gjysmën e parë të shek. XX. Jeta dhe vepra e tij janë dëshmi e kësaj. Përpjekjet e tij të pashtershme për kauzën shqiptare janë një gur themeli i Rilindjes Kombetare.
Ky tetor përkon edhe me 150 vjetorin e lindjes së këtij kolosi të kombit shqiptar. Gjergj Fishta lindi më 23 tetor 1871 në Fishtë të Zadrimës. I biri i Ndokë Simon Ndocit dhe Prendës, më i vogli i tre vëllezërve dhe një motre, u pagëzua me emrin Zef. Në një prej shkrimeve të tij ai do të citonte: “Unë jam Gjergj Fishta, djali i vogël i Ndokës, të cilin nana e ka ba ma të menduem – thua se s’kishte dalë prej barkut të Prendës së Lazër Kaçit, por, si çmos kush, prej trunit të saj”.
Që në vogëli Gjergji spikati për inteligjencën e tij, prandaj famulltari i Troshanit i kërkoi prindërve që ai të bëhej prift. Me shpenzimet e famullisë Gjergji ndoqi studimet në Shkollën Françeskane në Shkodër deri në vitin 1880. Në vitet 1886-1893 vazhdoi studimet në Urdhrin Françeskan në Bosnje. Pasi mbaroi studimet me lavde, Gjergj Fishta do të kthehej në vendlindje, ku në vitin 1894 u bë meshtar në kishën e Troshanit.
Veprimtaria e Gjergj Fishtës është multidimensionale. Perveç se at françeskan e meshtar, ai ishte shkrimtar, përkthyes e publicist. Në vitin 1937 Gjegj Fishta do të publikonte kryeveprën me poema epike “Lahuta e Malcis”. Ka përkthyer vepra te Molierit, Manzonit, Homerit etj. Ka botuar gjithashtu shkrime publicistike në revistat e kohës dhe ka drejtuar revistat “Hylli i Dritës” dhe “Posta e Shqypnies”.
Gjergj Fishta, si një prej veprimtarëve më të shquar të Rilindjes Kombëtare, ka punuar fort që gjuha shqipe të shkruhej e të mësohej në shkollat e trojeve shqiptare, gjë kjo e ndaluar gjatë periudhës së pushtimit otoman. Në nëntor të vitit 1908 Fishta u zgjodh kryetar i Kongresit të Manastirit, konferenca akademike e mbajtur mes dijetarëve dhe patriotëve të mëdhenj të të gjitha trevave shqiptare, ku u formësua dhe u standartizua Alfabeti Shqiptar. Në vitin 1919 Fishta përfaqesoi Shqipërinë në Konferencën e Paqes në Paris, ku do të vendoseshin edhe fatet e adheut prej fuqive të medha.
Gjergj Fishta vdiq me 30 dhjetor 1940 në Shkodër. Vepra e tij ndriçoi e vazhdon te driçojë edhe sot mendjet dhe zemrat e çdo shqiptari. Iluminizmi përkufizohet si “çdo lloj forme mendimi që përpiqet të ndriçojë mendjet e njerëzve, të errësuara nga injoranca dhe bestitnytë, duke përdorur llogjikën, kritikën dhe shkencën”. Prandaj vetë Gjergj Fishta mund të përkufizohet si një prej iluministëve më të mëdhenj shqiptarë.
Ndoshta mund të ketë qenë kjo arsyeja përse regjimi diktatorial i instaluar në Shqipëri pas vitit 1945 e ndaloi veprën e Gjergj Fishtës. As veprat e tij letrare nuk mund të lexoheshin ne Shqipëri. Por kulmi i urrejtjes ndaj kësaj figure monumentale të botës shqiptare u arrit në vitin 1967, gjatë të ashtuquajturit Revolucion Kulturor, kur eshtrat e At Gjergj Fishtës u zhvarosën nga vendi ku prehej në kishën e Shën Françeskut në Shkodër dhe u zhdukën në mënyrë të mistershme, ndoshta hedhur në lumin Drin, si do të dëshmojnë banorë të zonës kohë më vonë.