fbpx
Lidhu me ne

Çkemi! Çfarë po kërkoni?

Folklor

Laver Bariu, kolosi i muzikës popullore shqiptare

Laver Bariu është një prej muzikantëve popullorë më të vlerësuar dhe më të dëgjuar prej publikut shqiptar. Ai ishte themelues dhe drejtues i Sazeve të Përmetit për disa dekada, mjeshtër i klarinetës, pjesmarrës në çdo Festival Folklorik Kombëtar deri në vitin 2000, i dekoruar me çmime të shumta gjatë karrierës së tij, si “Artist i Popullit” dhe “Mjeshtër i Madh”.

Studiuesi Shefqet Saliu flet për Laverin dhe veprën e tij:

“Guri i çmuar e gjen vetë vendin që meriton, ashtu edhe Laver Bariu. Historia shqiptare e vendosi atë në elitën e artistëve popullor si ikona e artisteve te mëdhenj shqiptar. Nga specialistët e artit dhe kulturës është cilësuar Kolos i kulturës shqiptare, që i ka dhënë jete identitetit kombëtar.

Ai bëri epokë. Është personalitet i shquar i muzikës popullore shqiptare, si instrumentist i muzikës popullore, veçanërisht llautës e klarinetës, po edhe si këngëtar. Kabatë e tij të emocionojnë. Këngët ‘Kunadhja Leshverdhë’, ‘Do të marr çiften do dal për gjah’, ‘Te rrapi në Mashkullorë’, kënga e ‘Tanës’ etj., të bëjnë të ndalësh frymëmarrjen.

Laveri ishte themelues dhe drejtues i Sazeve të Përmetit, të njohura në gjithë Shqipërinë dhe jashtë saj. Ishte një krijues i melodive e këngëve popullore, qëmtues i flokut të jugut dhe dirigjent i grupit të tij (sazeve) që organizoi. Ai ishte improvizues i këngëve në çdo gosti, dasmë, festë lokale apo kombëtare. Po mbi të gjitha ai ishte princi i klarinetës dhe kabasë. Me ndihmë e kompozitorit Aleksandër Peçi ai shkëlqeu.

Artisti i Popullit Laver Bariu është një klarinetist unik, një profesor pa diplomë që u dha profesionin e tij shumë djemve të rinj. Ai i takon një epoke të caktuar, ku sfidoi tërë atë plejadë muzikologësh, sidomos klarinetistë të Shqipërisë jugore e më tej, pa të dytë.

Në kohën e tij, po dhe brezat e më pasëm, bënë maksimalen për të marrë nga interpretimi i tij. Diçka morën, por Usta Laverin nuk e arriti kush. Ai është nga ata talente të rrallë, të cilët lindin në kohë të caktuara dhe bëjnë epoke. Emri dhe krijimtaria e Bariut është skalitur në historinë shqiptare, po ai aktualisht është po aq prezent në çdo treve etnike shqiptare.

Laver Bariu kishte një dhunti natyrale për t’u marrë me veglat muzikore. Me vendosjen e familjes së tij në qytetin e Korçës (1935), iu krijua mundësia të dëgjonte shumë muzikantë të shquar popullorë për kohën.

Rreth moshës 10 vjeçare ushtrohej në shtëpinë e tij me llautën e të atit dhe luante edhe në shumë vegla popullore, ndër to edhe në fyejt metalike. Për herë të parë luan në gërnetë së bashku me të atin, i cili e shoqëronte me llautë në vallen e “Dados”.

Kthehet në Përmet në fund të vitit 1944. Aty takohet me Usta Vangjel Leskovikun, pranë të cilit punoi me llautë për rreth një vit, ndërkohë që ushtrohej në gërnetë në mënyrë autodidakte. Pas largimit të Usta Vangjelit për në Vlorë, Laveri organizon grupin e tij.

E njoha që kur isha 4 vjeç, në fillim të viteve ’50, erdhi në fshat në një dasmë te Ymerët. Sazet e Përmetit tundën sokakët e kalldrëmta të Stërmbecit. Nuk di në se kishte ardhur më parë ose jo në atë qendër të banuar, por kësaj here në ndihmë të klarinetës së tij ishin edhe lahuta, fizarmonika, defi e ndonjë instrument tjetër.

