Aktualitet

Peticioni: Mos e Prekni Bashkinë e Libohovës

Projekti i ri partisë në pushtet, i ashtuquajtuar reformë teritoriale, i cili parashikon mbylljen e disa institucioneve të qeverisjes vendore në Republikën e Shqiperisë, mes të cilave edhe Bashkinë Libohovë, është pritur me kundërshtimin e prerë të qytetarëve të Libohovës dhe të fshatrave që e përbëjnë këtë njësi vendore.

Ky projekt, i cili më tepër se një reformë ngjan si një regres, do të largonte shërbimet dhe vendimarrjen nga qyetarët, dhe do të zhyste edhe më tej në harresë e braktisje një prej trevave më të spikatura e me më shumë kontribute në historinë e Shqiperisë.

Shoqata kulturore dhe atdhetare “Avni Rustemi”, ka ndërmarrë një hap konkret mbi këtë çështje. Ajo ka nisur një peticion, nëpërmjet të cilit kundërshton me argumenta e fakte përse Bashkia Libohovë nuk duhet të mbyllet. Qytetarët e Libohovës dhe të fshatrave të njesisë vendore janë ftuar të firmosin peticionin, për tu shprehur njëzëri kundër këtij vendimi arbitrar të pushtetit qëndror, i cili çon përpara vendime dhe axhenda të cilat janë në kundërshtim me interesat e qytetarëve.

Më poshtë Peticioni i shoqatës “Avni Rustemi”:

P E T I C I O N
DREJTUAR: KUVENDIT TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
Libohovë më 12.08. 2026
Lënda: Kërkesë për ruajtjen e Bashkisë Libohovë si njësi e veçantë e vetëqeverisjes vendore.
• Të nderuar deputetë të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë!
• Të nderuar deputetë të Qarkut Gjirokastër!
• Të nderuar banorë të Libohovës, miq dhe dashamirës të saj, kudo që ndodheni – në Libohovë, në trojet shqiptare dhe kudo në botë!
Ne, Shoqata “Avni Rustemi”, së bashku me qytetarët dhe komunitetin libohovit, paraqesim këtë Peticion për t’i kërkuar Kuvendit të Republikës së Shqipërisë që Bashkia Libohovë të ruhet si njësi e veçantë e vetëqeverisjes vendore dhe të mos përfshihet në asnjë proces shkrirjeje apo bashkimi pa një analizë të plotë territoriale, ekonomike, demografike, administrative dhe pa konsultimin real të komunitetit.
Kjo kërkesë nuk është një kërkesë për privilegj.
Është një kërkesë për barazi kriteresh, transparencë, respektim të identitetit territorial dhe të drejtës së qytetarëve për t’u dëgjuar për një ndryshim që prek drejtpërdrejt jetën, territorin dhe të ardhmen e tyre.

1. LIBOHOVA NUK ËSHTË NJË EMËR NË HARTË
Libohova nuk është një emër i sajuar dhe as një njësi administrative e krijuar rastësisht.
Ajo ka një histori të hershme qytetare, administrative, ekonomike dhe kulturore dhe është pjesë e pandarë e historisë së luginës së Drinos.
Territori i Libohovës dëshmon gjurmë të hershme të qytetërimit dhe ka qenë për shekuj një qendër e rëndësishme e kësaj hapësire.
Në periudha të ndryshme historike Libohova ka ushtruar funksione të rëndësishme administrative.
Gjatë periudhës osmane ajo ishte qendër e Kazasë së Libohovës, me një territor dhe një numër të konsiderueshëm fshatrash nën administrimin e saj.
Libohova ishte një qytet i organizuar, me pazar, kala, sahat, saraje, objekte kulti, shkolla dhe një jetë të zhvilluar qytetare.
Në historinë e saj janë të pranishme edhe familje dhe figura të rëndësishme të jetës politike dhe administrative shqiptare.
Pas Shpalljes së Pavarësisë, Libohova vazhdoi të ruante funksionin e saj administrativ dhe, që nga viti 1914, u përfshi në organizimin territorial si qendër nënprefekture.
Në periudhën e Mbretërisë Shqiptare, Libohova ishte njëkohësisht bashki dhe nënprefekturë, duke dëshmuar edhe një herë rëndësinë e saj si qendër territoriale.
Pas vitit 1990, në organizimin e parë pluralist të pushtetit vendor, Libohova ishte ndër bashkitë e vendit dhe, pas reformës administrativo-territoriale të vitit 2014, vijoi të jetë bashki më vete.
Pra, kemi të bëjmë me një territor që ka identitet administrativ, ekonomik, shoqëror dhe historik të konsoliduar.

