fbpx
Lidhu me ne

Çkemi! Çfarë po kërkoni?

Personazh

Musine Kokalari, shkrimtarja e parë shqiptare, u dënua e persekutua për idetë e saj demokratike

Musine Kokalari, shkrimtarja e parë shqiptare femër, studiuesja dhe aktivistja politike, themeluese e Partisë Socialdemokrate të Shqipërisë në vitin 1943, u lind më 10 Shkurt të vitit 1917 në Adana të Turqisë, në gjirin e një familjeje gjirokastrite patriotike. Një intelektuale me ide demokratike që u burgos dhe vuajti poshtërimin e një gjyqi publik nën një regjim despotik komunist që vrau vëllezërit e saj dhe e mbajti në burg, të internuar dhe në vëzhgim gjatë pjesës më të madhe të jetës së saj.

Në 1920, së bashku me familjen kthehet në  atdhe. Që në moshë të re Musineja tregoi një pasion të veçantë për letërsinë dhe për folklorin kombëtar në veçanti. Pasionin e saj e kultivoi veçanërisht përmes librarisë “Venus” që i vëllai i saj Vesim Kokalari zotëronte në Tiranë në mes të viteve ’30. Në periudhën 1930-1937 u shkollua në Tiranë, fillimisht në institutin “Qiriazi” e më pas në institutin e ciklit të mesëm “Nëna Mbretëreshë”.

Më 1938, Musineja nis studimet në Fakultetin e Letërsisë Moderne në universitetin “La Sapienza” në Romë. Më 1939, Musine Kokalari shkruan veprën e saj të parë letrare të titulluar “Siç më thotë nënua plakë”. Kjo vepër u publikua rreth vitit 1941 në Tiranë, si një koleksion i përbërë nga dhjetë rrëfenja të frymëzuara kryesisht nga kultura popullore e zonës së Gjirokastrës dhe të kompozuar në dialektin Tosk.

Në qendër të kësaj vepre qëndon figura e gruas Gjirokastrite dhe mundimet që duhet të përballeshin prej saj brenda një shoqërie thellësisht patriarkale. “Siç më thotë nënua plakë” cilësohet si vepra e parë letrare e shkruar dhe publikuar nga një grua Shqiptare në të gjithë historinë e vendit.

Në vitin 1942, Musine Kokalari diplomohet me rezultate të shkëlqyera dhe vendos të rikthehet ne Shqipëri. Me një vizion tashmë të zgjeruar e të pasuruar, ajo vendoset në Tiranë, ku krahas punës vetjake letrare ndërmerr dhe nisma të rëndësishme në fushën e publicistikës.

Përgjatë vitit 1942, emri i Musine Kokalarit përfshihet në Enciklopedinë Italiane si një shkrimtare e talentuar me potencial të lartë letrar. Si pjesë e nismës antifashiste në Shqipëri, ajo jep ndihmesën e saj në botimin e revistës “Gruaja Shqiptare” në Qershor të 1943.

Në të njëjtin vit, krijohet “Partia Social Demokrate e Shqipërisë”, pjesë e së cilës ishte dhe Musineja, si themeluese e frymëzuese kryesore e këtij entiteti politik. Në vijimësi të këtij projekti politik, në 1 janar të vitit 1944 Musine Kokalari bashkë me Prof. Isuf Luzi publikojnë numrin e parë të gazetës “Zëri i Lirisë”.

Veprimtaria e saj si mbrojtëse e idealeve demokratike dhe patriotike përqendohet në librarinë “Venus” që zotërohej nga vëllezërit e saj. Kjo librari u kthye shpejt në një qendër ku mblidheshin dijetarë dhe dashamirës të ndryshëm të letërsisë dhe politikës që ndanin pikëpamjet progresiste të Musinesë.

Përgjatë vitit 1944, Musineja shkroi një sërë studimesh gjuhësore. Në të njëjtin vit, përmes Shtëpisë së Botimit “Mesagjeritë Shqiptare” që zotërohej nga vëllezërit e saj, Musineja publikoi dy veprat e saj me titujt “Rreth Vatrës” dhe “Sa u tunt Jeta”. Këto vepra të kompozuara në formën e koleksioneve me tregime të shkurtra, apo në formën e rrëfenjave folklorike, u pritën mjaft mirë nga një numër i madh shkrimtarë brënda dhe jashtë vendit si dhe konfirmuan vlerat si shkrimtare të Musine Kokalarit.

