Shqypnia
Edhè hâna do t’a dijë,
Edhè dielli do t’ két pá,
Se për qark ksaj rrokullije,
Si Shqypnija ‘i vend nuk ká!
Fusha t’gjâna e kodra t’blera,
Zijes s’mnershme larg kû âsht droja,
Me gaz t’vet ktû i veshë Prendvera,
Si t’Parrizit t’larmet shtroja.
Nën nji qiell përherë t’ kullueme,
N’rreze e n’dritë përshkue unjí,
Bjeshkë e male të blerueme
Si vigâj shtiellen n’ajrí.
Ke ato bjeshkë e ke ato male,
Kroje t’kjarta e t’cemta gurra,
Tue rrëmbye npër mriza hale,
Gurgullojn npër râjë e curra.
Mbi ato male e bjeshkë kreshnike
Léjn mande’ ata djelm si Zâna,
Armët e t’cillvet, përherë besnike,
Janë përmendë ndër fise t’tana.
Atje léjn, po Toskë e Gegë,
Si dý rreze n’flakë t’nji dielli:
Si dý rrfé, qi shkojn tue djegë,
Kúr shkrepë rêja nalt prej qielli.
Oh! Po, e din i prûjtë anmiku,
Se âsht rrfé zogu i Shqyptarit,
Rijtun gjakut kah çeliku
N’dorë t’ktij shndritë për vend t’të parit.
Ato male të madhnueshme,
Ato, po, kanë mûjtë me pá
Se sa forca e pafrigueshme
N’turr t’Shqyptarit pît ka rá.
Dridhet toka e gjimon deti,
Ndezen malet flakë e shkndija,
Ka’ i frigueshëm, si tërmeti,
Atje rrmben kû e thrret Lirija.
Lume e shé para atij ngelin,
I a lshojn udhën dete e male;
Mbretënt fjalën s’mund t’i a shkelin,
Turrin ferri s’mund t’i a ndalë.
Shkundu pluhnit, prá, Shqypní,
Ngrehe ballin si mbretneshë,
Pse me djelm, qi ngrofë ti n’gjí,
Nuk mund t’quhesh, jo, robneshë.
Burrë Shqyptár kushdo i thotë vetit,
Qi zanát ka besë e fé,
Për Lirí, për fron të Mbretit
Me dhânë jetën ka bâ bé.
Sy për sy, po, kqyr anmikun;
Përse djemt, qi ti ke ushqyue,
S’i ka pá, jo, kush tue hikun:
Friga e dekës kurr s’i ka thye,
Kaq të bukur, kaq të hieshme
Perëndija t’fali i Amshueshëm,
Sá ‘dhe deka âsht për tý e shieshme:
N’gjí t’and vorri âsht i lakmueshëm.
Po, edhè hâna do t’a dijë,
Edhè dielli do t’két pá,
Se për qark ksaj rrokullije,
Si Shqypnija ‘i vend nuk ká!
Rrnosh e kjosh, prá moj Shqypní,
Rrnosh e kjosh gjithmonë si vera,
E me dije e me Lirí
Për jetë t’jetës të rrnoftë tý ndera.
– Gjergj Fishta
______________________
Gjergj Fishta (Fishtë, 23 tetor 1871 – Shkodër, 30 dhjetor 1940) ishte At françeskan, arsimtar, shkrimtar, përkthyes, kryetar i komisionit për hartimin e alfabetit shqip në Kongresin e Manastirit (1908), anëtar i delegacionit të shqiptar në Konferencën e Versajës (1919), zëvendëskryetar i legjislativit shqiptar (1921), atdhetar dhe veprimtar i shquar i Rilindjes Kombëtare.
Fjodora
2 Janar, 2022 at 3:53 pm
Vargu i Fishtes nuk ka te krahasuar! Eshte sublim!
Petro Kote
3 Janar, 2022 at 6:31 pm
Homeri shqiptar Gjergj Fishta!