fbpx
Lidhu me ne

Çkemi! Çfarë po kërkoni?

Histori

Dogjën historinë e Shqipërisë dhe grabitën pasurinë e paçmuar! – nga Bexhet Çobani

Biblioteka private e familjes Libohova ishte më e madhja dhe më e vlefshmja në Shqipëri. Ajo përmbante dokumente dhe materiale që nga periudha e qeverisjes së vilajetit të Janinës, prej viteve 1580, ku vezirë kanë qenë Asllanpashallijtë dhe trashëgimtarët e tyre familja Libohova.

Në atë bibliotekë gjendeshin dokumente autentike të qeverisjes së Ali Pashë Tepelenës. Pinjollët e familjes Libohova janë stërnipërit e Shanishasë, motrës së Ali Pashait.

Në mbarim të vitit 1926, pak kohë para vdekjes, Mufid Bej Libohova përfundoi pjesën e parë të kujtimeve të tij politike dhe diplomatike, e cila mbulonte periudhën 1896-1927. Në ato kujtime përfshiheshin edhe dokumenta shtetërore dhe ndërkombëtare, origjinale, të pa botuara, me një rëndësi të veçantë për Historinë e Shqipërisë.

Ishin aty dhe fjalimet e debatet në Parlamentin e Stambollit, në favor të Pavarësisë Kombëtare Shqiptare, si dhe veprimtaria Mufidit në fushën diplomatike ndërkombëtare, me qeveritë e mëdha të kohës.

Këto shkrime të gjera, si dhe studime të tjera historike dhe juridike, mbetën në bibliotekën e Mufidit në Libohovë, bibliotekë që përmbante më tepër se 5000 vëllime të ndryshme, dorëshkrime autentike dhe materiale arkivore mbi historinë e Shqipërisë.

Kishte gjithashtu dokumente mbi caktimin e kufijve shqiptare në vitet 1914, proces në të cilin Mufid Libohova ishte anëtari i vetëm shqiptar, përfaqësues i shtetit të sapoformuar, i cili u lejua të merrte pjesë në Komisionin Ndërkombëtar të Ndarjes së Kufijve.

Në këtë bibliotekë gjendeshin materiale, dokumenta e dorëshkrime mbi shpalljen e Pavarësisë, lindjen e Shtetit Shqiptar dhe vazhdimësinë e tij deri në vitet 1927.

Gjendeshin gjithashtu vëllime të tëra mbi historikun e Vilajetit të Janinës, dokumenta mbi shqiptarët e Greqisë, materiale arkivore pronësie të familjeve të mëdha shqiptare dhe dorëshkrime të dinastisë Libohova mbi historinë e Shqipërisë.

Urdhëri për djegjen e bibliotekës Libohova nga udhëheqja komuniste në vitin 1944, ishte kërkuar nga udhëheqja komuniste Jugosllave. Partizanët injorant bërtisnin “Të djegim librat e beut”, pa kuptuar se çfarë dëmi kolosal i po i bënin historisë dhe kulturës së kombit Shqiptar.

Përveç djegies së bibliotekës, komunistët e sapo ardhur në pushtet, në vitin 1944, sekuestruan, plaçkitën, dëmtuan dhe shkatërruan barbarisht edhe kompleksin e sarajeve të familjes në Libohovë; 4 ndërtesa të mëdha, mbi dy kate, me më shumë se 30 oda, të vendosura në Pazarin e Libohovës. Objekte të mobiluara me vepra arti, me shumë kopshte me pemë e lule, të rrethuara nga mure të lartë dhe me tre hyrje kryesore.

Midis të tjerash, u plaçkitën mobilje të vlefshme, disa prej tyre antike, hallira, qilime persiane dhe ornamente të vjetra e të çmuara, argjendari, kristaleri, piktura të vjetra me rëndësi kombëtare, dokumente të rëndësishme arkivore e shumë koleksione. Veçanërisht një koleksion sahatesh xhepi zvicerane të florinjtë esmalto, me shumë rëndësi e vlerë, e pakta 30 copë; xhevahire të vjetra familjare dhe shumë sende të vlefshme.

Gjithashtu, u zhdukën disa sende me vlerë historike të madhe, si shpata e Sulltan Bajazitit, e zbukuruar me gurë të çmuar, shala dhe armatime të ndryshme të Ali Pashë Tepelenës, e cila ishte trashëguar prej tij nga shtëpia e bejlerëve të Libohovës; u zdukën kobure, pushkë, shpata të dekoruara me gurë të çmuar etj.