I donin avazet e atij mjeshtri, meloditë e klarinetës tij, dhe e stolisnin me para bujku, bariu e intelektuali. Ngriheshin në valle, kërcenin dhe i vendosnin në ballë ose në klarinetë 100 lek, 250 ose 500.

Orkestrina e tij mori pjesë në Festivalin e parë Folklorik Kombëtar, Tiranë 1952, në të cilin ai vlerësohet me çmimin e parë si instrumentist popullor. Më 1954 bën regjistrimin e këngës së parë me saze, më 1957 regjistrohet si saze nga ekspedita shqiptaro-gjermane.

Kur shkova në gjimnazin “Sami Frashëri” të qytetit Përmetit në 1962, Laveri kishte një barangë këpucari me dru përball oborrit shkollës. Luanim top, me ata prej llastiku që ishin sa një grusht, dhe shpesh bashkë me topin u binim edhe gurëve.

Aq donin këpucët. Nga një palë kishim. Me to në shkollë, me to në mbrëmje, në piknik, dhe top me to luanim. Prandaj ato hapeshin shpejt dhe shkonim te usta Laveri tu fuste nja dy thumba. Të shtunave dhe të hënave nuk e gjenim aty, se zakonisht nuk e hapte dyqanin. Ikte fshatrave në dasma.

Më 1966 regjistron në Radio Tirana veç të tjerash edhe tri kaba përmetare me klarinetë. Për ta vazhduar punën cilësore me sazet e tij për të gjithë kohën, tash me titullin e merituar “Usta Laveri” të dhënë nga populli, siç e thërriste i madh e i vogël. Ka marrë pjesë në të gjitha festivalet folklorike lokale dhe ato kombëtare.

E mbaj mend në orkestrën përmetare me ‘mustaqe-lliun’ në qendër, kur dilte në festivalet e Gjirokastrës dhe gëzonte të madh e të vogël, gjithë pjesëmarrësit me duartrokitje të zjarrta e lot në sy. Edhe në Shtëpinë e Kulturës, në sa e sa koncerte, në grupet folklorike, në ditë festash lokale dhe në folkun kombëtar. Ishte bërë profesionist, por ishte talenti i tij që e ngriti në maja. Ndër artistët më të shquar të kombit shqiptar, që mahniti spektatorët kudo ku shkoi në Evropë.

Duket e çuditshme, por është realitet që ato duar të nxira, me kallo, të bëra vija-vija nga spangoja që qepte e arnonte këpucë e opinga, pasditeve apo fundjave kur ai ledhatonte klarinetën bëheshin të holla, të bukura, të ëmbla, magjepsëse.

Laveri i madh i klarinetës ishte simboli që identifikoi për gjysme shekulli Përmetin dhe përmetarët. Sazet ku ai ishte personazhi kryesor kanë një veprimtari të dendur kombëtare e ndërkombëtare, duke u njohur kudo ku kanë shkuar si “Bilbilat e Përmetit”. Ai është simbol i muzikës përmetare, i paarritshëm në interpretimin e melodive në klarinetë, të cilat gurgullonin si uji i pastër i burimeve të Nemërçkës, si Vjosa me oshtimën e saj luginës së Përmetit.

Meritë e madhe e këtyre sazeve është se ato formuan edhe një tjetër identitet të këngës popullore të toskërisë: këngën popullore përmetare.

Usta Laveri ka qenë për gjithë këtë periudhë mësuesi më i mirë i shumë klarinetistëve të tjerë popullorë të qytetit të Përmetit, por dhe të fshatrave, të cilët kanë mësuar prej tij abc-në e gërnetës popullore përmetare. Në qytetin e Përmetit, në Çarshovë, Zhepë, Stërmbec, Draçovë, Kaludh dhe deri në Kiçok janë të shumtë klarinetistët e atij brezi që mësoi Usta Laveri.

