Kangët e pakëndueme
Thellë në veten teme flejnë kangët e pakëndueme,
të cilat ende vuejtja as gëzimi s’i nxori,
të cilat flejnë e presin një ditë ma të lumnueme
me shpërthye, m’u këndue pa frigë e pa zori.
Thelltë në veten teme kangët e mia jesin…
e unë jam vullkani që fle i fashitun,
por kur t’i vijë dita të gjitha ka me i qitun
në një mijë ngjyra të bukra që nuk vdesin.
Por a do të vijë dita kangët me u zgjue?
Apo ndoshta shekujt me ne prap po tallen?
Jo! Jo! Se liria filloi me lulzue
dhe e ndjej nga Dielli valën.
O kangët që fleni reliktet e mia
q’ende s’keni prekun as një zemër të huej,
vetëm unë me ju po kënaqem si fëmia,
unë djepi juej; ndoshta vorri juej.
– Millosh Gjergj Nikolla (Migjeni)
______________________
Millosh Gjergj Nikolla – ‘Migjeni’ (Shkodër, 13 tetor 1911 – Torre Pellice, 26 gusht 1938) ishte poet, përkthyes, shkrimtar, mësues dhe një prej përfaqësueve më të shquar të letërsisë realiste shqiptare.
Fjodora
12 Janar, 2022 at 7:53 pm
Sa e bukur kjo poezi