Aktualitet

Rrëfenjë për Urën e Hoshtevës – nga Altin Kaso

Kishte dy dimra që ustallarët kishin ngritur çadrat buzë lumit, te lëndina nën lisa e gorrica. Thonë që i kishte zgjedhur e dërguar vetë pashai i Janinës. Të tjerë thonë se vinin nga larg, shumë larg. Bile thonë se ustabashi vinte që nga Konstandinopoja.

Për dy behare rresht u skalitën gurët. Duhet të ishin nga më të zgjedhurit. Vetë ustabashi i kontrollonte një e nga një. Bile thonë se Pilua kishte nxjerrë edhe qoshe nga shtëpitë e i kishte çuar për t’i vënë në këmbë të Urës.

Pashkën e shkuar asnjë nuk i leu shtëpitë, gëlqerja duhej për Urën.

Duhet të ketë qenë Prill, ose fillim vere. U hap lajmi se Ura e Madhe kishte mbaruar dhe se mbi të mund të kalonin 40 mushka e pela të ngarkuara njëherësh, dhe ajo i mbante. U çkulën gjithë zagoritët, i madh e i vogël, ishin e nga s’ishin për të parë e provuar vetë. U poqën mishra, u ngritën dollira, u thanë fjalët e Ungjillit. Fëmijët vraponin sa nga njëra anë në tjetrën, pleqtë mbështesnin duart në këmbët e Urës dhe mbanin vesh:
– Nuk dridhet, mban, është e fortë. Ta gëzojnë nipër e mbesa. Të bredhurit thanë se Urë të tillë nuk ka as në Janinë e as në Kavallë. Bekim nga Perëndia.

Dhe kaluan dimra e behare, shumë ujë e kucure shkuan ndënë Urë. Kaluan mbi të nuse e dhëndurë, dasmorë e ushtarë, të gjallë e të vdekur. Dëgjohen akoma trokëllimat e karvanëve.

Dhe ishte fund Janari, ose fillim Shkurti. Lisat janë tharë, edhe gorricat. Pleqtë e asokohe nuk janë më, as fëmijët. Janë nip-stërnipërit e tyre. Kush larg e kush afër.

U dha gjëma:
– Ura mbaroi, na la!
– Si? Vdiq?!
– Po. Kishte kohë që lëngonte … e mori lumi.

Thonë se dhe vetë pashai kur e mori vesh, u pikëllua pa masë. Bile edhe haremi është në zi … për tre ditë.

E megjithatë, Ura nuk është më! E mori Dheu, në gji të vet. Ne nuk e deshëm!
Në Mort nuk u pa njeri. Vetëm era dhe acari. Të dyzetat nuk dihet. Thonë se dhe nuk bëhen se të moçmit nuk rrojnë më. Janë me Urën, bashkë!
Dheu i lehtë.

Ura e Hoshtevës, e ndërtuar në fillim të viteve 1800, ishte nje perlë e trashëgimisë tonë kulturore. E shpallur Monument Kulture i kategorisë së parë, ura tërhiqte turistë e vizitorë, të huaj e shqiptarë, të cilët mahniteshin nga bukuria e rrallë e këtij monumenti, të vendosur në mes të maleve dhe mes natyrës së paprekur të Zagorisë.

Ura 200 vjeçare, e cila i shpëtoi luftrave e fuqisë së natytës, nuk arriti ti shpëtonte rrënimit moral të institucioneve shtetërore e lokale, të cilat nuk arritën të kryenin detyrën për të cilën paguhen nga taksapaguesit shqiptarë.

Pesë vite më parë urës nuk u arrit ti vihej një gur nën vete, që të qëndronte kryelartë edhe 200 vite të tjerë.
Sot i është vënë një gur sipër! Guri i harresës!

1 Koment

  1. Sotir

    2 Prill, 2023 at 8:50 pm

    Kjo Mirela Kumbaro eshte e pa fytyre komplet

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Shkrime të ngjashme

Të gjitha të drejtat e rezervuara © 2023 Libohova Post