“Kam ardhur të të them se ti po vret gjithë intelektualët. Dua të të pyes se me cilët ke ndërmend ta ndërtosh Shqipërinë, me teneqexhinjtë apo me këpucarët?”. Kështu Sabihaja i drejtohej Enver Hoxhës pak kohë pas instalimit të diktaturës komuniste.
Sabiha Kasimati lindi në Edërne (Adrianopojë) të Turqisë më 15 Shtator 1912, në një familje të njohur intelektuale nga Libohova. Atje kaloi fëmijërinë, e ushqyer nga prindërit me dashuri për Shqipërinë, por edhe për kulturën evropiane. I ati i saj, Abdurrahman Kasimati, i kishte kryer studimet universitare për mjekësi në Turqi, ku punoi si mjek dhe jetoi me gjithë familje deri në vitin 1927. Në këtë vit u kthye në Shqipëri, ku fillimisht u vendos në Korçë, mandej në Elbasan, tek shërbeu si mjek dhe gëzoi respektin dhe mirënjohjen e qytetarëve, por edhe vlerësimin dhe miqësinë e personaliteteve të këtij qyteti, Aqif pashë Elbasanit, Lef Nosit, Visarion Xhuvanit, Ethem Haxhiademit, Sotir Paparistos, Aleksandër Xhuvanit e të tjerë.
Me tu kthyer në atdhe, Sabihaja filloi studimet në Liceun Francez të Korçës. Ajo qe e para femër që e mbaroi këtë shkollë perëndimore në vitin 1930. Qysh nxënëse, zotëronte disa gjuhë të Perëndimit dhe të Lindjes, në mënyrë të shkëlqyer frëngjishten, aq sa habiste edhe profesorët francezë të Liceut.
Vajzat korçare, por edhe qytetarët e Korçës e kujtojnë edhe sot Sabihanë si dallëndyshen e parë të Liceut, si çupën e emancipuar, të kulturuar dhe me temperament, që mbeti si një shëmbëlltyrë e pashlyer për vajzërinë dhe djelmërinë shqiptare.
Mbas mbarimit të Liceut të Korçës punoi disa kohë si mësuese në shkollën Normale Femërore të Korçës, duke dhënë lëndët e Edukatës Morale dhe të Gjuhës Frënge. Më vonë u transferua si pedagoge në shkollën Shqiptaro-Amerikane në Kavajë, ku jepte mësim në lënden biologji.
Në vitin 1936 mundi të plotësonte dëshirën e saj të pashlyer për të kryer studime të larta. Shteti shqiptar i akordoi bursë studimi në Universitetin e Torinos, në Fakultetin e Shkencave Biologjike, të cilin e përfundoi me sukses me notat 30’/30’, me lavdërim. Në verën e vitit 1941 mbrojti edhe doktoraturën. Katedra i ofroi vendin e asistentes në Ihtiologjinë Fluviale, por ajo nuk pranoi dhe u kthye në atdhe.
Në Shqipëri punoi me entusiazmin e një vajze të re e të kulturuar, por edhe me vullnetin e një shkencëtareje të re që kërkonte t’i shërbente vendit të saj në nevojë. U emërua pedagoge në Institutin Femëror “Nëna Mbretneshë” në Tiranë. Mbas disa vjetësh pune me pasion, u detyrua të shkonte në Itali për kurë shëndetësore në një sanatorium të Torinos. Pas shërimit, aty nga viti 1945, u kthye në atdhe. Tek kthehej nga Italia, në aeroport takoi Ali Koprenckën, që ikte nga Shqipëria. Ai i tha: “Nuk e di se ç’po bëhet atje, hataja po bëhet! Ne, andaj po ikim. Po vendoset diktatura e kuqe.”
Sabihaja iu përgjigj: “Atje janë gjithë shokët e shoqet dhe bashkërisht do të përpiqemi që ajo gjë të mos ndodhë dhe Shqipëria të përparojë.”
