Aktualitet

Makineria e pushtetit kundër Libohovës

Gara zgjedhore e 14 majit rezultoi të ishte një betejë e pabarabartë, në të cilën pushteti politik u përpoq me një sërë mënyrash që të devijonte vullnetin e qytetarëve.

Themeli i demokracisë janë zgjedhjet e lira, të ndershme e të barabarta, në të cilat çdo qytetar ka mundësinë të zgjedhë me vullnetin e tij të lirë se si ai dëshiron që institucionet të qeverisen për 4 vitet në vijim; çfarë politikash dëshiron që të ndërmerren nga të zgjedhurit prej tij, si do të menaxhohen paratë e taksave që ai paguan dhe si do të jenë shërbimet që do ti ofrohen.

Por, më së pakti, mund të thuhet se parimi i zgjedhjes me vullnet të lirë në zgjedhjet e 14 majit u deformua. Makineria shtetërore, e cila sot ka çdo pushtet nën kontroll, përdori lloj-lloj mënyrash për të devijuar vullnetin e lirë të qytetarëve.

Së pari, e bëri këtë duke përfshirë gjithë administratën, lokale e qëndrore, në fushatë zgjedhore. Me anë të taktikave të “patronazhimit” partia në pushtet i përdori të punësuarit në administratë, edhe gjatë orarit zyrtar të punës, që të ndikojnë te zgjedhësit, duke devijuar në këtë mënyrë vullnetin e tyre të lirë.

Punësimet e reja në administratë pak ditë para zgjedhjeve ishin një tjetër instrument që partia në pushtet përdori për të rritur në mënyrë të padrejtë dhe jodemokratike votat në favor të saj. Punësimet në administratë duhet të bëhen për tu shërbyer qytetarëve taksapagues, jo për ti shërbyer pushtetit politik.

Një tjetër instrument i përdorur nga partia në pushtet për të devijuar vullnetin e qytetarëve gjatë këtyre zgjedhjeve ishin investimet e orëve të fundit. Vetëm pak ditë para 14 majit, pushteti lokal dhe ai qëndror u turrën të kryejnë punë që kishin vite që prisnin e që nuk vihej dorë, kryesisht shtrime rrugësh në fshatra apo lagje, me qëllim për të ndikuar zgjedhësit në zgjedhjet që po afronin.

Nqs një rrugë, si ajo e fshatit Suhë, fillohet të shtrohet gjatë zgjedhjeve të vitit 2017, e më pas lihet në mes, për tu shtruar 6 vite më vonë vetëm dy javë para zgjedhjeve të 14 majit 2023, atëherë dukshëm kjo bëhet jo për tu shërbyer qytetarëve, por përdoret si një taktikë për të devijuar vullnetin e tyre të lirë në votim.

Kërcënimet ishin një tjetër faktor që ndikoi këto zgjedhje. Një numër qytetarësh raportojnë se kanë marrë kërcënime me heqje nga puna nqs ata nuk do të merrnin pjesë në aktitivetet e fushatës zgjedhore të organizuara nga partia në pushtet. Një praktikë kjo që bie ndesh në mënyrë flagrante me parimin demokratik të zgjedhjes së lirë, duke deformuar rezultatin përfundimtar të këtyre zgjedhjeve.

Gjithashtu, një numër qytetarësh raportojnë se gjatë këtyre zgjedhjeve ka qenë i pranishëm edhe fenomeni i kundraligjshëm i blerjes së votës. Sipas qytetarëve, shumë shtetas shqiptarë që jetojnë në emigrim janë “ftuar” dhe janë joshur nga partia në pushtet që të kthehen në vendlindje për të votuar më datë 14 maj.

Të gjitha këto kanë ndikuar në deformimin e vullnetit të qytetarëve dhe në rezultatin përfundimtar të këtyre zgjedhjeve.

Sipas të dhënave të KQZ, rezultati përfundimtar i zgjedhjeve vendore 2023 për kryetar të Bashkisë Libohovë ishte:

Në qytetin e Libohovës Adil Xhelili udhëheq me 55 vota më shumë, me një total prej 748 votash, ndërsa Leonard Hide mori në total 693 vota.

Në fshatin Nepravishtë votat u ndanë thuajse në mes. Leonard Hide mori 235 vota, vetëm 8 vota më shumë se Adil Xhelili, i cili mori 227 vota.

Në Zagori Leonard Hide kryeson me një avantazh të lehtë kundrejt Adil Xhelilit, me 20 vota më shumë. Në këtë krahinë Leonard Hide siguroi 134 vota, ndërsa Adil Xhelili mori 114 vota.

Diferenca më e dukshme ishte në fshatrat Labovë, Suhë dhe Bulo.

Në fshatin Labovë Leonard Hide siguroi 72 vota më shumë se Adil Xhelili. Në total Leonard Hide mori 128 vota, ndërsa Adil Xhelili vetëm 56 vota.

Në fshatin Suhë situata ishte pak a shumë e ngjashme. Leonard Hide mori 92 vota, 51 vota më shumë se Adil Xhelili, i cili mori 41 vota.

Në fshatin Bulo gjithashtu Leonard Hide pati një rezultat me një diferencë prej 43 votash më shumë se Adil Xhelili. Në këtë qendër votimi Leonard Hide siguroi në total 105 vota, ndërsa Adil Xhelili 62 vota.

