Poezi

Shkëndijë e diellit ndaj manushaqes – Naim Frashëri

Shkendijë e diellit ndaj manushaqes

Manushaqe bukuroshe,
Pse s’ngre kryet përpjetë,
Po rri e mpit’ edh’ e qetë,
Pse s’zbukuroh e s’shëndoshe?

Pa shiko lulet e tjera,
Q’u çel’ e u lulëzuan,
Shih, pa shih ç’u zbukuruan,
I ngjalli përsëri vera.

O lulez’ e Perëndisë,
Që të mbolli vetë Zoti,
Zgjohu tani q’u ngroh moti,
Erdhi koh’ e gjallësisë;

Se dheu anembanë mbleroi,
E të vdekurit’ u ngrinë,
Gjithë ç’jan’ u përsërinë,
Zoti nga gjum’ i rënd’ i zgjoi.

Më dërgoi dhe tek ti Zoti,
Që të t’ap jetëz’ e ditë,
Të të bije shpirt e dritë,
E të bëhesh si qëmoti.

Prej qiellit bukurinë
Edhe nga parajsa erë
Të kam prurë këtë herë,
Po hape, pa hape gjinë.

Hap syt’ e qesh dhe gëzohu,
Se gaz të math të kam prurë,
Mos më rri si e sëmurë,
Po çelu e zbukurohu.

Shpendëra, hithëra, ferra
përsipër të kanë rënë,
Dritënë t’a kanë zënë
Me fletë shumë të gjera;

Të kanë kallurë gjemba,
Që të çpojn’ e të lëndojnë
Edhe gjaknë t’a helmojnë,
Që të lëvrin nëpër rremba.

Dhe ca nga fletet’ e tua
Me të huaja përzjerë,
Secila do të të bjerë
Dëmn’ e vdekjenë po thua.

Oh! fletëtë që i rrite,
Duke nxjerrë nga gjiri yt,
T’u bënë si halë në syt,
Pa m’u fishk’ e m ‘u drobite!

Dimër t’ math me dëborë,
Me të ftoht’ e me të ngritë
E m’e gjithë ligësitë,
Të la të mjer’ e të gjorë;

Ah, ta zbriti bukurinë
Dhe gjellimn’ e gjithë ç’kishe,
Vdiqe, u trete, u prishe,
Të thatë të shoh taninë!

Po mos u tremp, bëhu trime
Edhe ki durim e shpresë,
E pa silli Zotit besë,
Dhe kësaj fjalësë sime.

Dheu ishte një her’ i shkretë,
Gjë të gjallë nukë kishte,
Dhe fare i rrjepur ishte,
Pa fill bar e pa një fletë!

Ndaj soje gjë s’piperrinte,
Po brenda në atë brumë
Ishte një shpirt i math shumë,
Që prit kohë të buçinte.

Nga ay shpirt i pa anë
Gjërëra pa funt u ngrinë,
Që edhe sot ven’ e vinë,
Edhe të sosurë s’kanë.

Kush pandeh’ të dil nga dheu
Gjithë ky rrëmet q’është sot,
Oh! preveç se i madhi Zot,
Që me dorët të tij e kreu.

Ay, i qofshimë falë
I dha shpesit fluturimnë,
Njeriut mendjen e mejtimnë
Edhe njerëzi e fjalë.

Tani më kanë dërguar
Nga fron i lart’ i Perëndisë,
Si engjëllin e Marisë
Me frymë të shenjtëruar.

Më s’më mban as gjemp as fletë,
Se kam ardhur me shumë mall,
Ndë gjithit tënt dua të ngjall
Zotn’ e math e të vërtetë.

– Naim Frashëri

______________________

Naim Frashëri (Frashër, 25 maj 1846 – Stamboll, 20 tetor 1900) ishte shkrimtar, poet, historian, gazetar, përkthyes, atdhetar dhe një prej përfaqësuesve më të shquar të Rilindjes Kombëtare, i pagëzuar si “apostull i shqiptarizmës” dhe “bilbil i gjuhës shqipe”.

1 Koment

  1. Fjodora

    2 Mars, 2022 at 12:45 pm

    Të kanë kallurë gjemba,
    Që të çpojn’ e të lëndojnë
    Edhe gjaknë t’a helmojnë,
    Që të lëvrin nëpër rremba…

    Shume e bukur

  2. Petro

    2 Mars, 2022 at 11:17 pm

    Bilbili i gjuhes shqipe

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Shkrime të ngjashme

Aktualitet

55 vite histori e gjimnazit “11 Shkurti” Libohovë përfundon së shpejti, fatkeqësisht! Një urdhër i ZVA Gjirokastër i ndryshon statusin nga gjimnaz në shkollë...

Të gjitha të drejtat e rezervuara © 2023 Libohova Post

Exit mobile version