Nisi punën në Institutin e Shkencave, siç quhej atëherë bërthama e parë shkencore, që drejtohej nga profesori Selaudin Toto.
Sabihaja punoi me zell dhe përkushtim në specialitetin e ihtiologjisë (disiplinë shkencore që studion peshqit). Për rezultatet e saj për studimin e peshqve në ujërat e vendit si edhe për vlerën ushqimore dhe ekonomike të tyre, ajo punoi 10 vjet me radhë.
Këtu realizoi një kërkim shumë të rëndësishëm në fushën ihtologjisënë, një periudhë kur ende nuk ekzistonte një përmbledhje e faunës dhe florës ekzistuese në vend. Për më tepër ajo ishte edhe ihtiologia e parë shqiptare.
Në dhjetë vite të gjata kërkimi dhe pune plot entuziazëm dhe angazhim, Sabihaja eksploroi dhe studioi gjithë faunën ihtiologjike fluviale dhe detare në ujërat e Shqipërisë, e bindur se studimet mbi peshqit do të kishin një rëndësi të madhe dhe një vlerë ekonomike të çmuar për vendin, që është veçanërisht i pasur. Bëri klasifikimin në bazë të taksonomisë, në klasa, lloje dhe nënlloje, duke përcaktuar zonat ku përhapeshin llojet kryesore të peshqeve me vlerë ekonomike dhe studime të shumta rreth riprodhimit dhe cikleve të tyre biologjike.
Pas një pune të stërmadhe në përmbushjen e mijëra skedave, koleksione të ekspozitave të mbedhura në dhjetra ekspedita, nga liqeni i Butrintit deri në liqenet e Lurës, nga liqeni i Prespës deri në detin Jon dhe Adriatik, si dhe në lumenjtë më të rëndësishëm, duke regjistruar dhe përpunuar ndërkohë mijëra referenca bibliografike dhe fotografike, që do të kishin qenë një ndihmë e madhe jo vetëm për Shqipërinë por edhe për të gjitha vendet ballkanike kufitare.
Sabihaja ishte gati të publikonte veprën e saj voluminoze “Peshqit e Shqipërisë”, gjë që për fat të keq nuk arriti ta bente kurrë. Vepra e saj u vodh pas ndërprerjes në mënyrë tragjike të jetës së saj, dhe nuk u publikua në emrin e autores së vërtetë, Sabiha Kasimati, por në emrin e një shkencëtari rus, Anatoli Poliakov, dhe të dy sudiuesve fillestarë Ndoc Filipi e Ndoc Rakaj.
Ajo u dëshpërua thellësisht nga goditjet e rënda që po u jepeshin intelektualëve të vendit, veçanërisht atyre që kishin studiuar në Perëndim, mjaft nga të cilët ishin kolegët e saj. Gjyqet ushtarake dënonin me pushkatime dhe burgime të rënda elitën shqiptare. Ajo u trondit veçanërisht nga pushkatimi i drejtorit të saj, shkencëtarit Selaudin Toto, si edhe i intelektualëve opozitarë – Gjergj Kokoshi, Suad Asllani, Sulo Klosi, Shefqet Beja, Stanislav Zuberit etj. – e veçanërisht nga dënimi i shkrimtares së parë shqiptare, Musine Kokalari.
Kështu, Sabihaja filloi të shprehte pakënaqësinë për regjimin dhe për Enver Hoxhën, shokun e saj të klasës në Liceun e Korçës. Këto pakënaqësi të saj, si edhe prejardhja nga një familje e madhe, tërësisht intelektuale dhe demokratike, bënë që emri i Sabihasë të futej në listat e zeza të Sigurimit të Shtetit si “kundërshtare e regjimit”.
