Për Bashkinë Libohovë qytetarët ekzistojnë vetëm 1 muaj në 4 vjet
Published
Nevojat e qytetarëve për shërbime janë të shumta dhe të përditshme. Bashkia është institucioni që duhet të jetë afër qytetarëve dhe tu shërbejë atyre përditë në mënyrë që jeta në komunitetet lokale të bëhet sa më e lehtë.
Por në Bashkinë Libohovë po shohim një fenomen të çuditshëm. Për vite të tëra bashkia ka funksionuar si një mekanizëm i ndryshkur, me burokraci të shumta, që në pjesën më të madhe të kohës punën kryesore që bënte ishte menaxhimi i parave, që vijnë nga grantet e qeverisë apo nga taksat.
Gjithë këto vite bashkia nuk ka pasur veshë të dëgjojë problemet e qytetarëve, që kanë pasur nevoja për shërbime bazike, si rrugë, ujë, drita, pastrim etj. Në pjesën më të madhe të kohës bashkia është mjaftuar me përgjigjen “Nuk kemi para. Jemi bashki e vogël dhe nuk kemi fonde”.
Por vetëm një muaj para përfundimit të mandatit 4 vjeçar, Bashkia Libohovë duket sikur është zgjuar nga gjumi dhe fondet dolen në sipërfaqe. Punonjësit e shërbimeve publike dhe të rrugëve janë dërguar lagje më lagje e fshat më fshat për të bërë pastrime, për të shtruar ndonjë copë rrugë me beton, e për të bërë punë të ndryshme.
Ndërsa rruga Kthesa e Libohovës – Suhë, e cila kishte filluar 6 vjet më parë gjatë zgjedhjeve të vitit 2017 dhe ishte lënë në mes, filloi të shtrohet dhe po përfundohet brenda një muaji.
Me këtë lehtësi që u kryen këto punë brenda kaq pak kohe, të lë të kuptohet se Bashkia Libohovë i ka pasur të gjitha mundësitë dhe kapacitetet njerëzore e financiare për ti bërë këto punë edhe më para. Thjesht nuk ka dashur që ti bëjë.
Do të thotë se bashkia mund ta shtronte rrugën e Suhës të plotë që para 6 viteve, por nuk e ka bërë se nuk ka dashur. I ka lënë qëllimisht banorët e gjithë këtyre fshatrave të torturohen në një rrugë të shkatërruar, me muaj e me vite të tëra.
Do të thotë se bashkia mund ti sistemonte rrugët e lagjeve dhe të fshatrave shumë kohë më parë, sepse fondet, mjetet dhe njerëzit i kishte, por nuk i ka sistemuar sepse nuk ka dashur. I ka lënë banorët të të ecin në rrugë të shkatërruara.
Do të thotë se bashkia mund të bënte pastrim të përditshëm, fshat më fshat e lagje më lagje, sepse mundësite dhe njerëzit janë, por nuk i ka pastruar sepse nuk ka dashur.
Nqs Bashkia Libohovë do të punonte për 4 vjet njëlloj si po punon muajin e fundit, do të kishte bërë sa e sa punë të tjera; rrugë, qendra shëndetësore, kopshte e shkolla, mirëmbajtje ujësjellësash, kanale vaditëse e kullues, mirëmbajtje monumentesh kulture, e kështu me rradhë, por nuk i ka bërë gjithë këto punë edhe pse mundësitë i ka pasur të gjitha.
Bashkia u kujtua vetëm 1 muaj në 4 vjet që ka qytetarë të cilët kanë nevojë për shërbime. Shumë pak për tu quajtur një bashki në shërbim të qytetarëve. Me 1 muaj punë në 4 vite mund të quhet thjeshtë një bashki në shërbim të vetvetes.
55 vite histori e gjimnazit “11 Shkurti” Libohovë përfundon së shpejti, fatkeqësisht! Një urdhër i ZVA Gjirokastër i ndryshon statusin nga gjimnaz në shkollë...
Pingback: Makineria e pushtetit kundër Libohovës | Libohova Post