Ai mund të cilësohet si i fundit prej ustallarëve të traditës së madhe të sazeve të Shqipërisë së Jugut, thonë specialistët e fushës. Sazet e Usta Laverit janë formacioni më i kompletuar i Sazeve të Jugut për periudhën ndërmjet viteve 1950-1990.

Ndër këngëtarët më të spikatur që kanë kënduar së bashku me sazet e Usta Laverit përmenden: në vitet ’50 – Behije Roçin, Qemal Ponoçin, Aliun (i thirrur Babaçja) etj; në vitet ’60 – Jorgo Çulli dhe Ilia Nasi, Sulejman Lame “Artist i Merituar”, Xhelal Zeqiri, Viron Tanellari; në vitet ’70 – “Artisti i Popullit” Mentor Xhemali, Ylli Zeqiri; në vitet ’80 – Ardiana Daci, Robert Tralo, Drini Kanani, Vaskë e Dhimitër Curri, Donika Proko-Peçollari, Anastas Naqe, Luljeta Ilia, Evgjeni Çulli, Dhimitrulla Papa etj.

Në vitin 1977, së bashku me Çobanin dhe Mentor Xhemalin, interpretojnë dhe regjistrojnë të gjitha materialet muzikore të filmit “Gjeneral gramafoni”, me regji të Viktor Gjikës. Në vitin 1989 bëhet protagonist i filmit dokumentar muzikor “Këngët e zemrës”, me regji të Todi Bozos.

Laver Bariu u rrit nga skamja, nga puna që fëmijë, me duar me kallo, por ai u bë një kolos i kulturës shqiptare, që i ka dhënë jetë identitetit kombëtar.

Në Prill të vitit 1994 realizoi një album me muzikë popullore, në bashkëpunim me një shoqëri angleze. Një album të dytë e realizoi në Greqi. Një tjetër album muzikor të titulluar “Laver Bariu dhe valle dasmash” u realizua në Australi në vitin 1995 nga “Fezollari Productions AUSTRALIA”.

Debutimi i fundit i tij ishte pjesëmarrja në Festivalin Folklorik Kombëtar në Gjirokastër, në vitin 2000. Dekorohet nga Presidenti i Republikës me urdhrin “Mjeshtër i madh i punës”  më 2001. Po atë vit, me vendim të Këshillit Bashkiak të qytetit të Përmetit, Usta Laveri u shpall “Qytetar nderi” i Përmetit.

U nda nga jeta më 26 janar 2014, në moshën 85-vjeçare, duke lënë pas një kapital të çmuar, veprën e tij që nuk do të tretet kurrë. Muzika e këngët e tij do të dëgjohen e interpretohen brez pas brezi, për tu dhënë kuptim gëzimeve e festave familjare e kombëtare, historisë shqiptare, si një gur i çmuar i vlerave të kombit shqiptar, e që do të jehojë në përjetësi. / Shefqet A. Saliu

5 Komente

5 Comments

  1. Fjodora

    7 Shkurt, 2022 at 8:09 pm

    Respekt per kete artist te madh!

  2. Petro

    7 Shkurt, 2022 at 8:26 pm

    Klarinetist si Laveri jane te rralle

  3. Permetari

    8 Shkurt, 2022 at 4:30 pm

    Nderi i Permetit… I paharruar do ngelesh ne zemrat e gjithe permetareve.

  4. Artan

    8 Shkurt, 2022 at 4:42 pm

    Lum kush e ka degjuar live kete artist te madh

  5. Saimir

    8 Shkurt, 2022 at 4:47 pm

    Kabate e Laverit jane te paarritshme

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Keshilla per blerjet tuaja

Shkrime të ngjashme

Aktualitet

Zbrazja e Shqipërisë nga emigracioni masiv i viteve të fundit, largimi i të rinjve dhe i familjeve, po sjell një dramë të madhe sociale....

Opinion

Një vit i ri shkollor! Suksese gjithë nxënësve dhe mësuesve! Suksese prindërve që shpresojnë tek e ardhmja e fëmijëve të tyre, që besojnë ende...