Aktualitet

Libohovë: Klasa e parë me 5 nxënës ndërsa shkolla e mesme drejt mbylljes

Vitin që vjen, në të vetmen shkollë 9-vjeçare të Libohovës, shkolla “Avni Rustemi”, në klasë të parë pritet të regjistrohen më pak se 5 nxënës. Një fakt tragjik për Libohovën dhe për banorët e saj.

Arsyet për këtë janë të shumta, por kryesisht lidhen me mungesën e prespektivës dhe me braktisjen e zonës.

Sot në Libohovë të rinjtë janë të paktë, krahasimisht me një apo dy dekada më parë. Në vitet 2000 në shkollën “Avni Rustemi” në Libohovë numëroheshin më shumë se 300 nxënës, me klasa paralele dhe me të paktën 20-30 fëmijë çdo klasë. Ndërsa në shkollën e mesme “11 Shkurti” studionin të paktën 120 nxënës.

Sot në të dyja shkollat e qytetit numri i nxënësve është përgjymuar. Janë më pak se 200 nxënës në shkollën 9-vjeçare “Avni Rustemi” dhe më pak se 50 nxënës në shkollën e mesme “11 Shkurti”. Kjo vjen si pasojë e emigrimit në masë e të rinjve dhe të familjeve të reja nga Libohova. Asnjë i ri nuk dëshiron të qëndrojë sot në këtë qytet.

Por pse kemi ardhur në këtë situatë?
Së pari, sepse në Libohovë nuk ka punë, dhe rrjedhimisht nuk ka mundësi për të mbajtur apo për të krijuar familje. Kjo gjendje ka ardhur duke u shtuar gjithmonë e më shumë, vit pas viti, në 10-vjeçarin e fundit.

Në vitet 2000, një i ri nga Libohova e kishte shumë të thjeshtë të punësohej në ndërtim, një sektor që ishte në zhvillim dhe që siguronte të ardhura të mira. Për një ditë punë, një punëtor ndërtimi paguhej 25 mijë lekë të vjetra, gje që sugjeron se të ardhurat mesatare e një të riu që punësohej në ndërtim ishin rreth 700-800 mijë lekë të vjetra në muaj. Këto të ardhura, sëbashku me çmimet shumë më të lira të mallrave, produkteve e shërbimeve në atë kohë, i lejonin një të riu libohovit të siguronte një jetesë dinjitoze për vete dhe për familjen e tij.

Sot, në Libohovë, të punësuarit në ndërtim janë të paktë, ndoshta vetëm 20% e atyre që punonin 1-2 dekada më parë. Edhe këta punojnë me shkëputje, mesatarisht 1-2 javë në muaj, sepse sot në gjithë rajonin e Gjirokastres ndërtohet shumë pak. Kjo rrudhje e ndërtimit ka ardhur gradualisht duke u përkeqësuar, që prej krizës në Greqi e deri te ndalimi i ndërtimit prej qeverisë Rama në vitet 2014-2015. Ndalim i cili nuk e lejon fshatarin të ndërtojë një mur kopshti në majë të malit, apo të rregullojë çatinë e shtëpisë së tij, por ama i lejon oligarkut të ndërtojë kulla në mes të Tiranës.

Si rrjedhojë, sot një i ri në Libohovë nuk siguron dot të ardhurat minimale që i duhen për të jetuar dhe për të mbajtur familjen. Kjo ka sjellë largimin gradual e të rinjve nga Libohova në 10-vjeçarin e fundit, duke ardhur sot deri në pikën ku në klasë të parë nuk bëhen dot as 5 fëmijë. Për një qytet me të paktën 2000 banorë ky është në fakt tragjik dhe alarmant njëkohësisht.

Ato pak familje të reja që kanë ngelur në Libohovë, me të drejtë janë të shqetësuara për të ardhmen e fëmijëve të tyre, dhe nëse situata vazhdon e njëjtë, me shumë gjasa edhe ato të detyruara nga kjo situatë do të largohen, për ti ofruar fëmijëve shkollim dhe prespektivë. Ndërsa moshat më të vjetra po shohin se si fëmijët dhe niprit po i largohen një nga një dhe po ngelen vetëm në një qytet që ka marrë rrugën e braktisjes dhe të rrënimit.