U zhduk edhe një kokë mermeri e lashtë, antikuariat i periudhës helenike, i cili paraqiste një Dea e asaj periudhe, objekt ky me vlerë historike dhe artistike të paçmueshme.

Sipas disa burimeve të besueshme, rezulton se disa nga keto objekte të grabitura, antikuare me vlera te rralla, Enver Hoxha ia pati dhuruar Titos së Jugosllavisë, si shenjë miqësie dhe mirënjohje për dashamirësinë vëllazërore të tij ndaj shokëve komunistë shqiptarë, duke harruar kështu masakrat gjakatare të serbëve ndaj popullsisë shqiptare të Kosovës dhe futjen e saj me dhunë në Federatën Jugosllave.

Enver Hoxha i dhuroi Josif Broz Titos disa suvenire me vlera monumentale kombëtare, pronë dhe pasuri e familjes Libohova, të ruajtura në breza nga kjo familje e shquar me prejardheje nga vezirët e Arsllan Pashallinjve të Janinës.

Sipas Kapllan bej Libohovës, shprehur prej tij gjatë vizitës në Libohovë në vitin 2001, shpata e Sulltan Bajazitit ishte pronë e familjes Libohova. Historiani Luan Malltezi rikujton kontekstin historik të asaj periudhe. Thekson mes të tjerash se Sulltan Bajaziti II ka udhëhequr forcat otomane në fushatat e zhvilluara në Shqipëri.

Sulltan Mehmeti II kishte vdekur dhe në krye të Perandorisë Osmane, nga dy djemtë e tij, ngjitet Bajaziti II. Ai ishte një figurë qëndrore për stabilitetin që vendosi në Perandorinë Osmane. Bajaziti II udhëhoqi fushatat ushtarake kundër kryengritjeve të himarioteve në vitet 1481 dhe 1492, si dhe në pushtimin e Durresit në 1506.

“Shpata në fjalë mban numrin e inventarit 841. Eshtë në gjëndje të mirë, edhe pse nuk është restauruar. Nuk rrezikohet dhe nuk paraqet ndërhyrje urgjente”, – thotë Frederik Stamati, shef i Laboratorit të Konservimit dhe Arkeometrisë. Ai thote se studimi i kesaj shpate dhe i disa objekteve të tjera do të vazhdojë. Qëllimi është të botohet nje album me fotografi të këtyre objekteve dhe me historikun e tyre, album i cili do të dojë edhe dy vite punë.

Stamati shpjegon me pak fjalë rrugën se si shpata e Sulltan Bajazitit erdhi në Fondin e Institutit të Kulturës. Si fillim kjo shpatë u gjend në Institutin Shkencor, në vitet 1947-1948. Më pas fondi ku ajo bënte pjesë kaloi në varësi të Institutit të Historisë dhe Gjuhësisë, për të ardhur më vonë tek Instituti i Kulturës, vend ku ndodhet edhe sot e kësaj dite. Sipas institutit, historia e origjinës së këtij objekti nuk dihet.

Kapllan Bej Libohova, pinjolli i familjes Libohova, ka shkruar se shpata e Sulltan Bajazitit është sekuestruar në sarajet e familjes Libohova ne vitin 1944. Ai shpresonte që shpata e Sulltan Bajazitit të ndodhej ende në Shqipëri.

Në romanin “Kojrillat” të autorit Fatmir Terziu, në faqen 151 shkruhet edhe për suveniret e familjes Libohova, të cilat u grabitën nga fondi arkivor i kësaj familje.

Fatmirësisht familja Libohova ruan ende një objekt me shumë vlerë, fustanin e Shanisha Libohova, motrës së Ali Pashë Tepelenës, nuse në familjen Libohova. Ky objekt është ekspozuar për publikun para disa vitesh në hotel Rogner në Tiranë nga niprit e Mufid Bej Libohovës.

Përgatiti: Ing. Bexhet Çobani

1 Koment

1 Koment

  1. Fjodora

    28 Qershor, 2022 at 1:20 pm

    Fatkeqesi! As pushtuesi nuk ta ben kete qe i kemi bere vetes!

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Uji Tepelene Euro2024

Keshilla per blerjet tuaja

Më të lexuarat

Keshilla per blerjet tuaja

Shkrime të ngjashme