Fatkeqësisht, kjo kohë e frytshme në rrafshin letrar për Musinenë përkonte me një kohë tragjike në rrafshin njerëzor e shoqëror në Shqipëri. Forcat komuniste shqiptare do të synonin te monopolizonin qëndresën e bërë ndaj pushtuesve nga shumë grupime Shqiptare. Përmes forcës së armëve komunistët do te nisnin një përndjekje të egër ndaj shumë intelektualëve që nuk ndanin bindjet e tyre.

Ethet për marrjen e pushtetit pas mbylljes eventuale të Luftës së Dytë Botërore kishin përfshirë tashmë forcat komuniste në Shqipëri. Kudo, në Tiranë dhe përgjatë Shqipërisë, intelektualë, patriotë dhe opozitarë ndaj frymës komuniste vriteshin në mes të ditës dhe masakrat ndaj grupeve të tjera luftuese sa vinin dhe shtoheshin.

Kjo kohë përbën dhe një tragjedi më vete për Musine Kokalarin teksa më 12 Nëntor 1944 forcat komuniste ekzekutuan dy vëllezërit e saj më të mëdhenj, Vesim dhe Muntaz Kokalarin. Vëllai më i vogël, Hamit Kokalari, shpëtoi vetëm për shkak se ishte i sëmurë rëndë.

Për këto bindje, që binin ndesh me qëllimet e komunistëve për një regjim diktatorial, Musine Kokalari u arrestua dy herë në nëntor të vitit 1945. Gjatë kësaj periudhe ajo ishte përfshirë në një lëvizje intelektuale dhe politike, e cila quhej “Koalicioni Demokratik”.

Kjo lëvizje përfaqësonte të gjitha grupimet opozitare që kërkonin shtyerjen e zgjedhjeve të 2 Dhjetorit 1945, nga ku asnjë parti tjetër veç asaj komuniste nuk ishte lejuar të regjistrohej me kandidatët dhe platformat e tyre përkatëse.

Në “Koalicionin Demokratik” Musineja ishte përfaqësueja e vetme e Partisë Social Demokratike Shqiptare, por njëkohësisht ishte edhe figura kryesore e këtij koalicioni. Kështu, ajo përpilon një notë me kërkesat e forcave opozitare për shtyerjen e zgjedhjeve të 2 Dhjetorit dhe për caktimin e një date të përshtashme zgjedhjesh parlamentare, ku do të mund të merrnin pjesë shumë forca politike, për të bërë të mundur kështu zhvillimin e zgjedhjeve të para pluraliste në Shqipëri.

Në të njëjtën notë, kërkohej që zhvillimi i këtyre zgjedhjeve pluraliste e të lira të garantohej nga forcat ndërkombëtare, e në veçanti nga përfaqësuesit e qeverive Britanike dhe atyre të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Për këtë qëllim, nota e përpiluar iu dërgua zyrtarisht përfaqësuesve të qeverive Britanike dhe Amerikane.

Për fatin e keq të shoqërisë Shqiptare, projekti i “Koalicionit Demokratik” nuk u realizua. Në Janar të vitit 1946, të gjithë firmëtarët e notës së përpiluar u arrestuan. Musine Kokalari u arrestua më 23 Janar të vitit 1946 dhe iu nënshtrua torturave të vazhdueshme në qeli, por refuzoi të hiqte dorë nga bindjet e saj për një sistem pluralist dhe shoqëri të lirë.

Më 2 qershor 1946, Musine Kokalari u gjykua nga sistemi diktatorial komunist i instaluar në Shqipëri, përmes një proçesi gjyqësor të turpshëm. Edhe pse e kërcënuar dhe e trajtuar në mënyrë çnjerëzore, Musineja nuk e refuzoi idenë e saj mbi rëndësinë e zgjedhjeve demokratike e pluraliste. Gjatë gjyqit, ajo e shfaqi gjithë guximin e saj kur i ripërsëriti qëndrimet e saj demokratike përgjatë kohës shumë të shkurtër kur pati mundësinë të fliste.