Duke qenë se Sabihaja kishte mbaruar Liceun Francez bashkë me Enver Hoxhën dhe e njihte atë mirë, i kërkoi një takim. Aty ajo i tha: “Kam ardhur të të them se ti po vret gjithë intelektualët. Dua të të pyes se me cilët ke ndërmend ta ndërtosh Shqipërinë, me teneqexhinjtë apo me këpucarët”
Sabihaja u arrestua më 20 Shkurt 1951. Ajo bënte pjesë në listën e Sektorit të Dytë të Drejtorisë së Sigurimit të Shtetit, të përpiluar nga kapiten Rasim Dedja. Përbri emrit të saj ishte vënë një kryq, që do të thoshte se ajo do të pushkatohej. Përpiluesi i listave të zeza rrëfen: “Vlerësimi për personat që do të pushkatoheshin dhe që janë pushkatuar në fakt, është bërë direkt nga udhëheqja e Ministrisë, që në atë kohë ka qenë Mehmet Shehu me dy zëvendësministrat e tij – Kadri Hazbiu dhe Mihallaq Ziçishti. Them për këta të fundit, se këta mbulonin Sigurimin. Mehmet Shehu ishte ministër i Brendshëm, direkt i interesuar për ngjarjen. Ai propozoi në mbledhjen e Byrosë Politike që të pushkatoheshin pa gjyq 10-15 persona dhe Byroja ia miratoi, pra, i kishte duart e lira. Por, jo pa komandantin. Pa miratimin e diktatorit nuk bëhej asgjë. Enver Hoxha ia miratoi të gjitha veprimet dhe emrat e viktimave që kishte përzgjedhur. Por Enveri shtoi nga ana e tij emrat e Sabiha Kasimatit, Reiz Selfos, Manush Peshkëpisë, Qemal Kasoruhos, të cilët ishin nga treva e Gjirokastrës dhe ai i njihte personalisht.”
Për pushkatimin e saj dhe 21 intelektualëve të tjerë kishte vendosur Byroja Politike e KQ të PPSH, me vendimin e datës 20 Shkurt 1951. Nuk ka shembull në gjithë vendet e Lindjes komuniste, që të vendoste për të vrarë njerëz Byroja Politike, madje pa gjyq dhe duke shkelur edhe ligjet e asaj kohe!
Ajo nuk e pranoi akuzën për akte terroriste, për pjesëmarrje në organizata terroriste, për vënie në shërbim të agjenturave të huaja, por pranoi me burrëri se, si intelektuale, ishte kundër pushtetit totalitar dhe ideologjisë së tij komuniste: “Jam kundër pushtetit popullor, sepse nuk pajtohet me ideologjinë time. Nuk kam qenë kurrë e mendimit se me akte revolucionare të arrihej në socializëm. Unë kam studjuar biologji dhe si rrjedhim jam evolucioniste. Evolucioni është në natyrën e gjërave. Dhuna nuk çon në socializëm dhe aq më pak në demokraci, por vetëm dhe direkt në shkatërrim!”
Sabihaja ishte një demokrate e vërtetë evropiane. Në mesnatën e datës 26 shkurt 1951, e lidhur me tela me gjemba, e vetmja grua, sëbashku me 21 burra nga e gjithë Shqipëria, i pushkatuan dhe i hodhën në një gropë të përbashkët, pranë Urës së Beshirit. Fshatarët kanë dëgjuar britmat e saj, derisa dha shpirt. Eshtrat e saj sot prehen në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit, në një varr të përbashkët me 22 martirët e pushkatuar atë natë të përgjakshme.
– Uran Butka, shkrimtar dhe historian shqiptar
Bedri Statovci
20 Tetor, 2021 at 9:34 am
E tmerrshme kjo që lexuam. Pak ka ndryshuar, që nga edhe sot e asaj dite, qasja ndaj personaliteteve me vlera!
Petro Meksi
2 Janar, 2022 at 1:47 pm
Shume e vertete! Ne Shqiperi nderohen dhe promovohen vetem personazhet e gabuar!
Pingback: Musine Kokalari, shkrimtarja e parë shqiptare, u dënua e persekutua për idetë e saj demokratike | Libohova Post
Fjodora
27 Shkurt, 2023 at 6:05 pm
Fatkeqesi kur nje shtet udhehiqet nga injorante dhe kriminele! Njelloj edhe sot!!