Zonja Lu
Një ditë dola për shëtitje, afër udhës në varreza
Pashë një zonjë me shumë habitje,
Veshur krejt me rrob’ të bardhë, duke i bere veri një varri.
Që t’i bësh veri një varri është punë e një të marri.
Iu afrova…
Një flori, mrekulli një bukuri,
Dorë e saja vente-vinte, bën veri e bën veri…
E un’ tepër i çuditur i them zonjës të më falë
Dhe si gjysmë ngushëllimi pëshpërita dy-tre fjalë
Dhe iu luta të më thoshte i kujt është ky varr i ri,
Varr i freskët e i njomë, e përse i bën veri?
Zonja kuqet e stërkuqet, bën të thotë e nuk më thotë,
Nuk më thotë asnjë përgjigje, lutja ime vajti kot.
Rrobe e bardhë që kish veshur, më tregoi se mbante zi,
Sado heshti buzë e kuqe, foli syri saj i zi!
Lem të lutem… dhe vazhdoi përsëri e përsëri,
Dorë e saj nuk kish të lodhur, bën veri e bën veri…
Nuk më ikej nga meraku,
Po kur shoh se aty afër po ma bën me dorë nje grua,
Ajo ish një plakë e varfër, më thotë:
Eja, e di unë, të rrefej se ç’janë ata,
Atë varr e atë grua, në me jep disa para!
Edhe unë more zotëri, me këto paratë e tua,
Shkoj e blej nje nuskë nga prifti, të më zgjatet jeta mua,
Pse në vendin ton’ të dashur, me fuqirin e florinjve,
Edhe jeta blihet shitet, rrofte magjia e priftërinjve!
Tash ajo që pyesni ju,
Është zonjë e një poeti edhe quhet zonja Lu.
Varri është i të shoqit, ish poet i madh i vendit,
që peshohej këngë e tija me dërheme të argjendit!
Bur e grua mish e thua, çift i ëmbël, çift me shije,
çift o çift që ska të dytë, si dy kokërra qershije.
Një ditë burri u sëmur, dy plevite në një vend,
Nje sëmundje shumë e rëndë, Zonja Lu u prish nga mendtë.
Dhe i thotë burrit të saj: Nëse mbyllen sytë e tu,
Unë veten do ta vras.
Dhe bej be që, atë çast më ke pranë e më ke pas…
Ti ma bëre shtratin tim kryefron të dashurisë,
Dhe unë varrin tënd do ta bëj shtratin tim te nusërisë.
-Jo, të lutem – i thotë burri – shumë të lutem mos e bëj!
-Mirë at’here, unë do mbetem gjithë jetën një e ve…
-Jo, të lutem, Luja ime, mos e bëj dhe këtë be!
-Si pra unë të duroj në më zentë kjo rrebe?
Pra të paktën do të mbyllem dhe do rreshkem disa vjet…
-Jo, të lutem luja ime, është e shkurtër jetë e shkretë.
Vetëm prit e ki durim sa të thahet varri im.
Tash poeti ra e fjeti, ra e fjet’ për motë jete,
Gjëmë e madhe që e gjeti…
Zonja Lu thërret bërtet me oi e me oi,
Per atë që bënej fli, një minutë e dy vili!
Ç’më gjet mua, ç’më gjet mua,
Ulurin e zeza grua! U plagos, u shkatërrua,
U plagos e u gjakos me biçakun e fildishtë,
Fije fije bëri floket, cope-copë i bëri mishtë.
Pas dy ditëve vjen një djalë, një djalosh një bukurosh,
E i thotë zonjës Lu: Ti shëndoshë e unë shëndoshë!
Ti e unë një çift i ëmbël, çift i bukur, çift me shije,
Çift, o çift që s’ka të dytë, si dy kokërra qershije.
Mirpo zonja është besnike, ka dhenë fjalën ka berë be,
Sa të thahet varri burrit doemos do rrijë e ve.
Meqe varri është i freskët, është i njomë e është i ri,
Që të thahet shpejt e shpejt, zonja Lu i bën veri!
– Ali Asllani
_______________________
Ali Asllani (Vlorë, 28 nëntor 1884 – Tirane, 20 dhjetor 1966) ishte poet, politikan dhe atdhetar shqiptar.
Fjodora
5 Shkurt, 2022 at 2:48 pm
Shume e bukur e domenthenese!
Petro
7 Shkurt, 2022 at 8:31 pm
Penë e mprehtë Ali Asllani
Artan
8 Shkurt, 2022 at 4:38 pm
Njeri i madh, qe nuk eshte vleresuar aq sa duhet