fbpx
Lidhu me ne

Çkemi! Çfarë po kërkoni?

Histori

Shqiptarët nuk kanë sulmuar kurrë një komb tjetër, por kanë pësuar më shumë luftra e pushtime se çdokush

Shkëputur nga intervista me historianin zvicerian Dr. Alexandre Lambert:

A mund të na flitni për merita që i kanë nderuar shqiptarët gjatë shekujve?

Një shembull i mire për këtë komb është fakti se gjatë historisë së tyre shqiptarët nuk kanë bërë kurrë një luftë civile midis tyre, por as edhe luftë fetare, kur dihet mire se historia e shumë popujve të tjerë të Evropës është e mbushur me luftëra fetare dhe civile.

A kanë bërë shqiptarët në historinë e re luftëra pushtuese, qoftë në aleanca, ose masakra kundër popujve të tjerë?

Shqiptarët nuk kanë sulmuar asnjë komb tjetër dhe nuk kanë marrë pjesë në masakra. Është e njohur se shqiptarët e kanë për turp të vrasin një armik që dorëzohet. Edhe gjatë Luftës së Dytë Botërore, pas kapitullimit të Italisë fashiste (1943), shqiptarët me traditën e tyre të mikpritjes strehuan ushtrinë italiane, edhe pse një ushtri fashiste, dikur pushtuese, kishte vrarë, djegur e shkretuar vendin.

Ata e prishën realizimin e planit nazist gjerman për internimin në Gjermani të ushtrisë italiane. Shqiptarët fill mbas Luftës II Botërore i riatdhesuan të gjithë ushtarët italianë. Për të vlerësuar fisnikërinë dhe vlerën e këtij qëndrimi tepër humanitar ndaj ushtrisë dhe populli italian në atë epokë historike, mjafton të kujtojmë se mijëra ushtarakë italianë pas kapitullimi të Italisë (1943) u masakruan nga nazistët në ishullin grek të Qefalonisë.

Ju si historian a vini re se shqiptarëve nuk u janë shpërblyer të mirat që u kanë bërë të tjerëve?

Edhe kjo është një e vërtetë, të cilën po ju a ilustroj me një shembull historik të jetuar nga ne të gjithë në sajë të informimit direkt nga televizioni botëror. Kështu, për ironi të fatit, gjysmë shekulli më vonë nga shpëtimi i ushtrisë italiane nga shqiptarët në kohën e luftës, qeveria italiane harroi gjestin fisnik të tyre.

Në fakt, qeveria italiane në vitin 1991 i priti shumë keq 15.000 refugjatët e eksodit shqiptar, duke i mbyllur për disa ditë në stadiumin e Barit, në atë vapë gushti, duke u hedhur ushqimet dhe ujin me helikopter nga qielli. Ky qëndrim nuk i përgjigjej sjelljes plot mirëkuptim të popullit Italian po në atë kohë, i cili me iniciativën e vet u hapi dyert refugjatëve shqiptarë fatkeq, edhe pse koha provoi se ndonjëri prej tyre nuk e meritoi atë trajtim të mirë.

E vërteta është se shqiptarët pas gjysmë shekulli dilnin për herë të parë nga vend i tyre, ku nuk kishin asnjë të drejtë emigrimi. Për fat të keq, një tjetër plagë iu hap popullit shqiptar nga një pjesë e të rinjve që nuk kishin asgjë për të humbur duke lënë vendin e tyre, përveç prangave të diktaturës komuniste. Qe pikërisht ky kontingjent refugjatësh që u prit me krahë të hapura dhe u manipulua nga mafia, duke u përfshirë në trafik droge dhe prostitucioni, gjëra këto që ata nuk i kishin njohur aspak në vendin e tyre.

A jeni optimist për shqiptarët se një ditë ata do të ecin me të njëjtin hap të ndonjë vendi të përparuar të Lindjes komuniste?

Unë kam besim tek e ardhmja e shqiptarëve të Ballkanit. Është një nga popujt më të rinj të Evropës. Shqiptarët kanë mundësi të mëdha në vendin e tyre për zhvillimin e bujqësisë, shfrytëzimin racional të pyjeve, rritjen e blegtorisë, peshkimin. Në territoret e tyre ka rezerva kromi, bakri, boksiti, qymyri, rezerva hidro – energjie etj.

Në Shqipëri mund të zhvillohet shumë mirë turizmi në zonat malore, por edhe në 440 kilometra bregdet gati të virgjër të detit Adriatik dhe të detit Jon, deri diku në qendër të Evropës, në 41 gradë të gjerësisë veriore. Dhe shqiptarët nuk kanë mbetur në vend. Pas krizave që ata pësuan, vihet re se brezi i ri i është futur ndërtimit të vendit, duke ndryshuar faqen e fshatrave dhe qyteteve kryesore. Sigurisht, në Shqipëri vihen re edhe raste ndërtimesh të egra, fryt i mungesës apo zbatimit të ligjshmërisë. Por dhe kjo ka shpjegimin e vet. Ekonomia nuk mund të presë, duhet të shkojë përpara. U takon legjislatorëve të nxjerrin ligjet dhe të kërkojnë që ato të zbatohen.

