Poezi

Pellasgët-Shqiptarët – nga Naim Frashëri

Pellasgët – Shqiptarët

Ishte një ditë
Që pellasgjitë
Posi një dritë
Mbuluan dhenë,
Duall ng’ Asia
Si mizëria
Dhe me ania
E hodhë denë.

Pas pakë herë,
Duke përzjerë
Ca me të tjerë,
Bënë elinët,
Dhe duke ndarë
Syresh një farë,
Si ka të ngjarë,
Bëri llatinët.

Edhe të tjerët
E më të ndjerët,
Të papërzjerët,
Pellasgjinj mbenë,
Maqedhoninjtë
E ilirinjtë
E mollosinjtë,
Gjith’ ata qenë.

Dhe ata janë
Prindërtë tanë,
Pastaj na thanë
Na shqipëtarë
Mundim të themi
Ne ata jemi,
Atë gjak kemi,
Si dhe shtyparë. {tiparin}

Thot’ Herodoti,
Në Tomor zoti
Shtëpi qëmoti
Kishte Dhodhonë,
Eshtë m’e vjetër
Ngaha çdo tjetër,
Shumë më tepër,
Kjo gjuha jonë.

Ne kurdoherë
Burra të ndjerë
Edhe të vlerë
Jemi treguar;
Me grekërinë
Dhe me Persinë,
Me gjith’ Asinë
Kemi lëftuar.

Me Lekën vamë, {Aleksandri i madh}
Muntmë Daranë,
Datën i dhamë
Gjithë Asisë,
Burr’ u dëftyem,
Të gjith’ i thyem,
Përmbys e kthyem
Fron’ e Persisë.

Të tërë dhenë,
Den’ e sterenë,
Sa kombe qenë
Në këmb i vumë,
Dhe mbretëruam
Kudo që shkuam,
Tekdo lëftuam,
Vëndin e zumë.

Me Pirron vamë
Romës i ramë,
Llatint’ i vramë
E i tmeruam;
Me Skënderbenë
Tyrqve sa qenë
U dhamë dhenë
Dhe i dëbuam.

Kush i goditi
Posi petriti
E i cfiliti
Tyrqit, barbarët?
Bota s’kuxonte
Që t’u qëndronte,
Po kush lëftonte?
Ne shqipëtarët.

Pastaj u ndruam,
Se s’kupëtuam
Dhe nuk e çquam
Të mirën tënë,
Gjaknë për botë
E derthmë kotë,
Njeri ç’të thotë?
Nuk ishte thënë!

Mbajtmë Tyrqinë,
Ngjallmë Greqinë,
Ndihm’ Italinë.
Po Shqipërinë?
Pse s’u munduam?
Për kë lëftuam?
Neve ç’fituam?
Ç’kemi taninë?

– Naim Frashëri

____________________

Naim Frashëri (Frashër, 25 maj 1846 – Stamboll, 20 tetor 1900) ishte shkrimtar, poet, historian, gazetar, përkthyes, atdhetar dhe një prej përfaqësuesve më të shquar të Rilindjes Kombëtare, i pagëzuar si “apostull i shqiptarizmës” dhe “bilbil i gjuhës shqipe”.

1 Koment

  1. Fjodora

    11 Janar, 2022 at 4:07 pm

    Bilbil i gjuhes shqipe!!

  2. Petro

    11 Janar, 2022 at 4:41 pm

    Nderim dhe respekt per kete njeri te madh!

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Shkrime të ngjashme

Aktualitet

55 vite histori e gjimnazit “11 Shkurti” Libohovë përfundon së shpejti, fatkeqësisht! Një urdhër i ZVA Gjirokastër i ndryshon statusin nga gjimnaz në shkollë...

Të gjitha të drejtat e rezervuara © 2023 Libohova Post

Exit mobile version