“Kafshatë që s’kapërdihet asht, or vlla, mjerimi,
kafshatë që të mbetë në fyt edhe të zë trishtimi,
kur shef ftyra të zbeta edhe sy t’jeshilta
që t’shikojnë si hije dhe shtrijnë duert e mpita.
…
Mjerimi s’don mshirë. Por don vetëm të drejt!
Mshirë? Bijë bastarde e etënve dinakë,
t’cilt n’mnyrë pompoze posi farisejt
i bijnë lodërtinës me ndjejt dhelparak
tu’ ia lëshue lypsit një grosh të holl’ n’shplakë.”
Këto vargje të Migjenit janë shkruar gati një shekull më parë, si një shuplakë kundër padrejtësisë dhe pabesisë që bie mbi shtresat më të brishta të shoqërisë, atyre të cilëve jeta u ka dhënë një barrë të rëndë mbi supe.
Por, përpos hallit që u ka rënë mbi vete, ata duhet të durojnë edhe poshtërimin publik që u bëhet nga instancat shtetërore, të cilat, për përfitime politike në periudhë elektorale, i rreshtojnë në një paradë të turpshme dhe i fotografojnë tek zgjatin dorën për ndihmë.
Një ndihmë që shteti nuk mund ta japë si lëmoshë, por si një detyrim ligjor e moral, kundrejt më të përvuajturve mes nesh.
Edhe besimi në Zot na kujton që të ndihmojmë më të pamundurit; ti ndihmojmë dhe mos t’ua përmendim, sepse të përmendësh kafshatën është më keq se vuajtja e sëmundjes.
Gjithësecili ka të drejtën ta jetojë jetën e tij si e mendon; ka të drejtën ta përballojë sëmundjen dhe fatkeqësinë në heshtje. Ne, shoqëria dhe institucionet, kemi detyrimin, ligjor dhe moral, ti ndihmojmë t’ua lehtësojmë sadopak dhimbjen e vuajtjen. Kurrësesi nuk mund ti përçmojmë me parada publike të turpshme dhe ti fotografojmë me dorën e shtrirë.