Nën vorbullën e mendimeve, të cilat më çuan të rrëmoja pikërisht tek ai sirtar i vjetër që anash ishte ngrënë prej molave të vogla e gërryer prej kohës, gjej disa foto të mbuluara nga pluhuri. Zbres prej shkalleve që aty-këtu kërcisnin, me fotot në dorë, duke rendur për të pyetur gjyshen.
“Nënë” – thërrita, me shumë siguri që ajo nuk më dëgjoi. Vitet e jetës po i rëndonin nën kupolën e syve, që sa vinte e po mbyllej.
lu ula pranë dhe e pyeta – “Nënë, çfarë janë këto foto?”. E nje pergjigje e thellë, me lot ne sy, m’u kthye; – “Ato foto moj bijë janë copëza jete, nën pragun e vdekjes”.
Në ato foto të zbardhura prej kohës dukej zbehtasi gjyshi dhe gjyshja, udhëtarët e pandarë në një luftë të pashpresë, si regjimi komunist. Ky ishte momenti i hapjes së thesit të kujtimeve të hidhura që rridhnin kalvar në të shkuarën e familjes sonë.
Gjyshi im quhej Fitim Ruçi, kurse gjyshja quhet Merjeme Ruçi, te dy lindur në qytezën e Libohovës, pranë Gjirokastrës, njëri më 1938 dhe tjetri më 1942. Para se të flas për ta e për gjithë agoninë e asaj ëndërre të zezë diktatoriale, do e nisja me “Tragjedinë e Libohovës”, mëmën e të dy gjyshërve të mijë. Kjo shkëputur nga tregimet e përjetimet që gjyshja me citoi.
“Tragjedia e Libohovës”, ky vend i quajtur qyteza e intelektualëve të shquar që punuan për forcimin e shtetit shqiptar. Libohova, vendi i bejlerëve, u bë kurban i terrorit komunist.
Gjatë Luftës N-ÇL u vranẽ 106 nacionalistë dhe patriotë të Libohovës, u dogjen 82 shtepi të mëdha 2 dhe 3 katëshe, u shkatërrua gjithë Libohova me urdhër te Jugosllavit Miladin Popoviç. Shumë nga orenditë me vlera të familjes Libohova ju dhuruan Titos. Gjithashtu biblioteka u dogj dhe u shkatërrua.
Në 14 Shkurt të vitit 1944, Libohova u mbyt në gjak. Natën e errët, në orën 23:00, mbi 500 trupa partizanë u lëshuan me egërsi kundër popullit; gra, pleq e fëmijë, një terror i papërshkrueshëm. Agresorët, mbasi vranë, plagosën e dogjën, u larguan duke lënë pas një Libohovë të tërë në zi.
Një tjetër histori e errët qëndron pas jetës plot vuajtje te gjyshes sime, Merjeme Ruçi. Babai i gjyshes quhej Haki Lile. Me ardhjen e komunistëve në pushtet, viti 1945, atë e shpallën kulak dhe i vendosën tatime të larta, të papërballueshme. Shumica e ish-pronarëve u keqtrajtuan duke i’u nënshtruar përbuzjes nga ana e shoqerisë, dhunës, dëbimeve, internimeve dhe spastrimeve. Lufta kundër tyre synonte uljen e influences së “kulakëve” dhe realizimin e qëllimit politik të tyre.
Me sloganin “Toka i takon atij që e punon”, qeveria e parë komuniste shqiptare në periudhën 1945-1946 ndërmori, nëpërmjet disa fazave, një reformë agrare radikale për shpronësimin e pronarëve të mëdhenj e të mesëm të tokave. Edhe familjes së Haki Liles iu sekuestruan pronat. Si rezultat i persekutimit të egër komunist, Haki Lile me një prej djemve të tij Ilmi Lile, më 3 Janar të vitit 1952 u arratisën për në Greqi e më pas në Amerikë.
Me arratisjen e tyre filloi dhe kalvari i vuajtjeve për giyshen time, ne atë kohë 10 vjeç, dhe i familjes së saj.
Ishte ajo natë e errët marsi e vitit 1953 që do ta percillte gjithë ngashërim për në kampin gjakftohtë të Tepelenës. Aty qëndroi për 9 muaj. Përgjatë gjithë 9 muajve do i rrinte pas si një hije fantazëm dhuna, frika, traumat, të qarat, por edhe vdekja.
Po atë vit do të ngulet një thikë e dytë per ta, kjo e fundit disi e pashpresë. Në dhjetor të atij viti do të internohen në kampin e Savrës në Lushnje, bashkë me nënën e saj, tre motrat dhe djalin e vogël te familjes.
Ndoshta kjo e shkuar e largët për mua është thjesht një histori, ama në sytë e gjyshes mund të shikoje çdo përjetim, çdo vuajtje. A e dinte ai femijë 10 vjeçar që ishte hera e fundit që do ta shikonte babanë e saj? A e dinte ai fëmijë që jeta do i kthehej në një burg, ku errësira do e perqafonte çdo natë e ku çdo lot që rridhte nga sytë ishte si një gozhdë e ngulur thellë në shpirt? Çmund të bënte një nenë për të kur jeta e kishte rrahur epersisht, deri në pikën ku nuk mund të lëvizte më? Ky makth i ndoqi për më shumë se 40 vite, e ajo njollë vazhdon ende lundron nëpër kujtime.
