Syrgjyn-Vdekur
Nëno moj, mbaj zi për vllanë,
Me tre plumba na i ranë,
Na e vran e na e shanë,
Na i thanë tradhëtor.
Se të deshte dhe s’të deshnin,
Se të qante kur të qeshnin,
Se të veshte kur të ç’veshnin,
Nëno moj, të ra dëshmor.
Nëno moj, vajto, merr malin,
Larot t’a përmbysnë djalin,
Qe me Ismail Qemalin,
Ngriti flamurin trimëror.
Nëno moj, m’a qaj në Vlorë,
Ku të dha liri, kurorë,
Shpirt i bardhë si dëbor,
Ti s’i dhe as varr për horr.
Nëno moj, ç’është përpjekur,
Gojë-mjalt e zemër-hekur,
Syrgjyn gjall e syrgjyn vdekur,
Ky vigan liberator.
– Fan S. Noli
_______________________
Fan S. Noli (İbriktepe, 6 janar 1882 – USA, 13 mars 1965) ishte shkrimtar, mësues, diplomat, politikan, historian, orator, themelues i Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare, Kryeministër i 13-të i Shqipërisë (1924), atdhetar dhe veprimtar i shquar i Rilindjes Kombëtare.
Petro
17 Janar, 2022 at 9:20 pm
Lavdi Luigj Gurakuqit!!
Fjodora
18 Janar, 2022 at 4:18 pm
Poezi shume e bukur