Aktualitet

Shqipëria shpërfytyrohet para Anglisë, në një ndeshje që na kthen 30 vjet mbrapa

Për kombëtaren shqiptare të futbollit mbrëmja e 12 nëntorit në Londër rezultoi një katastrofë e vërtetë. Një skuadër pa busull, pa shpirt gare dhe totalisht e paorganizuar u përball në Wembley me Anglinë që e ktheu këtë sfidë kualifikuese në një ndeshje stërvitore që në minutat e para.

Trainieri Edi Reja kishte shkuar në Londër me pretendimin që të përballej ballëhapur me Anglinë, duke e presuar në gjysëmfushën e saj dhe duke lënë fushë të lirë mbrapa në mbrojtje. Një zgjedhje fatale kjo! Anglia, me qarkullimin e shpejtë të topit dhe me cilësinë e lojtarëve të saj shfrytëzoi hapësirat e krijuara dhe e ktheu në një goleadë këtë ndeshje që pjesën e parë, me 5 gola të shënuar brenda 45 minutëshit të parë, të cilët mund të kishin qenë edhe më shumë se aq.

Shqipëria ngjau me një skuadër diletante këtë ndeshje, e cila nuk u fut kurrë në lojë. As mungesat e rëndësishme të Gjimshitit e të Kumbullës, i cili doli i dëmtuar vetëm pak minuta pas filimit të ndeshjes, nuk mund ta justifikojnë këtë paraqitje kaq të dobët të kombëtares tonë.

Një paraqitje që na kthen pas në fillimin e viteve ’90, kur skuadra kombëtare përbëhej kryesisht nga lojtarë që luanin në kampionatin shqiptar, pa eksperiencë në futbollin e niveleve të larta. Ndërsa sot në përbërjen e ekipit kombëtar ka lojtarë që luajnë në disa prej kampionateve më të fortë në Evropë, si Serie A, League 1, La Liga etj.

Gjithashtu ekipi kombëtar ka fituar eksperiencë duke luajtur në kompeticione të rëndësishme, sikurse Kampionati Evropian i Futbollit. Prandaj një paraqitje e tillë si ajo e ndeshjes së Londrës përballë përfaqësueses angleze është e papranueshme. Duhet bërë një analizë e gjithëanshme për të gjetur shkaqet që çuan në këtë paraqitje turpëruese, në mënyrë që të merren edhe masat e duhura që ngjarje të tilla të mos ndodhin më.

Pas 2 ditësh Shqipëria do të luajë në Tiranë kundër Andorrës ndeshjen e fundit të këtyre eliminatoreve. Me mungesa të shumta prej dëmtimeve dhe prej kartonave, dhe me një moral përtokë prej paraqitjes turpëruese në Londër, kombëtares tonë do ti duhet të japë një provë karakteri për të përmbyllur denjësisht këto eliminatore. 3 pikët kundër Andorës dhe një paraqitje e denjës me lojë të mirë e të organizuar duhet të jenë përgjigjja dhe mesazhi se kombëtarja është akoma në këmbë dhe se kërkon të ringrihet sa më shpejtë nga kjo disfatë.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Shkrime të ngjashme

Aktualitet

55 vite histori e gjimnazit “11 Shkurti” Libohovë përfundon së shpejti, fatkeqësisht! Një urdhër i ZVA Gjirokastër i ndryshon statusin nga gjimnaz në shkollë...

Të gjitha të drejtat e rezervuara © 2023 Libohova Post

Exit mobile version