fbpx
Lidhu me ne

Çkemi! Çfarë po kërkoni?

Histori

Ndërrimi i fesë për shqiptarët ka qenë një mjet për të ruajtur identitetin kombëtar – Alexandre Lambert

Shkëputur nga intervista me historianin zvicerian Dr. Aleksandre Lambert:

Si e shpjegoni ju çështjen e kthimit të shumicës së shqiptarëve në fenë myslimane dhe mendimin e ndokujt që e konsideron këtë fakt si negacion për hyrjen e Shqiptarëve në Evropë?

Unë mendoj se Evropa duhet të jetë krenare që të ketë në gjirin e saj kombin shqiptar, i cili duhet vlerësuar si shumë tolerant. Për shqiptarët çfarëdo që të jesh, mysliman, ortodoks, katolik, por edhe pa fe, je po aq shqiptar dhe po aq i respektuar sa gjithë të tjerët. Është e vërtetë se gjatë pushtimit otoman shumë shqiptarë u kthyen në mysliman. Por e vërteta është se kryengritjet më të shumta kundra Perandorisë Otomane janë bërë më tepër nga shqiptarët se sa nga popujt e tjerë të krishterë. Përkundrazi, ndërrimi i fesë për shqiptarët ka qenë një mjet për të ruajtur identitetin e tyre kombëtar, dhe ata e kanë ruajtur këtë identitet për një kohë shumë të gjatë.

Shumë kohë përpara ardhjes së qytetërimit sllav në Evropën Perëndimore dhe shumë përpara ardhjes së serbëve në Ballkan (ata erdhën në shekullin e VII – të pas Krishtit), shqiptarët kishin një qytetërim të tyre në juglindje të Evropës, dhe e kanë ruajtur kulturën e tyre gjatë shekujve, edhe pse janë ndodhur midis dy kulturave më të rëndësishme të Evropës të asaj kohe, greke dhe romake. Dhe kjo është një provë që flet në të mirë të shqiptarëve, po të kemi parasysh se në të njëjtën kohë shumë popuj të tjerë të Evropës u romanizuan, u gjermanizuan, dhe u sllavizuan.

Te shqiptarët ky fenomen asimilimi ndodhi vetëm te popullsia ortodokse e atyre krahinave kufitare që jetonin afër serbëve dhe grekëve. Ata nuk i qëndruan presionit fetar të drejtuar nga kisha ortodokse, që është e njohur shumë mirë në histori për çështje asimilimi. Ata e humbën identitetin e tyre kombëtar për t’u bërë grekë, serbë e malazezë vetëm për të ruajtur fenë ortodokse. Shqiptarët katolikë e kanë patur më të lehtë ta ruajnë identitetin e tyre shqiptar, sigurisht nga mbështetja e fuqishme e Vatikanit. Shqiptarët që u konvertuan në myslimanë e patën më të lehtë ruajtjen e identitetit kombëtar shqiptar sepse feja myslimane ishte feja zyrtare e pushtuesit.

Një meritë e tyre është fakti se ata morën vetëm kulturën osmane, dhe nuk u asimiluan prej tyre siç mund të ketë ndodhur me popuj të tjerë në Perandorinë otomane, të cilët humbën edhe gjuhën. E vërteta është se shqiptarët e konvertuar në fenë islame u sollën gjithmonë si vëllezër me shqiptarët ortodoksë e katolikë, duke ndihmuar këta të fundit në zgjidhjen e drejtë të shumë problemeve me administratën turke.

…Duhet të jemi të ndërgjegjshëm se afiliacionet fetare dhe konfesionale të shqiptarëve nuk kanë qenë shumë të rëndësishme për ta, as edhe qenësore në përcaktimin e identitetin të tyre kombëtar. Në fakt, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, Hero i tyre kombëtar, ishte katolik kur ai luftonte kundër otomanëve për 25 vjet rresht, duke mbrojtur lirinë e Shqipërisë dhe duke penguar ushtritë otomane të mbërrinin deri në Vatikan.

Nuk është një gjë e rastit që shumë Papë atë e kanë nderuar me emrin «Kampion i Kristianizmit». Kurse Volteri ka shkruar për të: «Po të kishte qenë në krye të Perandorisë Bizantine, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, Konstantinopoli nuk do të kishte rënë në duart e Otomanëve», të cilët në atë kohë përfaqësonin Perandorinë më të fuqishme të botës. Edhe Napoleon Bonaparti e ka vlerësuar Skënderbeun si një nga katër «Gjeneralët» më të mëdhenj të Historisë.

E vërteta është se shqiptarët po ta kishin konsideruar fenë islame dhe çdo fe tjetër më të rëndësishme se identitetin kombëtar nuk do ta kishin bërë Skënderbeun Hero të tyre kombëtar.

Dr. Alexandre Lambert, është historian zvicerian, që ka si gjuhë amtare gjermanishten. Eshtë doktoruar në Relacione Ndërkombëtare në Institutin Universitar të Studimeve të larta Ndërkombëtare në Gjenevë dhe është Drejtor Akademik i “School of International Training” në Gjenevë. Ai është autor i disa librave dhe artikujve në fushën e relacioneve ndërkombëtare të filozofisë politike, të politikës së sigurisë dhe lidhjeve civile-ushtarake. Eshtë ekspert i OSBE dhe i kontrollit demokratik të reformës së Forcave të Armatosura. Ai ka dhënë kontributin e vet në shumë takime ndërkombëtare në Amerikë, në Evropë, në Kaukaz, në Azinë Qendrore dhe në veçanti në Evropën Juglindore, si në Slloveni, Kroaci, Serbi, Bosnjë, Mal të Zi, e në shumë forume ndërkombëtare, si atë të Kran Montanës, ku ka njohur delegacionet e Shqipërisë, të Kosovës etj. Ai e ka vizituar Shqipërinë dhe ka filluar të njohë çështjen shqiptare që në rini të tij me kërkimet e bëra në Arkivin e Lidhjes së Kombeve në Gjenevë.

Lexo intervistën e plotë këtu

Botuar fillimisht në: Gazeta Panorama, 31/11/2007

Kliko për të komentuar

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Keshilla per blerjet tuaja

Më të lexuarat

Keshilla per blerjet tuaja

Shkrime të ngjashme