Në vitin 2015 në krye të Bashkisë Libohovë do të vinte Luiza Mandi. Mjeke në profesion, Mandi kishte punuar për vite të tëra si mjeke e fshatrave të Libohovës dhe i njihte mirë nevojat që shëndetësia kishte në këto zona.
Kur më në fund Luiza Mandi ishte në krye të Bashkisë Libohovë, e cila për herë të parë kishte nën administrim jo vetëm qytetin, por edhe fshatrat e Libohovës dhe ato të Zagorisë, ajo kishte në dorë mundësinë që të punonte për përmirësimin e kushteve të qendrave shëndetësore në këto fshatra, në të cilat ajo kishte punuar vetë për shumë kohë.
Por në 8 vite në krye të bashkisë, mjekja Luiza Mandi nuk u kujtua në asnjë moment të përmirësonte sadopak këto qendra shëndetësore, në mënyrë që tu ofronte banorëve të këtyre fshatrave një shërbim shëndetësor më dinjitoz dhe ish kolegëve të saj mjekë dhe infermierë kushte më të përshtatshme punë në ndihmë të qytetarëve në nevojë. Gjatë këtyre 8 vite qendrat shëndetësore vazhduan të degradojnë dhe shërbimi shëndetësor për banorët e këtyre fshatrave vazhdoi të përkeqësohej.
Ajo çka u pa të ndodhte në këto 8 vite ishte se kryebashkiakja Luiza Mandi, ish mjeke, u ul në karrigen e kryetarit dhe me sytë nga qielli priti për ndonjë investim nga qeveria. Me kaq puna e saj quhej e kryer dhe e justifikuar.
Por bashkia nuk është një institucion që duhet të presë me sytë nga qielli, por një institucion që kryen punë të përditshme në shërbim të qytetarëve. Të rikonstruktosh apo të mirëmbash disa qendra të vogla shëndetësore nëpër fshatra është një punë që edhe një bashki e vogël si kjo e Libohovës nuk e ka të vështirë. Mjaftojnë shumë pak fonde dhe mjete e punëtorë që bashkia i ka në dispozicion.
Por mbi të gjitha mjafton dëshira e mirë për të punuar dhe për të bërë gjëra të dobishme në shërbim të qytetarëve.