Kënga e Salep Sulltanit
Një mexhlis të math na çeli
Pandeli Jano Vangjeli
Me Sulltan-llokum na veli
Si kofini pas të vjeli.
Fyt’ i Floqit po pëllet,
Top’ i Krosit po kërcet,
Ç’është ky sheqer-kësmet?
Hallvaxhin’ e pamë mbret!
Dhe rakia vete-vjen
Xhafer Ypi na mbërthen
Dhe për lot na mallëngjen
Rreth konopit me legen.
Koço Kota, mjek hanxhari,
Nis një valle palikari,
Se me një ferman kusari
Sadrazem u-bë firari.
Dhe Feridi faqe ndron,
Dje shante, sot lëvdon
Fryn bulçit’ e trumbeton,
Që katrani zbardhëllon.
Dhe sarhosh Iljas Vrioni
Dehet, siç e do zakoni,
Bërtet: “Rroftë Napoloni!
Kështu tha dhe Ksenofoni!”
Se ç’ u-çporr xhumhurieti,
Se ç’u-rehatos mileti,
Se Sulltanin prap’ e gjeti,
Se, që kur e humbi, s’fjeti!
Ç’ka sepse i vjetri qe
Madhështor sa një deve
Dhe ky s’bën as për meze!
Rroftë sa jep ylefe.
Se ç’ na u-gëzua xhani,
Se ç’na preu Ramazani,
Se ç’ na piu italjani,
Rroftë pra Salep-Sulltani!
– Fan S. Noli
______________________
Fan S. Noli (İbriktepe, 6 janar 1882 – USA, 13 mars 1965) ishte shkrimtar, mësues, diplomat, politikan, historian, orator, themelues i Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare, Kryeministër i 13-të i Shqipërisë (1924), atdhetar dhe veprimtar i shquar i Rilindjes Kombëtare.