Malli për heronjtë
S’ka heronj, heronjtë i përzumë,
Me lavdi përditë i nanuritëm,
Dhe me lajka dalngadalë i vumë,
Një nga një në prehje dhe në gjumë.
S’ka heronj, heronjtë u mërzitën,
Prisnin ëndrrat, ëndrrat u vonuan,
Duke pritur heshtën e dremitën,
Dhe ne nina-nana u kënduam.
Ç’digjeni nga malli për heronjtë!
Kushedi kur kthehen nga kjo anë.
Ç’i kërkoni! Pritja është e kotë,
S’ka heronj, tani ka pelivanë!
– Dritëro Agolli
_______________________
Dritëro Agolli (Devoll, 13 tetor 1931 – Tiranë, 3 shkurt 2017) ishte shkrimtar, poet dhe gazetar shqiptar.