Në shkollat e fshatrave të Libohovës gjendja është edhe më e rëndë. Të rinjtë janë larguar në masë dhe shkollat janë mbyllur. Mungesës së punës dhe të prespektivës, në këto zona i shtohet edhe mungesa e rrugëve, infrastrukturës dhe mungesa e shërbimeve. Kjo i ka larguar të rinjtë dhe i ka lënë fshatrat vetëm me moshë të tretë.

Shkolla 9-vjeçare e fshatit Nepravishtë është e vetmja akoma e hapur, por edhe ajo vuan të njëjtat probleme të uljes së numrit të nxënësve dhe mbylljes së klasave.

Ndërkohë, shkolla e mesme e Libohovës, e vetmja shkollë e mesme në bashki, ka vite që rrezikon të mbyllet përfundimisht, si pasojë e numrit të pakët të nxënësve. Midis qytetarëve të Libohovës flitet se nga Drejtoria Arsimore Gjirokaster i është komunikuar në mënyre jo zyrtare disa mësuesve se kjo shkollë u mbajt hapur edhe këtë vit për të mos shkaktuar pakënaqësi mes qytetarëve të Libohovës, duke qenë se këtë vit mbahen zgjedhjet lokale. Vitin tjetër mendohet se kjo shkollë mund të mbyllet përfundimisht.

Kjo do ta kthente Libohovën në të vetmen bashki në rang republike pa një shkollë të mesme. Një fakt tragjik që do të shkundte nga vendi çdo institucion lokal e çdo kryetar bashkie. Por jo Bashkinë e Libohovës.

Deri më sot nuk është marrë asnjë masë nga ky institucion për ndalimin e kësaj “hemoragjie”. Nuk është bërë asgjë për të adresuar papunësinë e madhe që ka mbërthyer qytetarët. Nuk është bërë diçka për ti ofruar mundësi e prespektivë të rinjve. Nuk është bërë as minimalja e minimales: ti ofrojë transport nxënësve të fshatrave që të kenë mundësi të ndjekin shkollën në Libohovë. Edhe pas kërkesave të shumta të qytetatëve drejtuar bashkisë, me një peticion që e kanë firmosur deri më sot më shumë se 1100 qytetarë, bashkia nuk është përgjigjur, e as ka vepruar.

Si pasojë, ata nxënës të fshatit Nepravishtë që do të ndiqnin shkollën e mesme në Libohovë janë larguar drejt shkollave të tjera dhe shkolla e mesme e Libohovës po shkon drejt mbylljes si pasojë e mungesës së nxënësve.

Një fakt tragjik ky, që e sheh një qytet si Libohova, me kulturë të hershme arsimdashëse, ta shohë veten pa shkolla.
Një qytet që ishte ndër të parët në Shqipëri që hapi shkollën e parë shqipe më shumë se 1 shekull më parë, sot ta shohë veten me 5 nxënës në klasë të parë.
Një qytet që renditej i pari në gjithë Shqipërinë para viteve 1945 për numrin e njerëzve të arsimuar, sot ta shohë veten pa një shkollë të mesme.

Kjo do të thotë që edhe ato pak familje të reja, dhe ata pak të rinj që kanë ngelur në Libohovë, të largohen përfundimisht.

Qyqja ka filluar të këndojë mbi çatitë tona. Fundi është afër. Vetëm burra e gra të vërtetë e atdhetarë mund ta shpëtojnë këtë vend. Burra si Avni Rustemi e si Mufid bej Libohova, e gra si Sabiha Kasimati, që i dhimset vendi, i dhimsen njerëzit dhe e ardhmja.

Gjithë ata burra e gra të shquar që ka nxjerrë ky qytet, të cilët gjatë historisë kanë marrë fatet e Shqipërisë në dorë, duhet të jenë frymëzim për të gjithë ne. Libohova nuk mund të zhduket, e as të harrohet.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Shkrime të ngjashme

Aktualitet

55 vite histori e gjimnazit “11 Shkurti” Libohovë përfundon së shpejti, fatkeqësisht! Një urdhër i ZVA Gjirokastër i ndryshon statusin nga gjimnaz në shkollë...

Të gjitha të drejtat e rezervuara © 2023 Libohova Post

Exit mobile version