2. LIBOHOVA KA NJË TRADITË TË VEÇANTË NË ARSIM, DIJE DHE SHTETFORMIM.
Libohova ka qenë historikisht një qendër e rëndësishme e arsimit dhe e formimit intelektual.
Nga kjo trevë kanë dalë dhe janë shpërndarë në të gjithë hapësirën shqiptare figura të arsimit, jurisprudencës, mjekësisë, agronomisë, administratës, diplomacisë dhe kulturës.
Tradita e juristëve dhe e njerëzve të administratës është pjesë e identitetit të Libohovës, e cila në burime dhe në kujtesën historike njihet edhe për traditën e kadilerëve dhe njerëzve të dijes e të drejtës.
Personalitete të lidhura me Libohovën kanë pasur rol në jetën politike dhe shtetformuese të Shqipërisë.
Kjo trashëgimi nuk është thjesht një kujtim historik.
Ajo është pjesë e kapitalit kulturor dhe identitar që duhet ruajtur dhe kthyer në burim zhvillimi.

3. LIBOHOVA ËSHTË TERRITOR, JO VETËM NUMËR BANORËSH
Sot Bashkia Libohovë ka rreth 6800 banorë, ndërsa sipërfaqja e saj është rreth 248 km², me 3 njësi administrative dhe 17 fshatra.
Kjo do të thotë se kemi një territor relativisht të gjerë, me popullsi të shpërndarë dhe me nevoja të veçanta për shërbime, infrastrukturë, mirëmbajtje rrugësh, administrim të tokës, pyjeve, kullotave, ujërave dhe territorit.
Prandaj, ne besojmë se numri i banorëve nuk mund të jetë kriteri i vetëm për vendosjen e fatit të një bashkie.
Një reformë serioze duhet të vlerësojë së bashku:
• popullsinë;
• territorin;
• dendësinë;
• distancat;
• numrin e fshatrave;
• karakterin malor;
• mundësinë e ofrimit të shërbimeve;
• bazën ekonomike;
• burimet natyrore;
• trashëgiminë historike dhe kulturore;
• lidhjet sociale dhe ekonomike;
• perspektivën e zhvillimit;
• dhe nevojën për të frenuar shpopullimin.

4. SHPOPULLIMI NUK ZGJIDHET DUKE SHKRIRË QENDRAT VENDORE
Ne e pranojmë realitetin demografik të Libohovës.
Censusi i vitit 2023 tregon një rënie të konsiderueshme të popullsisë krahasuar me vitin 2011.
Por pikërisht ky realitet duhet të na bëjë të shtrojmë një pyetje tjetër:
A duhet të eliminojmë bashkinë sepse territori po shpopullohet, apo duhet ta forcojmë atë për të ndihmuar në ndalimin e shpopullimit?
Ne besojmë se përgjigjja e dytë është ajo e duhura.
Nëse synimi i shtetit është të ndalojë zbrazjen e zonave periferike, atëherë largimi i qendrës së vendimmarrjes nga Libohova mund të krijojë një tjetër distancë mes qytetarit dhe institucioneve.
Problemi i Libohovës është shpopullimi; nuk është ekzistenca e Bashkisë Libohovë.
Ne kërkojmë politika që të krijojnë:
• punësim;
• investime;
• shërbime;
• turizëm;
• zhvillim rural;
• mbështetje për bujqësinë;
• mbështetje për blegtorinë;
• kushte për rikthimin e emigrantëve;
• dhe mundësi për të rinjtë.

5. LIBOHOVA KA NJË EKONOMI REALE DHE NJË ROL EKONOMIK RAJONAL
Libohova dhe rrethinat e saj kanë një bazë të rëndësishme bujqësore e blegtorale.
Në territor ka një numër të konsiderueshëm fermerësh dhe sipërfaqe të konsiderueshme të tokës bujqësore.
Bujqësia, blegtoria, bimët medicinale, artizanati dhe aktivitetet familjare përbëjnë një pjesë të rëndësishme të ekonomisë lokale.
Një veçori që duhet të merret seriozisht në konsideratë është se aktiviteti ekonomik i banorëve të Libohovës nuk kufizohet gjithmonë brenda kufijve administrativë të bashkisë.
Ekzistojnë lidhje të rëndësishme ekonomike me Dropullin dhe hapësirën përreth, veçanërisht në:
• bujqësi;
• blegtori;
• artizanat;
• tregti;
• shërbime.
Kjo dëshmon se kemi të bëjmë me një hapësirë funksionale ekonomike Libohovë–Dropull, ku ekonomia reale është më e gjerë se kufijtë administrativë.
Kjo kërkon bashkëpunim ndërmjet bashkive, jo domosdoshmërisht shkrirjen e njërës prej tyre.

