Letersi

Malli i Atdheut – Faik Konica

Kur vete njeriu, i lirë e i vetëm, larg atdheut – viset e reja, ndryshimi i zakoneve, ëmbëlsia e udhëtimit e një mijë gjëra që vihen re ndër popuj të huaj, të gjitha këto ta përgëzojnë zemrën e të bëjnë jo të harrosh Shqipërinë, po të mos të vejë tek ajo aq dendur mendja.

Më tutje, si ngopen sytë së pari ndryshime, gazi shuhet pak nga pak. S’di ç’të mungon, s’di se ç’të duhet. Një hije trishtimi ta mbulon fytyrën; e, pikë së pari herë-herë, mbastaj më dendur, e më në fund shpesh e pothuaj kurdo e kudo, kujtimi i prindërve, i miqve e shokëve, kujtimi i dheut ku u lindëm e u rritem, ku qajtëm foshnja e ku lozëm djelm, kujtimi i atyre maleve larg të cilëve nuk rron dot mirë një shqiptar, kujtimi i kombit, që, me gjithë ca të liga që ka, është kombi ynë, e më tepër kujtimi e dëshira e etja e gjuhës sonë, ta shtrëngojnë e ta dërrmojnë me të vërtetë zemrën.

Ah, malli i Shqipërisë, malli i atdheut të dashur, i shenjtë mall e dashuri e shenjtë, kush është ai shqiptar që s’e ka pasur në dhe të huaj!

Duhet të jesh jashtë Shqiperisë, e të jesh larg, për të kuptuar se ç’forcë e ç’bukuri të ëmbël ka për veshët kjo fjalë: Shqipëri!

Ajo më e zbrazura letër, ajo fjala më e vogël, na sjell, kur vjen nga Shqipëria, një gaz të parrëfyeshëm, se na sjell si një copë të atdheut…

– Faik Konica

_______________________

Faik Konica (Konicë, 15 mars 1875 – Uashington, 15 dhjetor 1942) ishte shkrimtar, botues, publicist, diplomat, studjues i historisë kombëtare dhe i gjuhës shqipe, atdhetar dhe veprimtar i shquar i Rilindjes Kombëtare.

1 Koment

  1. Fjodora

    14 Mars, 2022 at 3:51 pm

    Mese e vertete… duhet ta provosh vete kurbetin qe ta kuptosh kete ndjenje

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Shkrime të ngjashme

Të gjitha të drejtat e rezervuara © 2023 Libohova Post

Exit mobile version