55 vite histori e gjimnazit “11 Shkurti” Libohovë përfundon së shpejti, fatkeqësisht!
Një urdhër i ZVA Gjirokastër i ndryshon statusin nga gjimnaz në shkollë e mesme e bashkuar dhe përfundimisht vulos dështimin më të madh të arsimit në Libohovë, bashkimin e shkollave më në zë të Jugut dhe gjithë Shqipërisë.
Një fund i paralajmëruar, që për shumë arsye sot po realizohet në heshtje larg syve e veshëve të banorëve, e në bashkërendim me shumë instanca të tjera.
Po sot askush nuk mund të bëjë asgjë.
Sepse që të shpëtohej ky gjimnaz e të mos binin këmbanat e alarmit edhe për shkollën 9- vjeçare, në këto 11 vite duhej punuar e forcuar me atdhedashuri ndjenja arsimdashëse, duhej ndalur hemoragjia e largimit të nxënësve, nuk duhej toleruar propaganda e keqe në dëm të shkollave të Libohovës, të merreshin masa për transport, subvencione, mbështetje, të ofroheshin programe mësimore joshëse dhe konkurruese.
Për të larë gojën sot trumbetohet që nxënësit të zgjedhin arsim profesional. Madje shumë aktorë kanë bindur mjaft familje, që edhe pse nuk kanë të ardhura, t’i çojnë fëmijët në këto shkolla, duke rrezikuar kështu të mos hapet fare as klasa 10 për këtë vit, duke e mbyllur përfundimisht këtë institucion për 2 vite.
Por a nuk mendojnë këta “gjeni” se kjo gjë është bumerang edhe për shkollën 9- vjeçare? Që tani prindërit po mendojnë se ku do i sistemojnë fëmijët dhe kjo do sjellë kosto, energji të harxhuara, familje të rrënuara.
Arsimi profesional është alternativë për ata që dëshirojnë një zanat, por nuk mund të jetë kurrsesi alternativë në kurriz të shkollave të tjera.
Takimet boshe me mësues pensionistë apo me persona që nuk ia kanë haberin, nuk mbulojnë dot fjalën DËSHTIM që i rezervuan Libohovës e zonës mbarë në këtë dekadë këto mendje “të ndritura” të arsimit.
Pa bursa studimi, të tradhtuar çdo maturë shtetërore, tani edhe pa gjimnaz të rinjtë libohovitë.
Sa keq të jesh dëshmitar i rrënimit! Sa mëkat për ata që e sollën në këtë ditë!
– Adil Xhelili
Ish mësues dhe drejtues arsimi në Qarkun Gjirokastër