“Nuk kam nevojë që të jem komuniste për ta dashur vendin tim! Unë e dua vendin tim edhe pse nuk jam komuniste. Unë e dua progresin e tij. Edhe pse ju keni fituar luftën, edhe pse ju keni fituar zgjedhjet, ju nuk mund t’i persekutoni ata që kanë mendime të ndryshme politike nga ato tuajat. Unë mendoj ndryshe nga ju, por unë e dua vendin tim. Ju po më dënoni për idetë e mia. Unë nuk kërkoj falje, sepse unë nuk kam bërë asnjë faj!” – kështu do të deklaronte Musineja në sallën e gjyqit.

E parë si një kërcënim për regjimin totalitar, Musine Kokalari u dënua me 25 vjet burgim, nga të cilat 16 vite i kaloi në burg, si dhe me persekutim të përjetshëm. Më 1962, Musineja u transferua nga ambientet e burgut në internim në Rrëshen. Këtu u detyrua të punojë në punë të rënda ndërtimi, në kushte shumë të vështira e nën vëzhgimin e rreptë të agjentëve të sigurimit.

Përndjekja e vazhdueshme dhe mungesa e kushteve më minimale të jetesës ndikoi drejtpërdrejtë në aktivitetin letrar të Musinesë, i cili u ndërpre në mënyrë brutale. Vetëm në vitin 1972, Musine Kokalari arriti të përfundonte në fshehtësi një libër të saj të titulluar “Si lindi Partia Social Demokrate”, ku ajo shpjegon pikëpamjet e saj anti-komuniste dhe shpeh alternativën e saj progresiste e demokratike. Arriti t’a ruante këtë vepër përmes një serie shkrimesh që ia dërgoi nipit të saj, Platon Kokalari nën tematikën “Të shpëtojmë sa të mundim nga vlerat morale”.

Më 1980, Musine Kokalari u diagnostikua me kancer të gjirit dhe ashtu e sëmurë u refuzua dhe u la pa u kuruar nga trupat spitalore. Moskurimi i sëmundjes, dhimbjet dhe vuajtjet e shumta të kaluara nën përndjekjen komuniste i shkaktuan vdekjen në gusht të vitit 1983.

Musine Kokalari është nderuar pas vdekjes me titujt “Martir i Demokracisë” në vitin 1993 dhe “Nderi i Kombit” në vitin 2008.

Lexo edhe: 

8 Komente

1 Koment

  1. Fjodora

    12 Shkurt, 2022 at 6:03 pm

    Trishtim i madh kur meson makabritete te tilla qe u jane bere ne diktature njerezve me te zgjuar dhe intelektualeve. Respekt per kete zonje te nderuar!

  2. Saimir

    15 Shkurt, 2022 at 7:27 pm

    Te mesojme nga e kaluara, qe sakrifica dhe gjaku i ketyre njerezve te nderuar te mos shkoje dem

  3. Ermir Dervishi

    15 Shkurt, 2022 at 7:33 pm

    Te ngjethet mishi nga keto histori. Te keqinjte e vetes paskemi qene… dhe vazhdojme te jemi akoma!

  4. Agim

    15 Shkurt, 2022 at 7:40 pm

    Plehrat komuniste, mos beshin hair

  5. Niku

    15 Shkurt, 2022 at 7:48 pm

    Gjithe kjo vajze e re, intelektuale, e bukur, ja mbyllen jeten ne lule te rinise komunistat e ndyre

  6. Juli

    15 Shkurt, 2022 at 7:53 pm

    Ca te thuash… edhe ka akoma sot njerez qe nderojne me grusht e flasin shoku, shoqja…

  7. Teuta

    15 Shkurt, 2022 at 8:02 pm

    Tmerr! Cfare egersirash! Te trajtosh nje vajze te re e te shkolluar pa minimumin e dinitetit, vetem anadollaket shqiptare te kohes se komunizmit mund ta bejne!

  8. Petro

    18 Shkurt, 2022 at 6:20 pm

    Shkrimtaret, intelektualet, shkencetaret, ca ishin e ca nuk ishin i vrau e i burgosi enveri! I mori jeten njerezve dhe Shqiperine e coi 200 vjet pas!

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Uji Tepelene Euro2024

Keshilla per blerjet tuaja

Më të lexuarat

Keshilla per blerjet tuaja

Shkrime të ngjashme