Në Savër të Lushnjes gjyshja qëndroi 4 vite, prej vitit 1953 deri më 1957. Kushtet ishin rrobëruese, aty ku për natë mjerimi ulej këmbëkryq e minjtë të shoqëronin në çdo kafshatë. Klithmat therrëse të zgjonin në ato orë të errëta, ku i ftohti të hynte thellë në lekurë.
Por, për familjen tonë ky nuk ishte fundi i dhimbjeve dhe i vuajtjeve, pasi gjyshi im Fitim Ruçi do të përjetoje një tjeter thikë prej regjimit komunist. Fitim Ruçi ishte një nga mekanikët me kategori të shtatë, mjeshtër pompist, mekaniku më i mirë në rrethin Gjirokastër. Një nxënës i shkëlqyer i institutit “Harry Fultz” dhe një mik i mirë i librit. Rritur në një familje të varfër, por të ushqyer nga dashuria.
Pasi kreu studimet në Tiranë ai u kthye përsëri në vendlindje. Por kush e dinte se natën e 12 dhjetorit të vitit 1981 disa hapa të rënde do të dëgjoheshin, e ne derë do të trokiste vetë vdekja. Duart do t’i lidheshin prej prangave të hekurta të komunizmit, me akuzën se “kishte sharë regjimin popullor e shkelur me këmbë librin e ‘shokut’ Enver Hoxha”. Spiunet kishin qenë gjithmonë pas tij, duke marrë parasysh dhe faktin se gruaja e tij ishte “vajza e agjentit amerikan”.
Fitim Ruçi u dënua me burg per 7 vite. Dy femijë tashmë pa baba dhe me një nënë të rrahur prej kamzhikut të jetës. Për gjithë familjen e babait tim vuajtjet ishin të panumërta. Në shkollë nuk vlerësohej si duhej. Për të vazhduar studimet e larta nuk e lanë si “djali i armikut”, “nipi i agjentit amerikan” e shumë të tjera.
Me duart që po dridheshin e disa pika loti rrjedhur në faqe, gjyshja vazhdonte të tregonte për ato kohë që tashmë i përkasin së vdekurës, apo ndryshe së shkuarës. Ama është po ajo e shkuar që vazhdon e dhemb kaq shumë. Janë ato plagë në shpirt, që koha e ka te pamundur t’i kurojë.
E me çfarë mund ta ngushëlloja unë, kur në ato çaste ndjenja e fajësisë m’u shpalos. Përse vallë i’a tregova ato foto. A mos i riktheva dhimbjet padashur? Çfarë ishte ajo re e zezë që ndoqi gjithë familjen tonë, e tani endet thellë nëpër kujtime? Ajo re që si një natë e zymtë dimri ndoqi për dekada me rradhë jetët e shumë shqiptareve e libohovitëve të tjerë. Çdo ditë që gdhihej, lutjet e engjëjve të pafajshëm për shterimin e atij makthi dëgjoheshin lart në qiell, ndoshta me shpresën se e nesërmja do i gjente gjalle.
Tortura makabër e të pashembullta i’u bënë giyshit tim Fitim Ruçi e bashkëvuajtesve të tjerë në burgjet e thella të komunizmit. Ato vuajtje, që perdet e diktatures i fshehën, biruca te ërrëta, ku mishi rrihej prej kamzhikut gjakatar. Fantazma që endeshin vërdallë të mpirë e te vetmuar, në mes të ndyrësisë, duke kthyer vështrimin nga jeta e duke mos ia kuptuar kurrë atë shkëlqim të pashpirt.
E ndjeva që nena ishte tepër e lodhur dhe mërzia po e merrte në krahët e saj. Një pjesë e imja donte ti kërkonte falje për trishtimin e risjelljen e kujtimeve të hidhura, kurse pjesa tjeter kishte etje për të ditur realitetin e komunizmit, për të rrëfyer pa doreza atë diktaturë.
Mora fotot në dorë ti çoja tek vendi ku i përkisnin, sirtarit të kujtimeve, me një ndjenjë të përzier si dallgët e një stuhie; të isha krenare për luftëtarë të vërtetë si gjyshërit e mij, apo të dhimbsesha që vallëzimet e tyre me jetën ishin sa të padrejta aq edhe mizore.
Ndoshta këtë nuk e di, por për një gjë jam tepër e sigurt; historitë e tyre më bëjnë ta dua më shumë jetën, ta kuptoj e vlerësoj atë.
Nuk e kam njohur kurrë gjyshin tim, por e shoh atë çdo natë në qiejt e pafajësisë e forcës. E shoh në sytë e gjyshes kur rrëfen ato gjurmë të jetës. Por në fund e shoh tek vetja, pasi një shprehje e urtë thotë: “Sëpata harron, por pema kujton”.
Autorja: Klea Ruci, nxënëse në gjimnazin “Asim Vokshi”, Tiranë
BEXHET ÇOBANI
22 Shkurt, 2024 at 3:02 am
MË KA MBREKULLUAR KJO ESE ! URIMET MË TË MIRA KLEAS !