Gjeniu i anijes
Vështroni si shket sipër valash
E tundet anija me nge? –
…Me krismë-e me prush prej stërkalash
Mbi të shkrepëtiu një rrufe!…
Ti det, brohori fshehtësirë!
Kuptim i potershëm, ti det!
…Po heshtje: ndaj valës së nxirë
Gjeniu i anijes po flet:
Prej zallit që sot po largohem,
Fillova mërgimin e ri;
Hepohem…anohem…humbohem…
Po sulmin s`e ndal kurrsesi.
Dh`aspak nuk më tremb zhurmëria,
Ndaj turret me hov e vertik
Mbi ballë-e mbi korje të mia
Ndërsimi-i tallazit armik.
Përpara kur shoh gjeratore,
Dh`ato më gremisin në fund-
Mbi kulmin e valës malore
Un` heq të shpëtoj sa me mund.
E morti fatkeq në më ciku,
N`u desh tmerrësisht të fundas-
Aspak nuk më thyen rreziku,
Po nis e përmbysem me gas:
Se prapa lë vazhdën e ndritur-
Q`e hapa me shpirtin fatos:
Fistonin gazmor ku pat shkitur
Valim-i anijes q`u sos.
Valim-i anijes së letë
Qetohet,ndalohet,mbaron
Njeriu i anijes përjetë
Hepohet…anohet…valon…
– Lasgush Poradeci
_______________________
Lasgush Poradeci (Llazar Sotir Gusho) – (Pogradec, 27 dhjetor 1899 – Tiranë, 12 nëntor 1987) ishte poet, përkthyes dhe shkrimtar, pionier i Romanticizmit dhe Realizmit letrar shqiptar.