6. PASURITË NATYRORE TË LIBOHOVËS JANË NJË POTENCIAL ZHVILLIMI
Libohova dhe rrethinat e saj kanë pasuri të rëndësishme natyrore.
Lumi i Suhës, burimet ujore të Nepravishtës, Libohovës, Labovës, Stegopulit dhe Zagorisë, liqenet dhe rezervuarët, kullotat dhe hapësirat malore përbëjnë një kapital që duhet të vihet në funksion të ekonomisë lokale.
Këto pasuri mund të lidhen me:
• ujitjen;
• bujqësinë;
• blegtorinë;
• turizmin;
• energjinë;
• mbrojtjen e mjedisit.
Në veçanti, ne kërkojmë që të studiohet seriozisht potenciali i lumit Suha për një projekt të integruar ujë–energji–ujitje–bujqësi, nëse analizat hidrologjike, ekonomike dhe mjedisore e konfirmojnë fizibilitetin e tij.
Një projekt i tillë, nëse rezulton i realizueshëm, do të kishte ndikim përtej kufijve të Bashkisë Libohovë dhe do të kontribuonte në zhvillimin e luginës së Drinos.

7. LIBOHOVA KA NJË POTENCIAL TURISTIK QË NUK DUHET TË SHKËPUTET NGA TERRITORI
Libohova nuk është vetëm një qytet historik.
Ajo është pjesë e një prej hapësirave më të pasura turistike të Jugut.
Në territorin e saj dhe në hapësirën funksionale që e rrethon gjenden:
• Kalaja e Libohovës;
• Qyteti dhe arkitektura historike;
• Labova e Kryqit;
• Monumentet e Nepravishtës;
• Teqeja e Melanit;
• Kalaja e Melanit;
• Kisha Paleokristiane;
• Burime dhe peizazhe natyrore;
• Zagoria me parkun natyror dhe trashëgimine e saj.
Në afërsi ndodhen edhe qendra të rëndësishme arkeologjike, ndër to Adrianopoli, i cili administrativisht ndodhet në Dropull, por është pjesë e natyrshme e rrjetit turistik dhe kulturor të luginës së Drinos.
Po kështu, Libohova lidhet natyrshëm me Gjirokastrën, Përmetin, Zagorinë dhe hapësirën e Vjosës.
Prandaj ne besojmë se duhet të ndërtohet një itinerar i integruar turistik i luginës së Drinos, ku Libohova të ketë rolin e saj:
Gjirokastër – Antigone – Libohovë – Labovë e Kryqit – Adrianopol – Melan – Zagori – Vjosë.
Kjo do të krijonte mundësi për:
• bujtina;
• agroturizëm;
• gastronomi;
• artizanat;
• produkte lokale te marketuara;
• guida;
• punësim;
• dhe rritje të të ardhurave të komunitetit.

8. LIBOHOVA KA TRASHËGIMI KULTURORE DHE HISTORIKE TË NJË RËNDËSIE MË TË MADHE SE PESHA E SAJ DEMOGRAFIKE
Një komunitet nuk mund të vlerësohet vetëm me numrin e banorëve.
Ai duhet vlerësuar edhe për atë që ka ruajtur, prodhuar dhe kontribuar në historinë kombëtare.
Libohova ka një trashëgimi historike, kulturore dhe njerëzore që lidhet me zhvillimin e shtetit shqiptar (Personalitete Libohovite dhe Zagorite kane luajtur nje rol te rendesishem ne themelimin dhe forcimin e shtetit Shqiptar ).
Kjo trashëgimi duhet të kthehet në një burim zhvillimi dhe jo të humbasë për shkak të një vendimi administrativ.
Një bashki e vogël mund të ketë një kapital kombëtar të madh.
Kjo është arsyeja pse reforma duhet të mbrojë identitetin territorial dhe të krijojë mekanizma për valorizimin e tij.

