fbpx
Lidhu me ne

Çkemi! Çfarë po kërkoni?

Opinion

Mirënjohja e libohovitëve është e shkruar në zemër, jo në fjalë që i merr era – nga Adil Xhelili

Që kur kanë lerë e që kur kanë vënë emër, libohovitët, nepravishnjotët, zagoritët dhe gjithë banorët e bashkisë sonë kanë punuar e luftuar që djersën e ballit ta gëzonin e të mos ua lëvdonin; suksesin ta kishin për ta dhuruar, e me të të bënin emër për vendlindjen e më tej për Shqipërinë.

Libohova e zona mbarë ka burra dhe gra që fjalën “mirënjohje” nuk e duan të shkruar në letër, por në zemër, ditë për ditë, në familje, në rrugë, në kafe, në punë, në dasma e vaki.

Ustallarët libohovitë e nepravishnjotë, me emër në gjithë Shqipërinë e përtej saj, kanë trashëguar mirënjohjen e zanatit të tyre në punët që kanë bërë. Ustallarë të rinj e në moshë po ngrenë shtëpi, mure, çati, bujtina dhe nuk kërkojnë mirënjohje më të madhe sesa mundësi për punësim, kushte e lehtësi për profesionin e tyre.

Mjeshtra të drurit libohovitë e labovitë kanë zbukuruar banesa, hotele, kisha, teqe e xhami dhe kurrë nuk kanë kërkuar mirënjohje më të madhe sesa një treg pune, konkurrencë e promovim.

Fermerë libohovitë, nepravishnjotë e zagoritë luftojnë me kohën për të mos e humbur prodhimin, por subvencioni tek ta nuk arrin ose fare ose aspak në kohë. Mirënjohja për ta do të ishte mbështetja për treg, për mbrojtje të prodhimit, për shtim të krerëve, për çmim më të lartë të bulmetit.

Mjek dhe infermierë të Libohovës e zonës mbarë, burra dhe gra që u qëndruan pranë njerëzve në ditë të vështira, mirënjohja kërkojnë që t’u shkojë në paga të larta, në kushte pune moderne dhe mbështetje në çdo formë, që të mos i lënë pacientët e të ikin në Evropë.

Mësues libohovitë, e jo vetëm, duan si mirënjohje punë dhe pagë të garantuar; mësues pensionistë që meritojnë piedestal, por edhe të rinj që po na mbajnë shkollat hapur e qytetin gjallë.

Talente libohovitë që na mrekullojnë, duan si mirënjohje mbështetje ekonomike, që të ecin në konkurse e gara, të shtojnë kreativitetin të na lumturojnë, dhe të mos skuqemi kur nuk u japim dot as pak lekë për të shkuar në Tiranë për të garuar, lere më tej në Evropë.

E shumë e shumë të tjerë, që me punë e me nder kanë çelur akademi estetike, akademi talentesh në IT, profesorë, doktorë shkencash, shkrimtarë, mjekë, veterinerë, biznesmenë etj. të cilët i bëjnë nder kësaj zone, nuk kërkojnë thjesht “mirënjohje”, por një derë të hapur e një zemër të ngrohtë në Libohovë, që të ndihen si në shtëpi e të japin me zemër e të marrin me dashuri.

Dhe mirënjohja, kur jepet me zemër, nuk ka nevojë për mikrofon, për kamera e për show politik në prag zgjedhjesh, por për vërtetësi, përulje dhe dashamirësi të përditshme.

Adil Xhelili
Ish mësues dhe drejtues arsimi në Qarkun Gjirokastër

Kliko për të komentuar

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Uji Tepelene Euro2024

Keshilla per blerjet tuaja

Më të lexuarat

Keshilla per blerjet tuaja

Shkrime të ngjashme