Vetëm në këto tre fshatra, në Labovë, Suhë dhe Bulo, në të cilat janë të regjistruar shumë më pak zgjedhës se në Libohovë e Nepravishtë, Leonard Hide, kandidat i Partisë Socialiste, mori plot 166 vota më shumë se rivali i tij Adil Xhelili, kandidat i opozitës nën siglën e koalicionit Bashkë Fitojmë, duke e përmbysur në favor të tij rezultatin përfundimtar të këtyre zgjedhjeve.

Me 139 vota më shumë se rivali i tij Adil Xhelili, Leonard Hide u shpall Kryetar Bashkie për Bashkinë Libohovë. Në përfundim të numërimit, nga 2.695 qytetarë që morrën pjesë në votime, Leonard Hide kishte siguruar 1.387 vota në total, ndërsa Adil Xhelili kishte marrë 1.248 vota. 60 vota ishin të pavlefshme.

Ajo që vihet re është se në zgjedhjet e 14 majit kanë marrë pjesë 523 votues më pak se në zgjedhjet e vitit 2015. Vetëm 8 vite më parë, në zgjedhjet vendore të vitit 2015 kishin votuar 3.218 persona, nga 5.797 votues në total në rang bashkie. Në zgjedhjet e 14 majit 2023 votuan 2.695 qytetarë, nga 5.980 persona gjithsej me të drejtë vote.

Në zgjedhjet vendore të vitit 2019 morrën pjesë në votim vetëm 1.275 qytetarë, por këto zgjedhje nuk mund të merren për bazë në këtë krahasim, pasi ato ishin zgjedhje një-partiake, me vetëm një kandidat në garë për kryetar bashkie.

Pra, siç mund të vihet re, edhe pse numri i qytetarëve me të drejtë vote të regjistruar në Bashkinë Libohovë në këto 8 vite është rritur me 183 veta, numri i qytetarëve që janë paraqitur në qendrat e votimit në vitin 2023 është ulur në mënyrë drastike, me 523 votues më pak, në raport me ata që kanë shkuar të votojnë 8 vite më parë.

Kjo vjen si pasojë e emigrimit masiv të qytetarëve të Libohovës dhe të fshatrave të saj përgjatë këtyre 8 viteve. Ky numër qytetarësh që mungojnë në qendrat e votimit në këto zgjedhje, në raport me zgjedhjet e vitit 2015, janë pikërisht ata qytetarë që janë detyruar të largohen nga vendlindja si pasojë e mungesës së punës, mungesës së shërbimeve nga qeverisja lokale e qëndrore dhe në përgjithësi si pasojë e mungesës së prespektivës.

Këtyre qytetarëve, në mënyrë indirekte, u është mohuar e drejta e votës, pasi ata nuk kanë e pasur mundësinë të jenë fizikisht në Shqipëri ditën e votimit, për të shprehur vullnetin e tyre me ane të votës.

Këtë të drejtë vote të mohuar për disa qytetarë, partia në pushtet ua garantoi disa qytetarëve të tjerë, të cilët në mënyrë selektive i “ftoi” prej emigracionit të vinin të votonin në atdhe, duke ofruar para për “shpenzimet” e tyre. Të paktën kjo është ajo çka qytetarë të shumtë në komentet e tyre sugjerojnë të ketë ndodhur në fshatrat Labovë, Suhë e Bulo, por edhe në Libohovë e Nepravishtë.

Sot Libohova ndodhet në një pikë kritike të ekzistencës së saj. Qytetarë të shumtë e kanë braktisur këtë qytezë. Të rinjtë nuk e shohin më Libohovën si një vend ku mund të ndërtojnë të ardhmen e tyre. Ata po e braktisin dita-ditës këtë vend, duke e pakësuar edhe më tej numrin e popullsisë dhe duke lënë pas vetëm moshën e tretë.

Si pasojë, shkollat janë duke u mbyllur njëra pas tjetrës në gjithë bashkinë dhe sot po rrezikohen edhe shkollat e qytetit. Nxënësit që ndjekin arsimin parashkollor këtë vit në Libohovë janë vetëm 4-5 fëmijë, të cilët vitin që vjen do të jenë kontigjenti për tu regjistruar në klasë të parë në shkollën 9-vjeçare “Avni Rustemi” të Libohovës. Kjo nqs ndërkohë nuk largohet nga Libohova edhe ndonjë familje tjetër me fëmijën e saj. Atëherë numri i nxënësve në klasë të parë vitin që vjen mund të jetë edhe më i vogël se aq.

Libohova ka nevojë për punë serioze. Punë që u japin zgjidhje problematikave të qytetarëve dhe që u ofrojnë atyre një prespektivë të re për të jetuar në këtë qytet.

Përndryshe, ky vendbanim i hershëm, sëpaku 2500 vjeçar, i cili u ka bërë ballë pushtimeve e luftrave, i ka bërë ballë për shekuj me rradhë hordhive barbare, sllave e otomane, fatkeqësisht mund të pushojë së ekzistuari në fillimet e shekullit 21, si pasojë e neglizhencës dhe keqqeverisjes.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Shkrime të ngjashme

Aktualitet

55 vite histori e gjimnazit “11 Shkurti” Libohovë përfundon së shpejti, fatkeqësisht! Një urdhër i ZVA Gjirokastër i ndryshon statusin nga gjimnaz në shkollë...

Të gjitha të drejtat e rezervuara © 2023 Libohova Post

Exit mobile version