fbpx
Lidhu me ne

Çkemi! Çfarë po kërkoni?

Histori

Udhëheqësit komunistë ishin të drejtuar në mënyrë të fshehtë nga jugosllavët; Aleatët ia lanë Shqipërinë bllokut të lindjes

Gjatë luftës së Dytë botërore në Shqipëri u bë një luftë e organizuar kundër pushtuesit për çlirim kombëtar nga zgjedha nazi-fashite. Është e vërtetë që kjo luftë u organizua dhe u drejtua nga komunistët, të cilët në fillim të luftës përfaqësonin vetëm disa qindra vetë.

Populli shqiptar, i etur për liri, të rinjtë e sidomos rinia studentore, madje dhe nga familje të pasura, pse jo dhe nacionalistë me emër, ndoqën komunistët, pa e ditur se disa prej udhëheqjes së tyre ishin të drejtuar në mënyrë të fshehtë nga komunistë jugosllavë. Këta të fundit nuk ishin aspak të interesuar për bashkimin e të gjitha forcave kombëtare në luftën për çlirim. Ata bënë të dështojnë të gjitha përpjekjet e patriotëve shqiptarë për një demokratizim të luftës kombëtare për çlirim. Po të njëjtën gjë komunistët jugosllavë e kishin bërë në vendin e tyre.

Kjo strategji e huaj, e importuar nga komunistët shqiptarë, në krye të të cilëve doli diktatori i ardhshëm Enver Hoxha, pati pasoja fatale, shumë të këqia për kombin shqiptar dhe për të ardhmen e Shqipërisë. Historia provoi se në Shqipëri erdhi në fuqi regjimi komunist më i egër që Evropa ka pare në historinë e vet.

Duhet të pranojmë se shqiptarët e kanë organizuar mirë luftën e tyre për çlirim, gjë që u provua nga fakti se gjatë Luftës së Dytë Botërore, kur luftëtarët shqiptarë u konsideruan shokë lufte nga luftëtarët e aleancës ushtarake anglo – sovieto – amerikane. Shqiptarët krijuan brigadat e tyre partizane, divizionet e tyre dhe korparmatat e tyre, të përbëra nga burra dhe gra vullnetarë. Ata e çliruan vendin e tyre nën sundimin nazist pa ndihmën e drejtpërdrejtë të ushtrive aleate, britanike, ruse ose amerikane. Sigurisht çlirimi u favorizua nga gjendja ushtarake e ushtrive naziste që tërhiqeshin nga Ballkani në fund të vitit 1944, nën presionin e të gjitha fronteve të tjera të luftës në Evropë.

Në mbarim të Luftës së Dytë Botërore, aleatët e perëndimit u kujdesën shumë për të mos lejuar që në Greqi të fitonin komunistët, dhe ajo të mbetej në kampin komunist. Greqia mbeti me Perëndimin. Por Shqipërinë aleatët ia lanë bllokut të lindjes, edhe pse e dinin mirë se shqiptarët, si edhe grekët, nuk bënin pjesë në popujt “sllavë”. Dhe ç’është më e keqja, ata e dinin se një pjesë e mirë e popullit shqiptar nuk ishin me komunistët. Ata e njihnin mirë këtë realitet. Dhe ja fati i popullit shqiptar, kur ai iu la bllokut të lindjes, për të provuar kështu të gjitha tmerret e sistemit komunist.

Si fillim diktatura komuniste e Enver Hoxhës bëri një politikë të jashtme shumë të keqe, duke u prishur në mënyrë të prerë me aleatët perëndimorë të Lufës, anglezët dhe amerikanët. Një prishje tjetër aleance ndodhi kur në vitin 1948 u prenë marrëdhënieve diplomatike me Jugosllavinë e Titos. Pastaj i erdhi radha prishjes me Moskën në vitin 1961. Dhe më ne fund me Kinën komuniste në vitin 1978.

Sigurisht, diktatori Enver Hoxha asgjësoi dhe zhduki fizikisht pjesën më të madhe të shokëve të afërt të luftës, duke vazhduar deri në fund të jetës së tij luftën e klasave, të ushtruar kundër një populli të tërë. Ai nuk kërkoi të bënte aleanca strategjike, por preferoi të ndërtojë 700.000 bunkere në të gjithë vendin. Enver Hoxha nuk pranoi asnjë ndihmë të perëndimit “kapitalist”, madje as edhe ndihmën e Kryqit të Kuq ndërkombëtar, të destinuar për të dëmtuarit nga tërmetet dhe fatkeqësi të tjera natyrore. Kjo ka ndodhur në të njëjtën kohë që drejt Jugosllavisë shkonin miliarda dollarë me vlerën e asaj kohe, prej të cilave vetëm një pjesë shumë e vogël caktohej për shqiptarët e Kosovës.

Me vdekjen e diktatorit shqiptar Enver Hoxha, në vitin 1985, Shqipëria mund të quhej ekonomikisht e vdekur nga politika izolacioniste që bëri regjimi.

Dr. Alexandre Lambert, është historian zvicerian, që ka si gjuhë amtare gjermanishten. Eshtë doktoruar në Relacione Ndërkombëtare në Institutin Universitar të Studimeve të larta Ndërkombëtare në Gjenevë dhe është Drejtor Akademik i “School of International Training” në Gjenevë. Ai është autor i disa librave dhe artikujve në fushën e relacioneve ndërkombëtare të filozofisë politike, të politikës së sigurisë dhe lidhjeve civile-ushtarake. Eshtë ekspert i OSBE dhe i kontrollit demokratik të reformës së Forcave të Armatosura. Ai ka dhënë kontributin e vet në shumë takime ndërkombëtare në Amerikë, në Evropë, në Kaukaz, në Azinë Qendrore dhe në veçanti në Evropën Juglindore, si në Slloveni, Kroaci, Serbi, Bosnjë, Mal të Zi, e në shumë forume ndërkombëtare, si atë të Kran Montanës, ku ka njohur delegacionet e Shqipërisë, të Kosovës etj. Ai e ka vizituar Shqipërinë dhe ka filluar të njohë çështjen shqiptare që në rini të tij me kërkimet e bëra në Arkivin e Lidhjes së Kombeve në Gjenevë.

Lexo intervistën e plotë këtu

Botuar fillimisht në: Gazeta Panorama, 31/11/2007

Kliko për të komentuar

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Keshilla per blerjet tuaja

Më të lexuarat

Keshilla per blerjet tuaja

Shkrime të ngjashme