Pellasgët – Shqiptarët
Ishte një ditë
Që pellasgjitë
Posi një dritë
Mbuluan dhenë,
Duall ng’ Asia
Si mizëria
Dhe me ania
E hodhë denë.
Pas pakë herë,
Duke përzjerë
Ca me të tjerë,
Bënë elinët,
Dhe duke ndarë
Syresh një farë,
Si ka të ngjarë,
Bëri llatinët.
Edhe të tjerët
E më të ndjerët,
Të papërzjerët,
Pellasgjinj mbenë,
Maqedhoninjtë
E ilirinjtë
E mollosinjtë,
Gjith’ ata qenë.
Dhe ata janë
Prindërtë tanë,
Pastaj na thanë
Na shqipëtarë
Mundim të themi
Ne ata jemi,
Atë gjak kemi,
Si dhe shtyparë. {tiparin}
Thot’ Herodoti,
Në Tomor zoti
Shtëpi qëmoti
Kishte Dhodhonë,
Eshtë m’e vjetër
Ngaha çdo tjetër,
Shumë më tepër,
Kjo gjuha jonë.
Ne kurdoherë
Burra të ndjerë
Edhe të vlerë
Jemi treguar;
Me grekërinë
Dhe me Persinë,
Me gjith’ Asinë
Kemi lëftuar.
Me Lekën vamë, {Aleksandri i madh}
Muntmë Daranë,
Datën i dhamë
Gjithë Asisë,
Burr’ u dëftyem,
Të gjith’ i thyem,
Përmbys e kthyem
Fron’ e Persisë.
Të tërë dhenë,
Den’ e sterenë,
Sa kombe qenë
Në këmb i vumë,
Dhe mbretëruam
Kudo që shkuam,
Tekdo lëftuam,
Vëndin e zumë.
Me Pirron vamë
Romës i ramë,
Llatint’ i vramë
E i tmeruam;
Me Skënderbenë
Tyrqve sa qenë
U dhamë dhenë
Dhe i dëbuam.
Kush i goditi
Posi petriti
E i cfiliti
Tyrqit, barbarët?
Bota s’kuxonte
Që t’u qëndronte,
Po kush lëftonte?
Ne shqipëtarët.
Pastaj u ndruam,
Se s’kupëtuam
Dhe nuk e çquam
Të mirën tënë,
Gjaknë për botë
E derthmë kotë,
Njeri ç’të thotë?
Nuk ishte thënë!
Mbajtmë Tyrqinë,
Ngjallmë Greqinë,
Ndihm’ Italinë.
Po Shqipërinë?
Pse s’u munduam?
Për kë lëftuam?
Neve ç’fituam?
Ç’kemi taninë?
– Naim Frashëri
____________________
Naim Frashëri (Frashër, 25 maj 1846 – Stamboll, 20 tetor 1900) ishte shkrimtar, poet, historian, gazetar, përkthyes, atdhetar dhe një prej përfaqësuesve më të shquar të Rilindjes Kombëtare, i pagëzuar si “apostull i shqiptarizmës” dhe “bilbil i gjuhës shqipe”.
Fjodora
11 Janar, 2022 at 4:07 pm
Bilbil i gjuhes shqipe!!
Petro
11 Janar, 2022 at 4:41 pm
Nderim dhe respekt per kete njeri te madh!