Stadiumi Wembley do të presë sot në mbrëmje, në orën 20:45, ndeshjen midis Anglisë dhe Shqipërisë, e vlefshme për kualifikueset e kampionatit botëror Qatar 2022. Me 90 mijë bileta të shitura për këtë ndeshje, stadiumi do të jetë me kapacitet të plotë, duke lënë të habitur edhe reporterët anglez për interesin e madh të shfaqur për këtë ndeshje. Ata sugjerojnë se një pjesë e mirë e tifozëve që do të ndjekin ndeshjen në Wembley këtë mbrëmje do të jenë mbështetës të kombëtares shqiptare.
Do të jetë një ndeshje shumë e vështirë. Dihet se kombëtarja angleze është ndër top skuadrat më të mira në nivel botëror, me yje të mëdhenj në përbërjen e saj, ndërsa Shqipëria po ndeshet për të siguruar biletën e parë në historinë e saj në një Kampionat Botëror. As statistikat e përballjeve direkte nuk janë aspak inkurajuese. Në përballjet e mëparshme me Anglinë kemi 0 fitore, 0 barazime dhe 5 humbje, një bilanc shumë i thellë në favor të anglezëve. Edhe kompanitë e basteve e kuotojnë fitoren e Shqipërisë sot me koeficient 24,00, barazimin me 8,00, ndërsa fitoren e Anglisë me vetëm 1,10.
E megjithatë Shqipëria do të tentojë shanset e saj për tu kualifikuar në botërorin e ardhshëm, duke qenë se matematika ende e lejon, sikurse shprehen Elseid Hysaj dhe trainieri Reja. Këtë do ta bëjë me Cikalleshin dhe Uzunin në sulm, në mbeshtetje të tyre do të jetë Bajrami, në mesfushë do të rreshtohen Hysaj, Gjasula, Bare dhe Trashi, ndërsa në mbrojtje do të luaj treshja Ismajli, Kumbulla dhe Veseli. Në portë duket se sot të do aktivizohet Strakosha në vend të kapitenit Etrit Berisha. Nga stoli duket se do ta nisë këtë ndeshje edhe talenti i shumëpritur nga të gjithë Armando Broja, i cili duket se vuan nga një demtim në kavilje.
Aktualisht Shqipëria mban vendin e tretë në Grupin I me 15 pikë, 5 pikë mbrapa Anglisë që ndodhet në vendin e parë dhe 2 pikë pas Polonisë që renditet e dyta. Me 6 pikë akoma në lojë, Shqipëria do të luaj sot shanset e saj, edhe pse do të na duhet një mrekulli për tu kualifikuar, ose më mirë të themi një kombinim rezultatesh me ndeshjet e skuadrave të tjera në grup i cili do të ishte në favorin tonë.