Shifrat/ Ja cilat janë makinat e preferuara të shqiptarëve; Tirana ka 1/3 e gjithë automjeteve
Publikuar:
Shqiptarët kanë një pëlqim të veçantë për makinat gjermane dhe sidomos ato të markës Mercedes-Benz, ky është një fakt botërisht i ditur. Mjafton të vëresh për pak minuta rrugët e Shqipërisë dhe mjetet që qarkullojnë mbi to për tu bindur. Por sa është numri i këtyre mjeteve?
Nga të dhënat publikuara së fundmi nga INSTAT rezulton se çereku i të gjitha mjeteve të regjistruara në Republikën e Shqipërisë janë nën markën e prodhuesit gjerman Mercedes-Benz dhe të Grupit Daimler, në të cilën Mercedes-Benz bën pjesë. Në vend të dytë renditet prodhuesi tjetër gjerman Volkswagen.
Në vitin 2020, numri gjithsej i mjeteve rrugore me status “aktiv” dhe “të çregjistruar përkohësisht” rezulton 676.811 mjete, nga 628.937 mjete të regjistruara deri në vitin 2019. Përqindjen më të madhe ndaj numrit gjithsej të mjeteve rrugore e zënë “Autoveturat”, me 79,7 % të totalit.
Numri më i lartë i mjeteve rrugore është regjistruar në qarkun e Tiranës për vitin 2020, me gati 250.000 mjete, duke zënë 36,8% ndaj mjeteve rrugore gjithsej të regjistruara në vend. I dyti vjen qarku i Durrsit me 88.360 mjete, i cili rezulton të ketë të regjistruar edhe numrin më te lartë te mjeteve në raport me popullsinë. Qarku me numrin më të vogël të mjeteve rrugore është Kukësi, me 2,1% ndaj mjeteve rrugore gjithsej.
Mjetet që qarkullojnë në Shqipëri janë ne pjesën dërmuese te tyre më te vjetra se 10 vjet. Ndërsa një pjesë e konsiderueshme janë më te vjetra se 20 vjet. Autoveturat me moshë 11-20 vite përbëjnë 57,7% të numrit gjithsej të autoveturave me status “aktiv” ose “të çrregjistruara përkohësisht”. Vetëm 5-6% e mjeteve janë me moshë më të vogël se 10 vjet.
Numri më i madh i autoveturave që qarkullojnë në vendin tonë deri në vitin 2020, përdorin lëndë djegëse “Naftë” duke zënë 73,5 %, ndjekur nga autoveturat që përdorin lëndë djegëse “Benzinë” me 18,2 % ndaj numrit gjithsej të autoveturave. Numri i autoveturave që përdorin lëndë djegëse “Naftë” në vitin 2020, është rritur me 8,3 % në krahasim me vitin 2019, ndërsa numri i autoveturave që përdorin lëndë djegëse “Benzinë” është rritur me 1,4 %.
Autoveturat me kambio “Manuale” zënë pjesën më të madhe (64,9 %) të autoveturave gjithsej që rezultojnë me status “aktiv” ose “të çrregjistruara përkohësisht” deri në vitin 2020.
55 vite histori e gjimnazit “11 Shkurti” Libohovë përfundon së shpejti, fatkeqësisht! Një urdhër i ZVA Gjirokastër i ndryshon statusin nga gjimnaz në shkollë...