Kongresi i Manastirit është një prej ngjarjeve historike më të rëndësishme të kombit shqiptar. Ky kongres u mbajt në përiudhen midis dy ngjarjeve të tjera vendimtare për fatet e kombit, Lidhja e Prizrenit (10 qershor 1878) dhe Shpallja e Pavarësisë (28 nentor 1912).
Deri në atë kohë gjuha shqipe shkruhej e lexohej me 6 apo më shumë alfabete të ndryshëm. Rilindasit dhe atdhetarët e mëdhenj shqiptarë kuptuan se kjo situatë ishte e papranueshme dhe potencialisht e rrezikshme për të ardhmen e gjuhës shqipe dhe të vet kombit shqiptar, si pasojë e tentativave asimiluese nga vendet pushtuese dhe fqinjët, prandaj ata vendosën për zhvillimin e një konference shkencore në të cilën do të zgjidhej dhe do të standartizohej alfabeti i gjuhës shqipe.
Kongresi u mbajt prej shoqërisë “Bashkimi” në Manastir, midis datave 14 nëntor – 22 nëntor 1908. Pjesëmarrësit në kongres ishin figura të dalluara të jetës kulturore e politike mbarëshqiptare. U thirrën 50 delegatë, përfaqësues të 23 qyteteve të banuara nga shqiptarët, shoqërive kulturore e patriotike, 32 nga të cilët kishin të drejtë vote dhe 18 vëzhgues.
Ndër delegatët më të shquar qenë Gjergj Fishta, Mid’hat Frashëri, Luigj Gurakuqi, Gjergj Qiriazi, Ndre Mjeda, Grigor Cilka, Dhimitër Buda, Shahin Kolonja, Bajo Topulli, Sotir Peçi, Parashqevi Qiriazi, Nyz’het Vrioni, Fehim Zavalani etj. Drejtues i Kongresit u zgjodh At Gjergj Fishta.
Fjala hapëse e At Gjergj Fishtës në kongres pati një ndikim të thellë te të gjithë pjesmarrësit: “Nuk kam ardhë këtu ta mbrojë ndonjë alfabet të veçantë, por kam ardhë që të bashkohem me ju dhe ta pranoj alfabetin të cilin do ta zgjedhë Kongresi e që do të jetë më i dobishmi për ta zgjuar popullin. Armiqtë që e rrethojnë Shqipërinë janë të shumtë dhe të gjithë provojnë të na i marrin tokat, por nëse ne nuk mundemi ta mbrojmë atdheun tonë me fuqinë tonë morale, do ta mbrojmë me armë dhe nuk do t’i lejojmë armiqtë e Shqipërisë që ta marrin asnjë pëllëmbë të territorit tonë.”
“Nuk mund t’i përshkruaj lehtë këshillat e vlefshme që na i dha Fishta. Ishin aq të rëndësishme sa që të krishterët dhe myslimanët nuk mundën t’i ndalnin lotët. Kur At Gjergj Fishta e përfundoi fjalimin dhe kur po zbriste nga podiumi, hoxhë Hafiz Ibrahim efendiu, i cili e përfaqësonte klubin e shqiptarëve të Shkupit, i doli shpejt përpara, e përqafoi dhe e puthi duke i rjedhur lotët nëpër faqe. Kjo skenë që ndodhi në prezencë të diku rreth 300 deri në 400 njerëz, nga të cilët dy të tretat ishin myslimanë, la përshtypje jashtzakonisht të thellë te të gjithë ne.” – do të shkruante më vonë Gjergj Qiriazi, njëri nga pjesëmarrësit e Kongresit.