Emigracioni i ri i shqiptarëve, pas shembjes së regjimeve komuniste në Ballkan, është një dukuri krejt e re, me specifikën e vet, në këtë etapë të historisë së tyre, le ta quajmë këtë etapën e demokratizimit a të tranzicioit drejt sistemit ekonomik kapitalist, me globalizim ose jo. Ajo që është specifike dhe masive te emigrantët e rinj shqiptarë është patriotizmi, dashuria e madhe per vendin e tyre, dhe çuditërisht krenaria e tyre atavike. Dhe nuk e kanë pasur të lehtë ta ruajnë dhe ta manifestojnë atë krenari shqiptare, kur mediat e të gjitha vendeve kanë paraqitur si shqiptarë te publiku i tyre, gjithmonë vetëm ata mijëra të rinjë shqiptarë të hapërdarë nëpër Evropë që merren me veprimtari të jashtëligjshme.

Studiuesit kanë nxjerrë se emigrantët shqiptarë, më shumë se emigrantë të popujve të tjerë, janë bërë një faktor me peshë jo vetëm për përmirësimin e jetës, por edhe të kulturës e sidomos të ekonomisë së atdheut që ata lanë pas në kohën e eksodeve biblike. Sot duhet theksuar se brenda një viti ata dërgojnë në atdhe, vetëm nëpërmjet insitucioneve bankare, një miliard euro. Dhe kjo është pare me djersë që i dërgohet atdheut për ndihmë. Merreni me mend se sa mund të investojnë emigrantët kur shteti shqiptar të sigurojë investimet!

Ju keni punuar për një integrim të të huajve ne vendin tuaj. A mund të na thoni diçka për shqiptarët?

Sot shumica e shqiptarëve janë integruar mirë në pjesën më të madhe të vendeve ku janë sistemuar. Ata kontribuojnë për begatinë ekonomike dhe kulturore të vendit mikpritës. Ata kanë hyrë me sukses në biznes, por edhe në universitete, ku mund të gjesh profesora të rinj shqiptarë, si edhe poetë e shkrimtarë, madje edhe një kandidat për çmim “Nobel”, shkrimtari Ismail Kadare, i lexuar nga një publik i gjerë.

Shqiptarët mund t’i gjesh artista në opera, në kinematografi, sportistë të duartrokitur në stadiume dhe ringe boksi etj. Ata ndjekin shembullin e patriotëve të tyre në shumë fusha të jetës, si Nënë Tereza, çmim Nobel i Paqes (1976), që e ka ndjerë veten e saj krenare për origjinën e saj shqiptare. Cmimi tjetër Nobel për mjekësi (1998), Doktor Ferid Murat, e ka ndjerë veten krenar për origjinën shqiptare, ashtu si edhe shefi i madh i orkestrës botërisht i njohur, Herbert Fon Karajan, e përmedëte origjinën e tij shqiptare.

Unë mendoj se emigrantët shqiptarë, duke vazhduar të ecin në rrugën e mbarë që kujtoj se kanë nisur, do të formojnë një ditë lobet e tyre në botë, në shembullin e emigracioneve të popujve të tjerë. Duke njohur mentalitetin shqiptar, u kujtoj atyre të veprojnë në shembullin e Skenderbeut, i cili arriti t’i bashkojë gjithë princërit shqiptarë në Lidhjen e Lezhës, kundër pushtuesit otoman, vetëm duke u paraqitur te ata si i pari midis të barabartëve (primus inter pares). Koha provoi se parësia i mbeti Skënderbeut.

Dr. Alexandre Lambert, është historian zvicerian, që ka si gjuhë amtare gjermanishten. Eshtë doktoruar në Relacione Ndërkombëtare në Institutin Universitar të Studimeve të larta Ndërkombëtare në Gjenevë dhe është Drejtor Akademik i “School of International Training” në Gjenevë. Ai është autor i disa librave dhe artikujve në fushën e relacioneve ndërkombëtare të filozofisë politike, të politikës së sigurisë dhe lidhjeve civile-ushtarake. Eshtë ekspert i OSBE dhe i kontrollit demokratik të reformës së Forcave të Armatosura. Ai ka dhënë kontributin e vet në shumë takime ndërkombëtare në Amerikë, në Evropë, në Kaukaz, në Azinë Qendrore dhe në veçanti në Evropën Juglindore, si në Slloveni, Kroaci, Serbi, Bosnjë, Mal të Zi, e në shumë forume ndërkombëtare, si atë të Kran Montanës, ku ka njohur delegacionet e Shqipërisë, të Kosovës etj. Ai e ka vizituar Shqipërinë dhe ka filluar të njohë çështjen shqiptare që në rini të tij me kërkimet e bëra në Arkivin e Lidhjes së Kombeve në Gjenevë.

Lexo intervistën e plotë këtu

Botuar fillimisht në: Gazeta Panorama, 31/11/2007

Kliko për të komentuar

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Uji Tepelene Euro2024

Keshilla per blerjet tuaja

Më të lexuarat

Keshilla per blerjet tuaja

Shkrime të ngjashme

Aktualitet

55 vite histori e gjimnazit “11 Shkurti” Libohovë përfundon së shpejti, fatkeqësisht! Një urdhër i ZVA Gjirokastër i ndryshon statusin nga gjimnaz në shkollë...