9. NJË BASHKI E VOGËL NUK ËSHTË DOMOSDOSHMËRISHT NJË BASHKI E PAAFTË
Ne nuk pretendojmë se Bashkia Libohovë nuk ka probleme.
Ajo ka nevojë për:
• më shumë kapacitete teknike;
• më shumë burime financiare;
• ekspertizë;
• investime;
• bashkëpunim ndërbashkiak;
• dhe mbështetje të qeverisë qendrore.
Por kjo nuk do të thotë se zgjidhja është shkrirja.
Kapacitetet mund të bashkohen; shërbimet mund të organizohen së bashku; projektet mund të realizohen në partneritet; ekspertiza mund të ndahet ndërmjet bashkive.
Por kjo mund të bëhet pa i hequr Libohovës të drejtën për të bashkine e saj të zgjedhur dhe qendrën e saj të vendimmarrjes.
Edhe praktika europiane tregon se komunat e vogla mund të vazhdojnë të ekzistojnë dhe të kombinojnë autonominë me bashkëpunimin ndërkomunal. Në Itali, për shembull, ekziston një politikë e posaçme kombëtare për mbështetjen e komunave deri në 5,000 banorë, ndërsa në Francë komunat shumë të vogla vazhdojnë të jenë pjesë e strukturës së qeverisjes lokale.
Pra: Ekonomia e shkallës nuk kërkon domosdoshmërisht shkrirjen e bashkisë.

10. KRITERET DUHET TË JENË TË BARABARTA DHE TRANSPARENTE
Kjo është një nga kërkesat tona kryesore.
Nëse argumentohet se Libohova nuk plotëson kriteret për të qenë bashki, atëherë:
Cilat janë këto kritere?
• Kush i ka përcaktuar?
• A janë të njëjta për të gjitha bashkitë?
• A janë publikuar?
• A janë zbatuar njësoj në të gjithë vendin?
• A është bërë analizë e kostos dhe përfitimit të shkrirjes?
• A është analizuar distanca e qytetarëve nga qendra e re administrative?
• A është matur ndikimi mbi zhvillimin ekonomik?
• A është analizuar ndikimi mbi shpopullimin?
• A është vlerësuar trashëgimia dhe identiteti territorial?
• A është analizuar potenciali turistik, bujqësor, ujor dhe energjetik?
Këto janë pyetje që meritojnë përgjigje publike.

11. KUSHTETUTA DHE STANDARDET EUROPIANE KËRKOJNË PJESËMARRJE DHE KONSULTIM
Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, në nenin 108, e lidh organizimin administrativo-territorial me nevojat dhe interesat e përbashkëta ekonomike dhe me traditën historike, ndërsa ndryshimi i kufijve të njësive vendore kërkon marrjen e mendimit të popullsisë që banon në to.
Edhe Karta Europiane e Vetëqeverisjes Vendore, e ratifikuar nga Shqipëria, vendos në themel të demokracisë lokale të drejtën e komuniteteve për vetëqeverisje dhe pjesëmarrje. Neni 5 i Kartës përcakton se ndryshimet në kufijtë territorialë të njësive vendore nuk duhet të bëhen pa konsultimin paraprak të komuniteteve të prekura.
Këshilli i Europës e ka theksuar vazhdimisht se konsultimi është një parim themelor i demokracisë lokale dhe se ndryshimet territoriale kërkojnë konsultim real të komuniteteve të prekura.
Keshilli i Bashkisë është mbledhur dhe ka votuar kundër shkrirjes së bashkisë!
Për këtë arsye, ne kërkojmë: Të dëgjohet zëri i qytetarëve të Libohovës para se të merret çdo vendim për fatin e Bashkisë së tyre.

12. REFORMA TERRITORIALE NUK DUHET TË JETË PRONË E ASNJË PARTIE
• Ne kërkojmë që Reforma Territoriale tëmos jetë pronë e asnjë partie politike.
• Nuk duhet të jetë pronë e Qeverisë.
• Nuk duhet të jetë pronë e Opozitës.
• Ajo duhet të jetë pronë e qytetarëve dhe e interesit publik.
• Ndarja territoriale e Shqipërisë nuk mund të ndryshohet mbi bazën e interesave të momentit.
• Nuk mund të bashkohet një territor sepse është politikisht më e leverdishme dhe të lihet një tjetër sepse ruajtja e tij është më e leverdishme.
Çdo ndryshim duhet të mbështetet në:
• kritere të njëjta;
• të dhëna të verifikueshme;
• analizë funksionale;
• transparencë;
• konsultim;
• dhe interesin afatgjatë të qytetarëve.
Harta administrative e Shqipërisë duhet të ndërtohet mbi nevojat e territorit, jo mbi hartën elektorale.

