fbpx
Connect with us

Hi, what are you looking for?

Histori

Turqit e rinj ishin të pamëshirshëm me shqiptarët – National Geographic

Shkëputur nga artikulli i gazetarit amerikan Theron J. Damon, botuar në revistën National Geographic më nëntor 1912:

Kur pas vitit 1908, turqit e rinj kishin miratuar Kushtetutën e tyre dhe po përpiqeshin me shumë mundime të vinin rregull në Perandorinë otomane, trajtimi i Shqipërisë ishte një prej problemeve më delikatë. Duhej të ishte bërë më me kujdes.

Përmes një trajtimi delikat, përmbushjes së premtimeve dhe shfaqjes se një simpatie të drejtë për aspiratat e një race injorante por shumë të zotë, turqit e rinj do të kishin qenë në gjendje të ngrinin dhe forconin në provincën e Shqipërisë një barrierë të padepërtueshme ndaj agresionit europian.

Në vend të kësaj, ata kanë ndjekur një rrugë që është përshkruar nga korrespondenti në Kostandinopojë i “Times”-it të Londrës si politika e rulit me avull. Duke injoruar këshillat e çdo politikani me përvojë, turqit e rinj nxituan t’i “trajtonin” shqiptarët njësoj si fshatarët injorantë turq në Azinë e Vogël. Asnjë strategji tjetër nuk do të kish qenë më e pavend dhe më e destinuar të dështonte.

Shenjat e para të një kundërshtimi u dhanë që në vjeshtën e vitit 1909, por duhej të vinte pranvera e vitit 1910 që një revoltë të merrte përmasa serioze. Në 5 prill të atij viti, shqiptarët myslimanë të skajit verilindor të Shqipërisë rrëmbyen armët kundër qeverisë. Për pak ditë rebelët mbajtën Kaçanikun, por 50 mijë trupa turke u dërguan menjëherë në rajon dhe lëvizja u shtyp. Ajo pati një karakter lokal dhe nuk kishte organizim. Shqipëria si e tërë nuk ishte qëllimi i saj.

Megjithatë, turqit e rinj menduan se kishte ardhur koha t’u jepnin një mësim shqiptarëve të pabindur. Trupat që ishin mbledhur për të shtypur kryengritjen marshuan nëpër Shqipëri. Një divizion shkoi në perëndim, në Shkodër. Ata përshkuan rrugë malore që për breza të tërë ishin mbyllur për këdo që udhëtonte i shoqëruar nga një ushtar turk, sepse shqiptarëve nuk u pëlqente uniforma e autoritetit turk.

Por tani malësorët, të zënë në befasi, do të çarmatoseshin. Pas shtypjes që kishin pësuar sivëllezërit e tyre, më të paktë në numër dhe të gjendur përballë automatikëve – një tmerr i pazakontë për shqiptarët e thjeshtë – nuk kishte shpresë për rezistencë. Armët e tyre, krenaria dhe zotërimet, iu morën, dhe shqiptarëve iu dha një mësim mizor.

Një tjetër divizion i forcave turke marshoi në jug dhe penetroi në luginat paqësore të Shqipërisë. Në Elbasan, udhëheqësit intelektualë të Shqipërisë së Re kishin hapur një shkollë normale. Ata po përpiqeshin të përgatisnin shqiptarët që të bëheshin mësues të bashkatdhetarëve të tyre injorantë në të gjithë vendin. Përdornin gjuhën shqipe dhe, sipas votimit të një kongresi shqiptar të një viti më herët, e shkruanin këtë gjuhë – një gjuhë europiane – me shkronja latine.

Nën Abdul Hamitin, çdo përpjekje për të shkruajtur apo dhënë mësim në gjuhën shqipe ishte shtypur. Vetëm në shkollat e misioneve austriakë dhe italianë në veri të Shqipërisë, ku ofrohej propaganda austriake dhe italiane, dhe jashtë survejimit të Sulltanit, kishte qenë e mundur që shqiptarët të studionin në gjuhën e tyre.

Sa për një alfabet, politikanët austriakë që mbështesin punën misionare të priftërinjve austriakë dhe nuk pushojnë asnjëherë së çuari përpara skemat austriake, shihnin me dyshim nga një e ardhme për Shqipërinë, liderët e të cilës të mësuar në Itali apo Austri do të bashkoheshin nga një gjuhë dhe alfabet i përbashkët. Kështu u krijua një alfabet i gjatë dhe iu ofrua fëmijëve në shkollat e misioneve austriakë. Kjo do të ndihmonte për të krijuar të çara për të ardhmen, kur Austria shpresonte që do të trashëgonte këtë tokë dhe do të kishte të nevojshme të përdorte tiraninë e saj dinake për të austrianizuar shqiptarin.

Shkolla normale e Elbasanit, me alfabetin e saj latin dhe e çliruar prej propagandës së huaj ishte një rreze drite në errësirën e Shqipërisë. Ajo nuk kishte ndarje fetare – myslimanët dhe të krishterët ishin vëllezër pa dallim. Themeluesit kishin vetëm një qëllim, lartësimin e racës shqiptare. Ata nuk ishin revolucionarë në kuptimin politik të fjalës. Ata donin të bashkëpunonin me qeverinë e turqve të rinj, dhe vetëm kërkonin që zbatimi i kushtetutës së re të kishte diçka të përbashkët me premtimet e saj themelorë.

Por kur ushtarët turq erdhën në Elbasan në verën e vitit 1910, u shpall gjendja e jashtëzakonshme. Të gjithë ata që shiheshin se kishin lidhje me shkollën normale apo simpatizonin përparimin e saj u ndoqën, u sollën para autoriteteve ushtarakë dhe u rrahën në një mënyrë shumë mizore për t’u rrëfyer. Rrahja me thupra dhe kamzhik u zbatuan për shumicën e njerëzve të iluminuar në Elbasan. Financieri i shkollës normale u fshikullua përtej çdo imagjinate. Drejtori dhe shumë prej mësuesve u arratisën.

Autoritetet ushtarakë kërkuan dhe rrahën personat përgjegjës për një telegram që ishte dërguar në drejtim të Kostandinopojës, ku kërkohej që mësimi në shkollat shqiptare duhej bërë në gjuhën shqipe dhe me gërma latine. Më tej ushtarët marshuan për të bërë punë të tjera “pasi kishin mbyllur atë shkollë dhe u kishin dhënë shqiptarëve një mësim për t’u mbajtur mend”.

Theron J. Damon – gazetar amerikan, korrespondent për Associated Press gjatë Luftës së Parë Botërore dhe kapiten në inteligjencën e ushtrisë amerikane.

Lexo artikullin e plotë këtu

1 Comment

1 Comment

  1. Fjodora

    26 Shkurt, 2022 at 7:50 pm

    Dhe te mendosh qe ka akoma shqiptare qe i thone turkut vella! Nuk e kuptoj se si mundet!

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Uji Tepelene Euro2024

Advertisement

Më të lexuarat

Advertisement

Shkrime të ngjashme

Aktualitet

55 vite histori e gjimnazit “11 Shkurti” Libohovë përfundon së shpejti, fatkeqësisht! Një urdhër i ZVA Gjirokastër i ndryshon statusin nga gjimnaz në shkollë...