fbpx
Lidhu me ne

Çkemi! Çfarë po kërkoni?

Histori

Nexhmie Zaimi, gazetarja e parë shqiptare që punoi për CNN dhe Zërin e Amerikës, bashkëpuntore e ngushtë me Fan Nolin dhe Faik Konicën

Nexhmie Zaimi u lind më 14 Maj 1917 në Libohovë dhe vdiq më 18 Prill 2003 në Santa Barbara të Kalifornisë. Ajo ishte një gazetare dhe publiciste e njohur në SHBA dhe në gjithë komunitetin shqiptar nëpër botë. Jo shumë e njohur në vendin e saj të lindjes, për shkak të izolacionizmit të instaluar në Shqipëri gjatë diktaturës komuniste, Nexhmie Zaimi është gazetarja e parë shqiptare që punoi për “CNN” dhe për “Zërin e Amerikës”.

Ndoqi shkollën e mesme në Kavajë, shkollë e drejtuar nga misionarë protestant amerikan. Në vitin 1937 u largua nga Shqipëria për në SHBA, ku vazhdoi edhe studimet e larta në Universitetin Wellesley, në Boston. Gjithashtu, ajo studioi edhe në Shkollën e Lartë të Gazetarisë të Universitetit të Kolumbias në New York.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Nexhmie Zaimi punoi për Zyrën e Shërbimeve Strategjike (OSS), paraardhëse e Agjencisë Qendrore të Inteligjencës (CIA). Pas luftës ajo mori një rol shumë aktiv në çështjet shqiptaro-amerikane, duke u bërë presidente e Shoqatës Pan-Shqiptare Vatra, ku edhe bashkëpunoi me shumë atdhetarë të tjerë shqiptarë, si Faik Konica, Fan S. Noli, Abaz Kupi etj.

Gjatë punës së saj si gazetare në gjigandët mediatik amerikan, Nexhmie Zaimi ka shkruar një sërë artikujsh të rëndësishëm për shtetet e Lindjes së Mesme dhe konfliktet ndërkombëtare, si ai i Palestinës. Ajo ka intervistuar personalitete, si mbretin Husein të Jordanisë, mbretin Naser të Egjiptit, etj. Në vitin 1938 ajo shkruan edhe librin e saj autobiografik “Daughter of the Eagle; the autobiography of an Albanian girl” (nga anglishtja: “Vajza e Shqipes; autobiografia e një vajze shqiptare”), botuar në SHBA, duke u bërë kështu shkrimtarja e parë shqiptare (femër) që publikon një autobiografi.

Në kujtimet e saj nga takimi i parë me Fan Nolin, Nexhmie Zaimi shkruan:
“Ishte prill i vitit 1924, kur u takova për herë të parë me Nolin në qytetin e Vlorës. Ai kishte ardhur aty për të marrë pjesë në ceremoninë mortore të Avni Rustemit. Në karrocën me të cilën shkonim në funeral, bashkë me mua dhe prindërit e mi, ishte edhe nëna e Avni Rustemit, që herë pas here lotonte dhe qante me dënesë. Ky çast mortor u bë shkak të njihesha me Fan Nolin, i cili ndjehej shumë i dëshpëruar për humbjen e papritur të Avniut, që siç thoshte ai, kishte qenë një patriot i rrallë.
Mbaj mend që nëna ime Sherifja, gjatë atyre ditëve vuri në dritaret e shtëpisë pëlhurë të zezë. Ndërkaq, nëna e Avniut për ditë të tëra pas kësaj ndenji në shtëpinë tonë”.
Po me Nolin, Nexhmije Zaimi do të takohej disa herë më vonë në Nju Jork dhe të dy bashkë do të bëheshin ndër protagonistët kryesorë të federatës atdhetare “Vatra”.

Nexhmie Zaimi është nderuar me dekoratën “Medalja e Mirënjohjes” nga presidenti i SHBA-së Franklin D. Rusvelt, dhe me dekoratën “Komandante e Kryqit të Kuq të Italisë”.

Kliko për të komentuar

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Keshilla per blerjet tuaja

Shkrime të ngjashme

Aktualitet

Zbrazja e Shqipërisë nga emigracioni masiv i viteve të fundit, largimi i të rinjve dhe i familjeve, po sjell një dramë të madhe sociale....

Opinion

Një vit i ri shkollor! Suksese gjithë nxënësve dhe mësuesve! Suksese prindërve që shpresojnë tek e ardhmja e fëmijëve të tyre, që besojnë ende...