13. ÇFARË KËRKOJMË NGA KUVENDI I SHQIPËRISË?
Në emër të qytetarëve të Libohovës, ne kërkojmë:
1.
Të mos miratohet asnjë propozim për shkrirjen apo bashkimin e Bashkisë Libohovë pa marrë mendimin e banorëve të saj, si dhe pa një analizë të plotë dhe të publikuar të ndikimit territorial, ekonomik, financiar, social dhe demografik.
2.
Të ruhet Bashkia Libohovë si njësi e veçantë e vetëqeverisjes vendore, për shkak të identitetit të saj historik, territorial, ekonomik dhe social.
3.
Të bëhen publike kriteret objektive mbi bazën e të cilave është propozuar ndryshimi i statusit të Bashkisë Libohovë.
4.
Të provohet se të njëjtat kritere janë zbatuar në mënyrë të barabartë për të gjitha bashkitë e vendit.
5.
Të zhvillohet konsultim real dhe i drejtpërdrejtë me qytetarët e Libohovës, përpara çdo vendimmarrjeje për ndryshimin e kufijve ose statusit të bashkisë.
6.
Të vlerësohet ndikimi që shkrirja e bashkisë do të kishte mbi shpopullimin, shërbimet publike, ekonominë lokale, bujqësinë, turizmin, trashëgiminë kulturore dhe administrimin e territorit.
7.
Të shqyrtohet mundësia e kategorizimit të Libohovës si “bashki e vogël me rendesi strategjike”, me politika të diferencuara financimi, zhvillimi dhe bashkëpunimi ndërbashkiak.
8.
Të mbështetet një program i posaçëm për zhvillimin e turizmit kulturor, rural dhe natyror, duke lidhur Libohovën me Gjirokastrën, Dropullin, Adrianopolin, Labovën e Kryqit, Melanin, Zagorinë dhe luginën e Drinos.
9.
Të vlerësohen dhe të vihen në funksion ekonomik pasuritë ujore, tokësore, blegtorale, bujqësore, pyjore dhe turistike të territorit.
10.
Të shqyrtohet, mbi bazën e studimeve profesionale, potenciali i Suhës dhe i burimeve ujore të zonës për projekte të integruara të energjisë, ujitjes dhe zhvillimit bujqësor.

14. KËRKESA JONË ËSHTË E THJESHTË
• Ne, qytetarët e Libohovës, nuk kërkojmë privilegj.
• Nuk kërkojmë trajtim të veçantë politik.
• Nuk kërkojmë që Libohova të mbrohet për arsye elektorale.
• Kërkojmë vetëm:
• kritere të barabarta,
• transparencë,
• argumente të verifikueshme,
• respekt për historinë dhe identitetin,
• respekt për territorin,
• respekt për qytetarin,
• dhe mbi të gjitha duam
TË DËGJOHET ZËRI I KOMUNITETIT LIBOHOVIT.

Libohova është një komunitet me histori, identitet, territor, ekonomi, pasuri natyrore, trashëgimi kulturore dhe potencial zhvillimi.
Ajo është e vogël në numër banorësh, por jo e vogël në vlera.
Ajo është e prekur nga shpopullimi, por pikërisht për këtë arsye ka nevojë për më shumë vëmendje dhe më shumë qeverisje pranë qytetarit, jo për largimin e qendrës së vendimmarrjes.
Problemi i Libohovës nuk është se ka një bashki. Problemi është se duhet të shtohet buxheti dhe të krijohen kushtet që ajo bashki dhe komuniteti i saj të zhvillohen.

Prandaj:
LIBOHOVA NUK DUHET TË SHKRIHET.
LIBOHOVA DUHET TË RUHET, TË FUQIZOHET DHE TË ZHVILLOHET.
Kjo është kërkesa jonë drejtuar Kuvendit të Republikës së Shqipërisë.
Kjo është kërkesa e qytetarëve të Libohovës.
NE KËRKOJMË QË MENDIMI I QYTETARËVE TË LIBOHOVËS, KUDO QË NDODHEN, TË MERRET NË KONSIDERATË PËRPARA ÇDO VENDIMMARRJEJE.

Me respekt,
KRYESIA E SHOQATËS “AVNI RUSTEMI”
QYTETARËT E BASHKISË LIBOHOVË
1. Ajaz Rustemi – Kryetar
2. Bexhet Çobani – Nenkryetar
3. Pellumb Kumbaro – Nenkryetar
4. Ismail Shehu – Nenkryetar
5. Agim Demi – Sekretar
6. Anetaret ne vijim…

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Shkrime të ngjashme

Të gjitha të drejtat e rezervuara © 2026 Libohova Post

Exit mobile version