Ndeshja e 15 nëntorit në Tiranë kundër Andorrës përmbylli edhe rrugëtimin e eliminatoreve për kampionatin botëror që do të zhvillohet vitin e ardhshëm në Katar, nga 21 nëntori deri më 18 dhjetor, i pari botëror në histori që do të zhvillohet në stinën e dimrit dhe jo në verë, për shkak të temperaturave të larta që regjistrohen ne Katar gjatë verës.
Eleminatoret që lamë pas u mbyllën me një pozicionim të mirë të kombëtares tonë në vendin e tretë në grup dhe me 18 pikë të grumbulluara në total, me 6 ndeshje të fituara dhe 4 të humbura. Ky rezultat na ngjit një vazo më lartë në shortin e eliminatoreve per botërorin e ardhshëm.
Por, përpos këtij rezultati shpresëdhënës, ajo që nuk bind është loja e skuadrës tonë përfaqësuese. Kjo u vu re edhe në ndeshjen kundër një skuadre gjysëm amatore si ajo e Andorrës. Loja e zhvilluar mbrëmë prej skuadrës tonë linte shumë për të dëshiruar. Nuk mund të jenë justifikim i vlefshëm mungesat e shumta në këtë përballje pasi, në çdo rast, kundërshtari që kishim përballë ishte shumë më poshtë si nivel se ekipi ynë, titullar apo zevendesues qoftë.
E megjithatë Andorra na vuri në veshtirësi në jo pak raste, dhe kjo erdhi më shumë si mosaftësi e jona se si meritë e tyre. Një ndeshje e luajtur pa ide, me shumë gabime dhe pa shpirtin e duhur të garës. Rezultati final 1 – 0 erdhi vetëm falë një 11 metërshi të akorduar në minutën 73, të shdërruar në gol nga Çekiçi, pasi deri atëherë ekipi ynë kishte deshtuar të shënonte ndaj një ekipi që ka pësuar 24 gola në 10 ndeshje, mesatarisht mbi 2 gola çdo përballje.
Tjetër arsye që e ridimensionon këtë rezultat të arritur nga kombëtarja gjatë këtyre eliminatoreve është edhe aftësia e skuadrës për tu ngritur në lartësinë e duhur gjatë ndeshjeve të rëndësishme. 12 pikë nga 18 në total të grumbulluara janë marrë në 4 ndeshjet e zhvilluara kundër dy skuadrave gjysëm amatore San Marino dhe Andorra. 6 pikët e tjera kanë ardhur në 2 ndeshjet kundër Hungarisë, por edhe këto pikë shumë të rëndësishme për renditjen përfundimtare kanë ardhur më tepër si pasojë e golave dhe aftësive individuale të talentit Armando Broja, dhe jo si pasojë e lojës bindëse të skuadrës. Në 4 përballjet e tjera kundër Anglisë dhe Polonisë, Shqipëria ka zhvilluar lojë të dobët dhe nuk ka qenë në lartësinë që i nevojitet një skuadre për të luftuar për kualifikimin në një kompeticion madhor.
Loja e zhvilluar nga kombëtarja nuk ka bindur as një pjesë të mirë të ‘aktorëve’ të rëndësishëm të futbollit tonë, mes tyre edhe ish lojtari i kombëtares Sokol Kushta, i cili pas ndeshjes është shprehur: “Dje në darkë, kur u mbyll ndeshja e fundit pash optimizëm dhe gëzim. U hap shampanja në kampin kuqezi. Fillova të dëgjoja dhe lexoja komente pa fund, dhe thash me vete se këta ose nuk dinë fare nga futbolli ose janë hipokrit të mëdhenj. Diskutojnë për rekord historik të pikëve të marra, por harrojnë që 12 pikë i kanë marrë ndaj dy ekipeve që janë sa Astiri si lagje dhe 6 pikë ndaj Hungarisë në saj të Brojës. Asnjë nuk diskutoi për problemet dhe mënyrën e lojës. Kombëtarja nuk është ekipi i lagjes, por është një ekip që përmbledh 12 milionë shqiptar kudo që janë.”
Ndërkohë, trainieri Edi Reja, në intervistën e dhënë pas ndeshjes kundër Andorrës, u shpreh i kënaqur për rezultatin e arritur në këto eliminatore. Pengu i tij i vetëm, sikurse ai u shpreh, ngelet mospasja e skuadrës të plotë në disa ndeshje të rëndësishme, mungesa që sipas tij kushtëzuar edhe mundësinë e kombëtares për të arritur në ndeshjet Play off të botërorit. Me kontratën që i skadon në qershor të vitit të ardhshëm, Reja shprehi dëshirën e tij për rinovimin e kontratës dhe vazhdimin e punës me kombëtaren shqiptare në eliminatoret e Euro 2024.
Shqipëria do të njohë kundërshtarët e saj për eliminatoret e Euro 2024 për 1 muaj, më 16 dhjetor, ditë kur do të hidhet shorti i grupeve për këtë kompeticion. Për kualifikimin e ekipit tonë në Evropianin e ardhshëm do të jetë i rëndësishëm fati për të kapur skuadra të përballueshme gjatë këtij shorti, por do të jetë shumë më e rëndësishme loja që ekipi ynë do të zhvillojë. Do të duhet më shumë punë se sa triumfi ndaj skuadrave gjysëm amatore si San Marino dhe Andorra. Do të duhet që Shqipëria të përballet denjësisht me ekipe profesionistësh dhe me histori në futboll.