fbpx
Lidhu me ne

Çkemi! Çfarë po kërkoni?

Histori

Kalaja Pellazgo-Ilire e Labovës së Kryqit, gjurmë 3 mijë vjeçare të qytetërimit shqiptar

Kalaja e Labovës së Kryqit është një prej monumenteve më të vjetër në Shqipëri. Studiuesit mendojnë se kjo fortesë madhështore, sëbashku me qytetin që ajo ruante të sigurt brenda vetes, të jetë ndërtuar në periudhën midis shekujve X dhe V para Krishtit. Fortifikimi është vendosur mbi një masë shkëmbore të shkëputur prej malit Bureto, në pjesën veri-perëndimore të tij. Ky vendbanim antik identifikohet nga studiuesit edhe me emrin Paleokastër, për shkak se shpati në të cilin ai është vendosur mban po këtë emër.

Gurët me të cilët është ndërtuar kjo kala kanë përmasa shumë të medha. Ata shkojnë deri në 2 metra gjatësi, 1 metër gjerësi dhe 0,5 metra trashësi. Gjatësia mesatare e mureve të kalasë është rreth 160 metra, ndërsa lartësia e tyre, në disa pjesë ku kalaja është ruajtur disi më mirë, shkon në mbi 5 metra.

Përmasat e mëdha të këtij fortifikimi dhe gurët e stërmëdhenj që janë përdorur për ndërtimin e tij janë tregues të fuqisë ekonomike dhe ushtarake të këtij qytetërimi në periudhën e shkëlqimit të tij. Në brendësi të portës kryesore të kalasë është zbuluar një varr, në të cilin është gjetur një medalion që dëshmon se ai i përkiste një ushtari të Pirros së Epirit. Tregues ky i lidhjes së këtij qyteti me qytetin e ndërtuar nga vetë Pirro, Antigonenë, i cili ndodhet vetëm pak kilometra larg tij.

Në anën jugore të kalasë ka një kullë në formë trapezoidale, ndërsa në anën perëndimore ka një hyrje të përforcuar me kullë gjysëm rrethore. Ndërsa në kodrat mbi kala, në Arkofole, gjenden mbetjet e rreth 150 shtëpive antike, të cilat ishin pjesë e këtij qyteti, një tjetër fakt ky që tregon për përmasat e mëdha te këtij qyteti antik. Në brendësi të kalasë, në drejtim të portës lindore, janë mbetjet e dy kishave, Shën Diona dhe Shën Diela.

Qytetërimi i vendosur në kalanë e Labovës së Kryqit i ka fillesat e tij në periudhat para-ilire. Ai ka pasur një ekspansion të vazhdueshëm, si pasojë e fuqisë së tij ushtarake dhe tregëtisë. Shkëlqimin e tij ai mendohet ta ketë arritur gjatë shekujve III dhe II para Krishtit, periudhë që përkon edhe me mbretërimin e Pirros së Epirit.

Kalaja e Labovës së Kryqit ndodhet përgjatë luginës së Drinos, një prej zonave më të lulëzuara në periudhën e antikitetit, me qytete të shumta, si Antigoneja, Adrianopoli, Melani etj. Ky sit arkeologjik, monument kulture, është zbuluar vetëm pjesërisht, pasi gërmimet arkeologjike të kryera në të mbi 50 vite më parë kanë qenë vetëm të përcipta. Mendohet se nëntoka ruan ende shumë sekrete për rendësinë e këtij qyteti antik, i cili u shkatërrua pas pushtimit të Ilirisë nga romakët, sëbashku me Antigonenë dhe me shumë qytete të tjera ilire.

Kliko për të komentuar

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Uji Tepelene Euro2024

Keshilla per blerjet tuaja

Më të lexuarat

Keshilla per blerjet tuaja

Shkrime të ngjashme