Rrjeti i ri i ujësjellësit është një investim i shumëpritur prej banorëve të Libohovës. Rrjeti i vjetër 50 vjeçar ishte i degraduar dhe problematikat që shfaqte si pasojë e ndërhyrjeve shumëvjeçare në të krijonin probleme të shumta në furnizimin e rregullt të banorëve me ujë të pijshëm.
Sezoni i verës ka qenë edhe stina më problematike për sa i përket furnizimit me ujë të banorëve të Libohovës, jo për mungesë të ujit në burime, pasi Libohova njihet për pasurinë e saj hidrike dhe për burimet e shumta të ujit, por pikërisht prej ndërhyrjeve të shumta përgjatë viteve në rrjetin e vjetër, të cilat bënin që një pjesë e madhe e këtij uji të humbiste.
Investimi prej 3 miliard lekë të vjetra në rrjetin e ri ujësjellës pritej që të zgjidhte këto problematika shumëvjeçare të furnizimit me ujë të banorëve të Libohovës dhe të siguronte ujë të rrjedhshën 24 orë për qytetarët. Por që në fillimet e tij, rrjeti i ri ujësjellës ka shfaqur një sërë problematikash të reja, të cilat më parë nuk ekzistonin.
Së pari, ky rrjet ka problematika të theksuara në projektim. Sipas specialistëve të fushës, në projektimin e rrjetit të ri ujësjellës janë bërë gabime të shumta, duke mos marrë parasysh terrenin në të cilin ky rrjet do të shtrihej.
Në ujësjellësin e ri parashikohet ngritja mekanike e ujit me anë të pompave deri në disa qindra metra në shpatin mbi kullën e sahatit dhe më pas shpërndarja e tij nëpër lagjet e Libohovës. Por sipas ekspertëve kjo zgjidhje është totalisht inefiçente. Gjysma e lagjeve të Libohovës, dhe rrjedhimisht e shtëpive të qytetarëve, ndodhen nën nivelin e burimit. Zgjidhja më e mirë, me llogjikë ekonomike dhe efiçencë, do të ishte që shpërndarja e ujit për këta abonentë të kryhej me rrjedhje të lirë, ashtu sikurse është bërë gjithmonë.
Nuk ka llogjikë që uji të çohet në mal me pompa dhe pastaj të zbritet përsëri poshtë për të furnizuar banorë që janë poshtë nivelit të burimit. Kjo krijon kosto të panevojshme, të cilat do të pasqyrohet në tarifën e shërbimit që qytetarët do të paguajnë.
Qytetarët dhe ekspertët kanë akuzuar se nuk është bërë një studim i mirëfilltë për Libohovën për projektin e rrjetit të ri ujësjellës, por projekti që po zbatohet është pregatitur në zyra në Tiranë, duke ngjitur copëza projektesh të mëparshëm nga ujësjellës të realizuar në qytete të tjera. Gjithashtu është akuzuar Bashkia Libohovë se nuk ka marrë pjesë me specialistët e saj në procesin e realizimit të këtij projekti dhe nuk është konsultuar me ekspertë dhe banorë të Libohovës, por ka pranuar dhe firmosur me sy mbyllur një projekt që u është vënë para, pa marrë parasysh nevojat dhe interesin më të mirë të qytetarëve.
Në projektin që është bërë publik shfaqen rëndom gabime, në të cilat ngatërrohen “Ujësjellësi Libohovë” me “Ujësjellësi Xarrë”, apo në vend të “Llogaritja e kërkesave të qytetit Libohovë” në projekt shkruhet “Llogaritja e kërkesave për Koplikun”, dhe më tej, “Burimi i Zhepës” ngatërrohet me “Burimi i Papo Vasilit” në Konispol. Të gjitha këto gabime të lënë të kuptosh se nuk ka pasur një studim të mirëfilltë për rrjetin e ri ujësjellës, por që ky projekt është bërë duke ngjiitur copëza nga projekte të mëparshëm.
Së dyti, rrjeti i ri ujësjellës ka shfaqur problematika të mëdha në realizimin e tij. Ky rrjet ka filluar të vihet në punë prej disa javësh dhe që tani banorët kanë filluar të ankohen për ndërprerje të furnizimit me ujë. Sipas tyre, veprat e ndërtuara për këtë ujësjellës nuk kanë kapacitetet e duhura për të siguruar furnizim të vazhdueshëm me ujë për të gjithë abonentët e qytetit. Me gjasë kjo do të jetë shumë problematike gjatë stinës së verës, kur nevojat e qytetarëve për ujë janë më të mëdha.
Ndërsa ekspertët sugjerojnë se materialet e përdorura për ndërtimin e këtij rrjeti janë të një cilësie të ulët dhe një pjesë e tyre kanë filluar të dalin jashtë përdorimit që tani. Edhe tubacionet nuk janë futur në kanalizime nën tokë në gjithë gjatësinë e rrjetit shpërndarës. Një pjesë e tubacioneve është lënë mbi tokë, duke i bërë kështu vulnerabël ndaj agjentëve atmosferik apo ndaj dëmtimeve të ndryshme.
Nuk janë instaluar as paisje për reduktimin e presionit të ujit që shkon në banesat e qytetarëve, duke shkaktuar probleme të shumta në një sërë banesash, me çarje të tubacioneve nga presioni i tepërt, rrjedhje dhe dëmtime të çesmave e saraçineskave, dëmtime të elektroshtëpiakeve etj.
Një pjesë e banorëve të Libohovës kanë investuar para 20-25 vitesh nga 2-3 deri në 5 milion lekë të vjetra për tubacione, duke e shtruar privatisht linjën për furnizim me ujë të pijshëm, që nga burimi e deri në banesat e tyre. Këta banorë, edhe pse nuk merrnin asnjë shërbim nga Ujësjellësi Libohovë, pasi investimin e kishin kryer vetë dhe furnizimi kryhej me rrjedhje të lirë, ata sidoqoftë paguanin tarifë mujore për furnizim me ujë në ndërmarrjen e ujësjellësit. Sot, me rrjetin e ri ujësjellës, këtyre banorëve u janë shkëputur linjat që kishin shtruar me investimet e tyre, duke e çuar dëm atë investim, dhe janë futur në rrjetin e ri ujësjellës, i cili nuk i garanton as furnizim të rregullt me ujë dhe as cilësinë e ujit që shkon tek ta, gjëra që më parë këta banorë i kishin zgjidhur vetë.
Por problemi më i madh është cilësia e ujit që vjen te qytetarët. Banorët e Libohovës për herë të parë në histori kanë filluar të blejnë ujë të amballazhuar për konsum në familjet e tyre. Duket e çuditshme, pasi Libohova ka ujë të pastër burimi me shumicë. Por me vënien në punë të ujësjellësit të ri qytetarët ankohen se uji që vjen në çesmat e tyre është i papijshëm. Kjo i ka detyruar ata të blejnë ujë të amballazhuar për konsum.
Pra, ky rrjet i ri ujësjellësi po rrit kostot dhe rrjedhimisht tarifën që qytetarët duhet të paguajnë, nuk jep garanci për furnizim të rregullt të banorëve me ujë gjatë gjithë vitit dhe prish cilësinë e ujit që vjen në shtëpitë e qytetarëve të Libohovës. Këto 3 miliard lekë të vjetra të shpenzuara nga taksat e qytetarëve, jo vetëm që nuk po i japin zgjidhje problematikave që vjetra të furnizimit me ujë, por po hapin edhe problematika të reja të cilat nuk ekzistonin më parë.