fbpx
Connect with us

Hi, what are you looking for?

Komedi

Koço Devole, 1 vit pa gjeniun e komedisë dhe humorit

Koço Devole ishte një nga personalitet më të njohura të humorit shqiptar. Përveçse aktor i shkëlqyer humori, Devole ishte karikaturist, skenarist, regjisor dhe prezantues spektaklesh. Rolet e tij në skenë dhe ekran janë nga më të njohurit për publikun shqiptar. Mund të përmendim këtu komeditë “Për një ditë i çmendur” e vitit 1985, “Çanta e zezë” e vitit 1986, “Gjuetia e fundit” e vitit 1992, “Valixhja me 1 milion” viti 1993, “Oreksi i madh” viti 1994, “Të gjallë apo të vdekur” – komedi e vitit 1996, “Revolja e heroit” dhe “Pushime në Romë” të po të njëjtit vit, “Mos shko o trim” viti 1997, “Karafili dhe Kleopatra” viti 2001, “Milioneri” viti 2005, etj.

Koço Devole ka luajtur gjithashtu role të shumtë në skeçe dhe pjesë humoristike të ndryshme gjatë periudhës që ai ishte pjesë e trupës së Estradës së Tiranës.

Lindi në Sinjë të Kuçovës më 28 nëntor 1945. Vetëm një vit më vonë familja Devole u zhvendos në Tiranë. Në kryeqytet Koço kreu të gjitha etapat e arsimit të tij. Studjoi dy vjet për inxhinieri mekanike në Universitetin e Tiranës, por në vitin e dytë të shkollës së lartë konkurroi për dramaturgji në Akademinë e Arteve, ku nuk fitoi, pasi u cilësua si i patalentuar.

Në nëntor të vitit 1966 u thirr për shërbimin e detyrueshëm ushtarak. Ky ishte edhe momenti kur fillon karriera artistike e Koço Devoles. Punoi si aktor dhe regjisor në Estradën e Shtëpisë Qëndrore të Ushtrisë, përkrah aktorëve të njohur si Aleko Prodani, Roland Trebicka, Zef Deda, Sejfulla Myftari. Më pas punoi edhe në revistën “Hosteni” si karikaturist, përkrah karikaturistëve Zef Bumçi, Bardhyl Fico, Enriko Veizi, Bujar Kapexhiu, Shtjefën Palushi etj, gjithashtu edhe me shkrimet humoristike, ku përkrah pati disa nga emrat më të spikatur të humorit shqiptar, si Spiro Çomora, Dionis Bubani, Niko Nikolla, Filip Çakuli, etj.

Gjatë viteve 1970-1977 Devole është dërguar disa herë në punë të detyruar për “gabime ideologjike në artin e skenës”. Por falë talentit të tij te madh, në vitin 1978 Devole nis punën në Televizionin Shqiptar si redaktor, skenarist dhe regjisor i programeve artistike.

Koço Devole është autor dhe regjisor i shumë spektakleve skenike me trupën e Estradës së Tiranës, Fierit, Beratit etj. Pas vitit 1991, me ndërrimin e sistemit politik në Shqipëri, Koço arrin të dalë nga skemat e përcaktura të sistemit totalitar dhe krijimtaria e tij bëhet më e larmishme, më aktuale dhe më thumbuese. Popullariteti i tij rritet në menyrë të vazhdueshme, duke u bërë një prej figurave më të dashura të publikut shqiptar. Në vitin 1997, së bashku me Agron Llakën, në programin e përjavshëm “Telebingo Shqiptare”, humori i tij pati një shkëlqim të vërtetë.

Vitet e fundit të jetës Koço Devole argetonte publikun e tij të gjerë, që aq shumë e deshi, në emisionin “Fiks fare”, ku krijimtaria dhe interpretimi i tij spikati në rubrikat “Wikifiks”, “Koço në parlamentin europian”, “Koço Kiçi në euronews”, ” Koço Kiçi Show” dhe “Monitorime”.

U nda nga jeta 1 vit më parë, më 8 nëntor 2020, pas një beteje të gjatë me leuçeminë dhe komplikacionet e COVID-19. Koço Devole la pas një boshllëk të madh në skenën shqiptare, por edhe një krijimtari të gjerë, me komedi dhe skeçe brilante, të cilat publiku i sheh e risheh me kenaqësi, sikur ti shihte për herë të parë.

Click to comment

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Uji Tepelene Euro2024

Advertisement

Më të lexuarat

Advertisement

Shkrime të ngjashme

Aktualitet

55 vite histori e gjimnazit “11 Shkurti” Libohovë përfundon së shpejti, fatkeqësisht! Një urdhër i ZVA Gjirokastër i ndryshon statusin nga gjimnaz në shkollë...